Pacquiao e Bradley premtojnë spektakël

Sporti

Pacquiao e Bradley premtojnë spektakël

Më: 10 prill 2014 Në ora: 19:28

Cdo herë që zhvillojnë ndeshje Flowd Mayweather Jr apo dhe Manny Pacquiao është njëlloj si një festë për gjithë të apasionuarit e boksit. Këtë herë radha i takon Pac – Man dhe tashmë përgatitjeve i vjen fundi, e këtë fundjavë më në fund është koha për të parë sërish në ring 35-vjeçarin nga Filipinet. Sfida e radhës gjithsesi nuk pritet të jetë aspak e lehtë pasi përballë Kongresmenit do të vihet boksieri amerikan Timothy Bradley, i cili deri më tani nuk ka pësuar asnjë humbje. Si Pacquiao ashtu edhe Bradley zhvilluan në Nevada konferencën e tyre të fundit për shtyp në MGM Grand Hotel në Texas, përpara sfidës për titullin botëror të peshës velter, në versionin WBO. Pacquiao shpreson shumë që pas këtij dueli të rifitojë përsëri brezin e artë të kësaj kategorie, brez të cilin afërsisht dy vjet më parë ja rrëmbeu pikërisht 30-vjeçari kalifornian pas një vendimi tepër të diskutueshëm të gjyqtarëve, të cilët asokohe me verdiktin e tyre i dhuruan në njëfarë mënyre boksierit amerikan titullin e Federatës WBO. Ajo disfatë i dha fund mbretërimit 7-vjeçar të Manny Pacquiao-s, si dhe ecurisë pozitive prej 15 ndeshjesh pa humbje. Që nga ajo kohë Kongresmeni ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, atë me meksikanin Juan Manuel Marquez, ku u mund me knock out në raundin e 6, ndërsa katër muaj e gjysmë më parë në Macao boksieri i famshëm filipinas mposhti me vendim unanim amerikanin Brandon Rios.

Manny Pacquiao – Që të dy po japim maksimumin për të bërë punën tonë në ring, e për t’ju bërë të lumtur ju djema, si dhe për t’i kënaqur njerëzit e për të nxjerrë një ndeshje të mirë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për mua dhe karrierën time. Sigurisht edhe kundërshtari im pretendon po të njëjtën gjë, kështu që do të jetë një ndeshje shumë shumë e mirë ditën e Shtunë, të cilën nuk duhet ta humbisni.

Në krahun tjetër Desert Storm paraqitet në këtë sfidë me 31 fitore në 31 ndeshje, dy të fundit kanë qenë të vlefshme për mbrojtjen e titullit WBO ndaj rusit Ruslan Provodnikov si dhe ajo ndaj meksikanit Juan Manuel Marquez.

Timothy Bradley – Cdo gjë është thënë nëpër media, tani ka pak rëndësi se çfarë themi ne. Ka rëndësi vetëm çfarë do të bëjmë ditën e Shtunë në ring. Ne do të japim një shfaqje të madhe për miliona fansat që do të na shikojnë dhe jua them unë që nuk do të ketë njeri në arenë apo ndonjë tifoz të vetëm në botë që në fund të mbetet i zhgënjyer, ja kjo është ajo që do të ndodhë ditën e Shtunë. Si unë ashtu edhe Manny Pacquiao jemi stërvitur fort në fazën përgatitore për të nxjerrë një ndeshje të madhe.

Ndeshja ndërmjet tyre do të zhvillohet më datë 13 Prill pikërisht në MGM Grand, në Las Vegas, në orën 05.00 të mëngjesit me orën europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat