Partizani-Kukësi, mbrojtja më e mirë

Sporti

Partizani-Kukësi, mbrojtja më e mirë

Më: 16 prill 2014 Në ora: 23:05

Partizani – Kukësi është supersfida e javës së 29 të Kategorisë Superiore, me dy skuadra që synojnë objektiva madhorë. Të kuqtë kërkojnë Europën në vitin e parë të ringritjes së tyre, ndërsa verilindorët kanë hyrë në garë për të fituar titullin në sezonin e tyre të dytë në Kategorinë Superiore. Megjithatë kjo është edhe një sfidë numrash, pasi Partizani regjistron deri më tani mbrojtjen më të mirë të kampionatit me 20 gola të pësuar, dhe nëse do të heqim humbjet 0-3 në Korçë ndaj Skënderbeut në fazën e parë dhe atë të javës së kaluar ndaj Teutës 1-3, atëherë do të flisnim për një skuadër me ecuri rekord. Interesante bëhet kjo sfidë pasi edhe numrat e Kukësit të targuar Starova flasin për ekipin më sulmues në 10 javët e fundit, ku ka shënuar 20 me një mesatare prej 2 golash për ndeshje. Në 18 javët e para nënkampionët e sezonit të kaluar kanë shënuar 15 gola, ndërsa vetëm në 10 ndeshjet e fundit në kampionat numri i tyre është më i lartë.

Sigurisht që nëse ekipet kanë nga një pikë të fortë, aty gjendet dhe një lider. Për Partizanin nuk ka diskutime që lideri në mbrojtje është futbollisti i kombëtares shpresa të drejtuar nga Skënder Gega, Amir Rrahmani, i cili që nga 2 nëntori i vitit të kaluar në humbjen 0-3 ndaj Skënderbeut është kthyer në një titullar të padiskutueshëm. Ndërkohë tek Kukësi edhe pse alternativat në sulm janë të shumta, njeriu i momentit është Sokol Cikalleshi, autori i 13 golave në kampionat, 9 prej të cilave i ka shënuar në 12 ndeshjet e fundit. Megjithatë edhe pse kjo mund të shihet si një sfidë brenda sfidës, Rrahmani dhe Cikalleshi janë përfaqësues të denjë të reparteve respektivë, dhe nisur nga shifrat por edhe forma e treguar, ky 90 minutësh pritet të jetë po aq interesant sa janë dhe objektivat për t’u arritur nga skuadrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat