Guardiola: Jemi në një situatë të rrezikshme

Sporti

Guardiola: Jemi në një situatë të rrezikshme

Më: 16 prill 2014 Në ora: 01:52

Trajneri i Bayern Munchen, Pep Guardiola, ka lëshuar këmbanat e alarmit përpara gjysmëfinales së javës së ardhshme për Champions League, ndaj Real Madrid në “Santiago Bernabeu”, pas dy humbjeve radhazi në Bundesligën gjermane.

“Nëse ne luajmë siç kemi bërë në 3 ndeshjet e fundit në kampionat, atëherë nuk do të arrijmë dot në finalen e kompeticionit”, tha Guardiola, teksa Bayern synon të presë biletën për në finalen e 4-t në 5 vitet e fundit në Champions.

43-vjeçari pranoi se po has periudhën e parë të vështirë te Bayern, duke qenë më autokritik se zakonisht gjatë konferencës për shtyp të së martës, 24 orë përpara gjysmëfinales së Bayern-it me Kaiserslautern, për Kupën e Gjermanisë (DFB-Pokal).

Që prej fitimit të titullit të Bundesligës, 3 javë më parë, duke shënuar edhe një rekord me fitimin e tij 7 javë nga fundi i kampionatit, Bayern ka fituar vetëm 1 nga 5 ndeshjet e fundit, përfshi edhe humbjet radhazi ndaj Augsburg-ut dhe Dortmund-it, që i shpartalluan 3-0 në Mynih, të shtunën.

Bayern synon të përsërisë “tripletën” e sezonit të kaluar, me trofetë e Champions League, DFB-Pokal dhe Bundesligës, por Guardiola pranon se është habitur nga rënia kaq e papritur e formës së lojtarëve. “Është e njëjta stërvitje, i njëjti sistem, të njëjtët lojtarë”, tha ai.

“Vrasësit” e të mëdhenjve, siç është cilësuar Kaiserslautern, kanë eliminuar deri më tani Bayer Leverkusen dhe Hertha Berlin nga Kupa e Gjermanisë, por për herë të fundit kanë mundur të dalin triumfues nga Mynihu 17 vjet më parë. Pas gjysmëfinales së Kupës, Bayern do të udhëtojë në transfertën e Eintracht Braunschweig, ekipi i fundit në renditje, të shtunën, përpara se të përgatitet përfundimisht për udhëtimin në Madrid, për t’u ndeshur me Realin më 23 Prill.

“Jemi në një situatë të rrezikshme”, pranoi Guardiola. “Nëse luajmë në Madrid, siç kemi bërë së fundi, atëherë nuk do të kemi asnjë shans për të ecur përpara. Kur fokusimi nuk është atje, atëherë vrulli nis të ndalet dhe gjithçka ndodh më ngadalë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat