Nica: Ndaj Teutës të fitojë më i miri

Sporti

Nica: Ndaj Teutës të fitojë më i miri

Më: 16 prill 2014 Në ora: 23:09

E shmangu prononcimin për Supersport pas sfidës së tensionuar me Besën në Kavajë, ku skuadra e tij mori një pikë që më shumë i prishi punë kundërshtarit, por nuk ngurron të flasë para takimit me Teutën, që do të zhvillohet në fundjavë në Laç. Për Stavri Nicën përballja me Djemtë e Detit mbetet gjithmonë e veçantë. Trajneri durrsak parashikon një 90 minutësh të luftuar mes dy rivalëve për të njëjtin objektiv, megjithatë ajo që ka rëndësi për 59-vjeçarin është zhvillimi i një lojë Fair-Play.

“Është një ndeshje e vështirë përballë skuadrës së qytetit tim. Uroj që të zhvillohet një lojë e bukur dhe Fair-Play dhe të fitojë më i miri.”

Nica nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Erjon Vucaj, i ndëshkuar me karton të kuq ndaj Besës, megjithatë për trajnerin durrsak, Laçi e bazon lojën në frymën e grupit, ndaj mungesa e shkodranit nuk do të ndihet shumë.

“Vujcaj është një mungesë e rëndësishme për vetë cilësitë që ka, megjithatë mua nuk më shqetëson shumë, sepse ne kemi lojtarë të tjerë dhe e bazojmë lojën në skuadër.”

Duke analizuar garën në tërësi, Nica e pranoi se ky kampionat mbetet nga më cilësorët që është zhvilluar ndonjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat