Shtyhet përsëri seanca për vrasjen e drejtorit të Arsimit të Prishtinës

Prishtina

Shtyhet përsëri seanca për vrasjen e drejtorit të Arsimit të Prishtinës

Më: 7 korrik 2016 Në ora: 20:31
Seanca

Si para një muaji është shtyrë edhe sot seanca e gjykimit për vrasjen e Remzi Salihut, ish-drejtorit të Arsimit në Prishtinë.

Mungesa e avokatit Haxhi Millaku mbrojtës i të akuzuarit për këtë vrasje Gani Sahiti ka ndikuar që të shtyhet seanca.

“Avokati Haxhi Millaku sot paradite i ka dorëzuar gjykatës kërkesën për shtyrjen e seancës gjyqësore me arsyetimin se është i angazhuar në çështje penale për krime lufte më Gjykatën Themelore në Mitrovicë,” tregoi kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Këtë arsyetim të avokatit Beqir Kalludra e vlerësoi barbar.

“Ky është një arsyetim barbar dhe si ky mbrojtës, e po ashtu edhe mbrojtësit tjerë, çfarëdo arsyetimi duhet ta dërgojnë më herët. Seanca ka qenë e caktuar në bashkëpunim me të gjithë edhe më atë avokat, ” tha gjyqtari Kalludra.

Pas kësaj gjyqtari e pyeti të akuzuarin Gani Sahiti se a dëshiron ta ketë ende avokat Haxhi Millakun dhe kur Sahiti e pohoi dëshirën për të vazhduar të mbrohet nga Millaku, gjyqtari Kalludra paralajmëroi se nëse Millaku nuk vjen as në seancën e ardhshme, Gani Sahitit do t’i caktohet një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Kalludra në fund shprehu keqardhje për palët tjera të cilit ishin të pranishme në seancë.

“Moralisht ndjej keqardhje nga palët që vijnë dhe kthehen në mungesë të palës tjetër, unë ju siguroj që seanca e radhës nuk do të shtyhet,” tha në fund gjyqtari.

Edhe seanca e kaluar e këtij gjykimi e zhvilluar më 6 qershor u shty atëherë për mungesë të prokurorit.

Seanca e radhës e gjykimit për vrasjen e ish-drejtorit të arsimit Remzi Salihu u caktua më 2 shtator.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Për veprën penale për të cilën akuzohet, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës  në qershorin e vitit 2013 qe dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat