Rita Zeqiri e Lum Zhaveli më të mirët e vitit në not

Sporti

Rita Zeqiri e Lum Zhaveli më të mirët e vitit në not

Më: 6 janar 2014 Në ora: 17:51

Anëtarët e klubit “Step” nga Prishtina, Rita Zeqiri dhe Lum Zhaveli janë shpallur notarët më të mirë edhe për vitin 2013, në një ceremoni që u organizua, të hënën, nga Federata e Notit e Kosovës. Rita Zeqiri, e cila e fitoi këtë çmim për herë të katërt radhazi, la pas vetes Flaka Pruthin (Nemo Op), Melisa Zhdrellën (Scan Color) dhe Vlera Llaloshin (Prishtina).

Rita në vitin e kaluar doli kampione e Kosovës në 10 disiplina në kategorinë e sendoreve, derisa ishte fituese e 21 medaljeve në garat ndërkombëtare, prej të cilave 10 të arta. “Jam shumë e lumtur që sërish u zgjodha më e mira e vitit. Kjo është hera e katërt radhazi që e fitoi këtë çmim dhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen që të kem paraqitje edhe më të mira. Sukseset e mia vijnë falë punës së madhe”, ka theksuar Rita Zeqiri. Ndërkohë, Lum Zhaveli la pas vetes Fatlum Halimin (Orllani), Gëzim Helshanin (Besa), Meriton Veliun (Scan Color) dhe Ardit Devajën (Prishtina). Lumi gjatë vitit 2013 ishte kampion absolut në kategorinë e seniorëve, derisa theu edhe disa rekorde të Kosovës. Ai fitoi katër medalje ndërkombëtare, prej të cilave dy të arta. Shpresat e notit këtë vit u shpallën: Eda Zeqiri (Step), Sara Ymeri (Prishtina), Elena Hasani (Mitrovica), Ardit Hyseini (Scan Color), Ideal Buzhala (Besa), Dasar Xhambazi (Nemo Op). Punëtori më i mirë sportiv u shpall Lulzim Zhdrella, trajneri më i mirë Astrit Haliti (Step), derisa klubi më i mirë “Step” nga Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat