Peshëngritje, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli "pushtojnë" Europën, fitojnë medalje të arta

Sporti

Peshëngritje, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli "pushtojnë" Europën, fitojnë medalje të arta

Më: 8 prill 2014 Në ora: 21:32

Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli pushtojnë Europën. Dy peshëngritësit shqiptarë ngrejnë lart flamurin kuqezi duke dominuar skenën për kategorinë deri në 77 kg. Si asnjëherë tjetër dy sportistët shqiptarë konkurruan me njëri-tjetrin për vendin e parë duke eklipsuar kundërshtarët e tjerë. Erkand Qerimaj i cili vinte pas përfundimit të pezullimit për përdorimin e substancave të ndaluara tregoi karakterin e vërtetë duke ngritur plot 349 kg në dygarësh e duke u shpallur kampion Europe, jo vetëm kaq por djaloshi shkodran u shpall kampion europe edhe në stilin e shtytjes. Ai ngriti në shkëputje 155 kg duke marrë medalje bronzi por shfaqi më të mirën në stilin e preferuar atë të shtytjes, që ishte një leksion i vërtetë për kundërshtarët.

Në tre prova, Qerimaj kaloi me sukses, 188, 193 dhe 194 kg dhe çuditërisht rivali i tij për fronin ishte sportisti tjetër shqiptar, Daniel Godelli. Me Qerimajn që mori dy medalje ari dhe një bronzi, Shqipëria pasuron arkivin me të tjera medalje pasi edhe Godelli ishte në formën më të mirë. Ky i fundit nderoi shtangën shqiptare duke marrë 3 medalje argjendi, që do të thotë tre herë nënkampion, në stilin e shkëputjes ku ngriti 157 kg, atë të shtytjes ku kaloi 192 kg ndërsa në total e mbylli me 349 kg, që do të thotë, e humbi titullin vetëm për çështje peshe. Por Godelli duhet të ndihet krenar sepse titullin kampion e mori peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj. Si kurrë më parë Shqipëria nuk është ndierë kaq e pushtetshme në peshëngritje në Europë, dhe merita kryesore shkon për dy heronjtë tanë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat