Shaqiri me mendje te Kosova

Sporti

Shaqiri me mendje te Kosova

Nga: Alban Lumi Më: 12 tetor 2012 Në ora: 14:13

Futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri, edhe pse aktivizohet me përfaqësuesen e Zvicrës dhe është bërë pjesë e gjigantit gjerman, Bayern Munchen, në asnjë moment nuk e harron vendlindjen e tij. Ai së fundi ka thënë se e shqetëson fakti që futbolli i Kosovës ende ka mbetur i izoluar.

Shaqiri ka thënë se futbollin e Kosovës e pret një rrugë të gjatë deri në thyerjen izolimit “Kosova e ka një rrugë të gjatë para saj derisa të ketë kombëtaren e futbollit. Unë shpresoj që kjo të ndodhë, për këtë arsye edhe kam nënshkruar që Kosova së shpejti të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore”, ka thënë Shaqiri, në një intervistë për Berner Zeitung. Megjithatë Shaqiri nuk është prononcuar nëse do ta linte Zvicrën për Kosovën . “Është e qartë se unë jam i preokupuar me këtë temë. Por, unë luaj për Zvicrën dhe ndjehem shumë mirë në përfaqësuesen zvicerane. Ndërkaq, rrënjët e mia janë në Kosovë dhe ato nuk do t`i harroj kurrë”, ka theksuar ai. Më pas Shaqiri tregon edhe detaje se si e admirojnë bashkëkombësit e tij. “Njerëzit atje më duan. Ata janë jashtëzakonisht krenarë që njëri nga ata luan për Bayernin. Së fundmi, gjatë verës së kaluar, kur isha në Kosovë, më është dashur të fshihem, me syze dielli, me kapele etj. Vetëm në aeroplan më njohën”, ka theksuar “Xhuxhi Magjik”, i cili ëhstë i lindur në Zhegër të Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat