Seedorf: Europa është më pranë

Sporti

Seedorf: Europa është më pranë

Më: 8 prill 2014 Në ora: 11:08

Fitorja e Milanit në transfertën e Genoas kishte aromë Europiane. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për Championsin, por për Europa League, një objektiv i shoqërisë që duhet arritur nga futbollistët kuqezi.

“Pas kësaj fitoreje Europa është më pranë, por duhet të kalojmë shumë kundërshtarë që luftojnë për të njëjtin objektiv. Duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të jemi praktikë. Shoqëria na ka vënë një objektiv dhe ne të gjithë duhet ta arrijmë.”

Më pas trajneri holandez përqendrohet te loja e skuadrës së tij, duke veçuar edhe paraqitjen e lojtarëve të veçantë.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e Taraabt, por mbi të gjithë për lojën e skuadrës, që tregoi se ka zemër dhe këmbë. Të fitosh në këtë fushë të vështirë do të thotë se ke arritur një rezultat të madh. Pamë një Mexes në formë të shkëlqyer, që po rritet çdo ditë, por edhe Abiati bëri një pritje të madhe.”

Ndaj Genoas u zhbllokua edhe Keisuke Honda, i cili në muajt e parë me bluzën kuqezi e pati shumë të vështirë ambientimin në Serinë A.

“Jam shumë i lumtur për Hondën, pasi u zhbllokua. Arriti të shënonte në një moment shumë të rëndësishëm, sepse në ato çaste Genoa po shtynte shumë në gjysmëfushën tonë. Ai u shfaq si një futbollist me shumë cilësi. Shpresojmë që të vazhdojë kështu.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat