Asafa Powell pezullohet me 18 muaj

Sporti

Asafa Powell pezullohet me 18 muaj

Më: 10 prill 2014 Në ora: 21:04

Vetëm dy ditë pas skualifikimit me 18-muaj të sprinteres xhamajkane Sherone Simpson i njëjti dënim rezervohet edhe për bashkëkombasin e saj Asafa Powell. Pak a shumë pritej, pasi që të dy këta sportistë stërviteshin bashkë dhe rezultuan pozitivë me substancën e ndaluar Oxilofrine, sidoqoftë konfirmimi zyrtar nuk vonoi dhe i njëjti panel i Komisionit Xhamajkan të Antidopingut dha në Kingston të njëjtin pezullim edhe për ish-rekordmenin e botës. 31-vjeçari së bashku me katër sportistë të tjerë rezultuan pozitivë 21 qershorin e vitit të kaluar, gjatë trials, provave të kampionatit vendas të atletikës, aktivitet që shërbente gjithashtu edhe për të kualifikuar atletët më të mirë të Xhamajkës për në kampionatin botëror të Moskës. Ditën e martë u ndëshkua me dy vjet edhe rekordmenia e hedhjes së diskut Allison Randall sepse asokohe ajo rezultoi pozitive me hydrochlorothiazide, gjithsesi ashtu si edhe Sherone Simpson, Asafa Poëell mund t’i kthehet garave të atletikës më 20 dhjetorin e këtij viti, pikërisht ditën kur plotësohet pezullimi i tij prej 18-muajsh.

31-vjeçari i cili konsiderohej si një ndër favoritët për medalje në botërorin e Moskës humbi kështu mundësinë për të marrë pjesë në atë event. Për shkak të atij testi pozitiv Powell në muajin janar akuzoi trajnerin e tij kanadez, Chris Xuereb, njëherësh edhe trajneri i Sherone Simpson, që sipas tij i kishte dhënë 9 medikamente gjithsej, ku përfshihej edhe Epiphany D1. Avokatët e tij mbrojtës paraqitën prova konkrete nga tre laboratore të ndryshme ku vërtetohej se Epiphany D1 përmbante pikërisht substancën e ndaluar Oxilofrine. Sprinteri i famshëm xhamajkan gjithsesi kur u morr në pyetje u justifikua duke thënë se nuk ishte në gjendje të kujtonte dot emrat e tyre, në një kohë kur vetë përgatitësi atletik i tij Chris Xuereb e mohoi plotësisht diçka të tillë, apo faktin që të ketë furnizuar me këto medikamente ish-rekordmenin e botës, sidoqoftë trajneri kanadez këmbënguli duke shtuar se Powell duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Pak a shumë i së njëjtës linjë me ish-sprinterin e njohur Kim Collins i cili për një rast të tillë deklaroi se atletët nuk mund të justifikohen me paditurinë e tyre në lidhje me këtë fushë, por duhet të kenë kurajon për të pranuar fajin, njëlloj siç veproi britaniku Dwain Chambers një dekadë më parë, i cili pranoi botërisht se kishte përdorur me vetëdije substanca të ndaluara.

Në fakt Oxilofrine është një substancë e ndaluar nga WADA, Agjencia Botërore e Antidopingut, substancë që është një lloj amfetamine që gjendet në disa lloj barnash që përdoren gjerësisht nëpër dieta të ndryshme dhe shërben për të djegur me shpejtësi shtresat e dhjamit, si dhe shkakton rënie në peshë, gjithsesi Profesori Wayne McLaughlin gjatë dëshmisë së tij shpjegoi se Oxilofrine nuk influencon në shpejtësinë e atletëve. Asafa Powell është i famshëm për rekordin botëror të 100-metrave të vendosur në shtator të vitit 2007 me kohën 9”74, rekord që u thye vetëm një vit më vonë nga bashkëkombasi i tij Usain Bolt, sidoqoftë Powell nuk ka qenë qenë kurrë i aftë për të shkëlqyer në eventet e mëdha si olimpiada apo kampionate botërore, aq sa deri më tani në gara individuale krenohet vetëm me dy medalje bronzi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat