Shkëndija mobilizohet, pretendon fitore kundër polakëve

Futboll

Shkëndija mobilizohet, pretendon fitore kundër polakëve

Nga: Kemajl Goca Më: 29 qershor 2016 Në ora: 11:49
KF Shkëndija

Të enjten (nesër) fillojnë garat eliminatore në Europa League në futboll. Tri skuadrat shqiptare, Shkëndija e Tetovës, Kukësi, Teuta e Durrësit janë mobilizuar për fitore. Shkëndija në Shkup do të ndeshet (në orën 21.00) me FC Cracovia nga Polonia, kurse Kukësi (19.00) sfidohet nga Rudari i Plevlës nga Mali i Zi dhe Teuta përballet (20.00) me K. Almatyn nga Kazakistani. Shkëndija ka ekip të fortë dhe pretendon fitore në takimin e parë. Në taborin kuqezi gjithçka është gati për sfidën që do të luhet në stadiumin ‘Philip II Arena’ në Shkup, ku pritet të jetë një numër i madh i shikuesve sidomos tifozëve “Ballistët”. Zëdhënësi i FC Shkëndijës, Faton Zylbehari shprehet për gazetën kombëtare ‘Bota sot’ se është një atmosferë e shkëlqyeshme dhe organizimi po shkon siç është më së miri. “Gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe ne si klub kemi marrë gjithë masat e nevojshme për të organizuar në mënyrën më të mirë këto ndeshje. Më duhet të them se tani më kemi përvojë të konsiderueshme në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe nuk është diçka e re për ne, pasi tre vite me radhë jemi në Kupat Evropiane. Prej kur kompania ‘Ecolog’ sponsorizon klubin ne tentojmë që edhe ndeshjet e kampionatit vendor t’i organizojmë në nivel sa më të lartë dhe kjo bën që secili të jetë i gatshëm për detyrat e tij dhe të njëjtat t’i realizojë me përpikëri. Sa i përket ndeshjes në fjalë deri tani gjithçka shkon si duhet, biletat veç më janë në shitje, plani është gati, Cracovia-s i kemi organizuar gjithçka që hyn në detyrimin tonë dhe të gatshëm presim takimin. Urojmë që edhe ekipi të bëjë punën si duhet dhe në fund gjithë ky angazhim të kurorëzohet me sukses”, thotë Zylbehari. Shënuesi më i mirë i në Maqedoni, Besart Ibraimi, është optimist se do të ia dalin ndaj ekipi polak. Besart, sa keni njohuri për rivalin? “Normal se besoj që do t’ia dalim të shënojmë sukses përballë ekipit kualitativ të Cracovia-s. Fillimisht nuk është se kishim ndonjë njohuri për rivalin që na ra në short, mirëpo kemi punuar dhe kemi grumbulluar informata të mjaftueshme. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, bëhet fjalë për kundërshtar shumë kualitativ, mirëpo ne besojmë në potencialin tonë dhe mendoj se kemi kapacitet t’ia dalim me sukses për të gëzuar tifozerinë tonë”, tha Ibraimi. A mendoni se Shkëndija është më e mirë se në edicionin e kaluar kur fati sportiv ia ktheu shpinën dhe qe eliminuar nga Abeerden i Skocisë? “Kujtoj se sezonin e kaluar para ndeshjes së parë me Abeerden-in unë kisha një javë që isha bashkuar me skuadrën, ndërsa Ferhan Hasani vetëm tre ditë. Nuk kishim luajtur bashkë as një ndeshje kontrolluese dhe kishim realizuar vetëm disa seanca stërvitore. Tani ne kemi pas vetes një sezon dhe besoj se këtu jemi në përparësi në krahasim me vitin e kaluar. Atëherë u eliminuam pa fat dhe pa disfatë nga Aberdeen, ndërsa shpresoj tani fati të jetë në anën tonë. Normal çdo ndeshje dallon nga tjetra dhe ne duhet të dalim me përqendrim maksimal për të nxjerrë më të mirën nga vetja. Uroj kjo të jetë e mjaftueshme të kalojmë Cracovia-n”, përgjigjet Ibraimi. Zylbehari thotë se tifozët ‘Ballistët’ do të jenë lojtari i 12-të i klubit kuqezi. “Po, sigurisht se do të ketë, ata janë lojtari i 12-të i Shkëndijës dhe si gjithmonë do të jenë aty ku është skuadra. Në shërbim të publikut do të jetë vetëm tribuna jugore që ka kapacitet prej 13.000 vendeve, ndërsa një bllok me kapacitet prej 1.200 ulëseve është caktuar për grupin e tifozëve ‘Ballistët’. Mbështetja e tyre është forcë e madhe për skuadrën dhe nuk kemi dyshim se prania e tyre do i japë forcë ekipit. Për ndryshe nga skuadra e Cracovia-s na kanë njoftuar për praninë e një numri prej 500 tifozëve polak që do të udhëtojnë drejt Shkupit. Për ndryshe ne si klub presim mbështetje të madhe edhe nga pjesa tjetër e publikut që njëjtë si ‘Ballistët’ vazhdimisht janë në përkrahje të ekipit. Suksesi eventual do të jetë dedikim për ta”, ka thënë Zylbehari.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat