Holanda shkatërron përfaqësuesen shqiptare të femrave

Sporti

Holanda shkatërron përfaqësuesen shqiptare të femrave

Më: 10 prill 2014 Në ora: 22:47

10-1, rezultat i pabesueshëm por i vërtetë. Këto janë shifrat me të cilat është mundur përfaqësuesja shqiptare e futbollit të femrave nga Holanda, në takimin e zhvilluar në qytetin Helmond, në kuadër të kualifikueseve për kampionatin botëror të vitit 2015. Vajzat që drejtohen nga trajneri Altin Rraklli nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë Holandës, një prej skuadrave më të forta në botë. 5 nga 11 golat e sfidës mbajnë firmën e Rene Slegers, Lieke Martens realizoi dopietë, ndërsa nga një gol shënuan Claudia van den Heiligenberg dhe Eshly Bakker.

Golin e nderit për vajzat kuqezi e realizoi Albina Rrahmani, ndërsa Lucie Gjini u detyrua ta dërgonte topin në portën e saj. Pas 7 ndeshjeve të zhvilluara në grupin 5, Shqipëria renditet e parafundit, me vetëm një fitore ndaj Greqisë, duke lënë pas pikërisht përfaqësuesen helene, e cila nuk ka grumbulluar asnjë pikë. Në tre takimet e fundit Shqipëria do të luajë me Portugalinë dhe Norvegjinë në shtëpi, për ta mbyllur në fund ndaj Greqisë në transfertë, takim që pritet të përcaktojë se cila do të renditet e fundit në grup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat