Rrahmani: S’mund të lëmë pikë në fushën tonë

Sporti

Rrahmani: S’mund të lëmë pikë në fushën tonë

Më: 16 prill 2014 Në ora: 23:06

Humbja 3-1 me Teutën javën që lamë pas nuk e cënon besimin që kanë tifozët e kuq ndaj futbollistëve të Partizanit. Amir Rrahmani deklaroi në konferencën e radhës për shtyp, se te 15 herë kampionët e Shqipërisë lojtarë dhe tifozë kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe kur vjen një rezultat negativ të humbur janë të gjithë.

“Nuk ka krisje mes futbollistëve dhe tifozëve. Nëse vjen një humbje ajo është e të gjithëve. Më mirë që humbëm në transfertë, pasi në shtëpinë tonë do të ishte më e hidhur.”

Sa i përket rivalitetit të madh për vendin e tretë, Rrahmani e pranon se të paktën në dy ndeshjet e radhës, ku të kuqtë kanë pritës, Partizani nuk duhet të dështojë.

“Të paktën dy ndeshjet e radhës në fushën tonë me Kukësin dhe Kastriotin duhet të marrim fitoren. Ne në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin, por dy takimet e radhës janë shumë të rëndësishme për arritjen e objektivave.”

Rrahmani duket se është i parapëlqyeri i trajnerit Sampaio në repartin e mbrojtjes, mirë po vetë 20-vjeçari thekson se askush nuk e ka vendin të sigurtë në formacion. Takimi Partizani – Kukësi do të luhet të dielën në “Qemal Stafa” në orën 17:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat