Parma thyen Napolin dhe sheh Europën

Sporti

Parma thyen Napolin dhe sheh Europën

Më: 6 prill 2014 Në ora: 23:35

Parma sheh seriozisht Europën në kampionatin e saj duke barazuar madje dhe Interin në renditje. Emilianët regjistruan një sukses të rëndë në “Tardini” përballë Napolit, që u duk se bateritë i kishte konsumuar të gjitha një javë më parë ndaj Juventusit. Formacioni i Donadonit luajti një ndeshje të vërtetë për një skuadre të pjekur duke shfrytëzuar në maksimum çdo hapësirë që i jepte ekipi napoletan. Jugorët u dukën sikur e nisën më mirë ndeshjen, por emilianët arritën të barazpeshonin shpejt peshoren e forcës në fushë duke mos lënë ekipin e Benitez të qarkullojë shumë topin.

Pas një pjese të parë pa gola, ishte Parolo ai që la pa fjalë jugorët me golin e tij të jashtëzakonshëm duke kaluar në avantazh Parmën. Me rezultatin 1-0, Parma u tërhoq pas duke ja lënë iniciativën Napolit, që kërkoi me Hamshik, Higuain, Mertens e Jorginho për të arritur te barazimi por pa ia dal dot mbanë. Gjithçka u mbyll me suksesin e ekipit të Donadonit që hedh një hap gjigand drejt rikthimit në Europë ndërsa Napoli i jep një herë e mirë lamtumirë me këtë humbje vendit të dytë në renditje dhe me shumë gjasa në Champions këtë verë do të provojë të hyjë nga faza e play-off.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat