Bekele triumfon në maratonën e Parisit

Sporti

Bekele triumfon në maratonën e Parisit

Më: 6 prill 2014 Në ora: 19:00

Që të gjithë e njohim atletin Kenenisa Bekele si mbajtësin e rekordeve botërore si në 5.000 ashtu edhe 10.000 metra, madje 31-vjeçari etiopian është njëkohësisht mbajtës i këtyre rekordeve edhe përsa i përket Lojërave Olimpike, sidoqoftë asnjëherë nuk e kishim parë këtë sportist që të provonte veten në garën e maratonës. Në garën më të gjatë dhe më sfilitëse të atletikës Kenenisa Bekele bëri një debutim ëndrrash. Siç ka deklaruar edhe vetë ëndrra e tij më e guximshme është thyerja e rekordit botëror të kësaj disipline, gjithsesi dita e mirë duket që në mëngjes dhe debutimi i tij në maratonën e Parisit është vërtet i shkëlqyer. Tre herë kampioni olimpik jo vetëm që fitoi garën por njëkohësisht u fut në librat e rekordeve të maratonës, duke u bërë debutuesi me kohën e gjashtë më të mirë të të gjitha kohërave. Edicioni i 38 i maratonës pariziene nisi në Champs Elysees me plot 42.000 pjesëmarrës dhe u kuptua që në fillim se Bekele do të ishte mes protagonistëve. Sportisti etiopian ishte pjesë e 16 atletëve që u shkëputën që pas kilometrave të para, ndërkaq kur ishin përshkuar 15 km grupi kryesues u reduktua në 12.

Në vazhdim i vetmi që mbajti të njëjtin ritëm me të ishte Silas Kipruto, megjithatë në kilometrin e 25 atleti kenian humbi terren dhe filloi të ndjejë lodhjen duke i hapur rrugë kështu drejt suksesit 31-vjeçarit etiopian. Natyrisht të garosh i vetëm në kategorinë e maratonës nuk është kurrë e lehtë dhe 8 kilometra para fundit edhe Kenenisa Bekele vuajti pasojat e lodhjes dhe u përball me problemet e ngërçit, tipike për një disiplinë të tillë, sidoqoftë avantazhi i tij ishte plot 45” dhe falë kësaj epërsie Bekele ia doli mbanë për të administruar më së miri fuqitë e mbetura. Përfundimisht atleti etiopian kaloi vijën e finishit me kohën 2h05’03” duke përmirësuar njëherësh me 9” edhe rekordin e Maratonës së Parisit që ishte vendosur dy vjet më parë nga keniani Stanley Biwott. Në vendin e dytë me 106” diferencë u rendit etiopiani tjetër Limenih Getachew, ndërsa me radhë prapa tij u pozicionuan kenianët Kanda, Kwambai, Limo, Kipketer dhe Kigen, me pesë të parët që fiksuan kohët e tyre më të mira në karrierë. Koha e Kenenisa Bekeles është gjithashtu edhe koha më e shpejtë në debutim nga një sportist me moshë mbi të tridhjetat.

Bekele i cili për herë të fundit ka fituar një trofe të rëndësishëm në Botërorin e Berlinit pesë vjet më parë ka vuajtur vazhdimisht dëmtime të shumta gjatë viteve të fundit, gjithsesi dorashka është hedhur dhe sfida mes tij dhe rivalit më të egër Mo Farah tashmë ka fillua, pasi atleti britanik do të bëjë edhe ai debutimin javën e ardhshme, në Maratonën e Londrës. Te femrat lavdia shkoi për favoriten absolute, kenianen Flomena Cheyech që përmirësoi me afërsisht 2’ rekordin e saj personal, të fiksuar vitin e kaluar në Maratonën e Vjenës. Pothuajse 4’ pas saj kaloi vijën e finishit etiopiania Yebrqual Melese, ndërsa podiumi u kompletua nga bashkëkombësja e saj Zemzem Ahmed.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat