Bjellorusia i prish punë Shqipërisë U-19

Sporti

Bjellorusia i prish punë Shqipërisë U-19

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 20:46

Kombëtarja e Shqipërisë deri në 19 vjeç ka humbur në takimin më të rëndësishme kundër Bjellorusisë, duke dështuar në objektivin për të kualifikuar për në elitë round. Skuadra e drejtuar nga Foto Strakosha, vinte në këtë takim me moralin e lartë të një fitoreje spektakolare kundër Belgjikës, por edhe me një mungesë të rëndësishme si ajo e Kabashit. 45 minutat e para janë mbyllur në barazim 0:0, por lajmet për një fitore të Belgjikës ndaj Italisë, detyronin kuqezinjtë tanë të kërkonin detyrimisht fitoren. Kjo ngarkesë psikologjike ka pasuar një fraksion të dytë loje me disa gabime, që kulmojnë me një 11m të shkaktuar në minutën e 61 dhe të kthyer në gol nga Belyavski. Një dritë shprese vjen pas 7 minutash kur Karpovich largohet nme karton të kuq, por goli kërkohet në mënyrë të gabuar dhe hapësirat e lëna në prapavijë shfrytëzohen nga kundërshtari, që në minutën e 76 do të dyfisojë rezultatin me Komarov.
Në rezultatin 0:2 ndeshja duket e pashpresë, madje do të mbetet e tillë edhe kur miqtë mbeten me 9 lojtarë pas një tjetër kartoni të kuq, për Shestilovski. Pavarësisht se deri në fund janë edhe 15 minuta për të luajtur epërsia e krijuar nuk shfrytëzohet dhe rezultati final fiksohet në shifrat Shqipëria 0 dhe Bjellorusia 2, që gjithsesi nuk u mjaftoi miqve për të kualifikuar pasi rezultati në takimin tjetër Belgjikë-Itali 2-1 i kalon të dyja ekipet për në elite round. Ndërkohë humbja e kuqezinjve tanë në këtë ndeshje mund të konsiderohet një dështim, por në të tilla nivele nuk është rezultati primar, por evidentimi i lojtarëve që mund të na shërbejnë në të ardhmen dhe realisht në skuadrën e drejtuar nga Strakosha kishte të paktën 3-4 futbollistë që me shumë mundësi do të na përfaqësojnë së shpejti në kombëtaren A.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat