Daja: Ndaj Teutës, për të shkurtuar diferencën

Zgjedhjet 2013

Daja: Ndaj Teutës, për të shkurtuar diferencën

Më: 28 prill 2016 Në ora: 14:00

Kalendari i Tiranës në këtë fund sezoni është i ngjeshur dhe pavarësisht humbjes me Skënderbeun, gara për të zënë vendin e 3-të është ende e hapur. Bardheblutë në 5 javët e mbetura do të kenë përballjet direkte me rivalët, duke nisur që nga kjo fundjavë, kur do të udhëtojnë në “Niko Dovana” për të sfiduar Teutën dhe shkurtuar diferencën me ta. Në këtë 90 minutësh, 24 herë kampionët shkojnë me probleme të mëdha përsa i përket ndërtimit të formacionit, një situatë jo e panjohur për trajnerin Ilir Daja.

“Është një ndeshje e vështirë, pasi Teutën e kemi rival direkt për arritjen e objektivave. E përdorim shpesh shprehjen që nuk kemi kontigjent të plotë, por do shkojmë për të marë 3 pikët dhe të rikuperojmë në klasifikim, në mënyrë që të kemi shanse për arritjen e objektivave”.

Statistikat e përballjeve direkte flasin në favor të Tiranës, megjithatë Daja është i bindur që këto janë vetëm numra, dhe nuk vlejnë për të fituar ndeshjet apo për të shkurtuar diferencën, raporton supersport.

“Statistikat mund të merren si referencë, por nuk vlejnë në ndeshje. Shkojmë duke vuajtur por me synimin për të fituar. Është ndeshje direkte që vlen më shumë sesa 3 pikët. Diferenca është e madhe por nëse bëjmë maksimumin mund të rikuperojmë.”

Në këtë moment të sezonit tifozët bardheblu kanë kthyer vëmendjen tek derbi i mesjavës së ardhshme, në të cilën kërkohet fitorja. Në sfidën ndaj Teutës janë 4 futbollistë të Tiranës që rrezikojnë të humbasin derbin nëse ndëshkohen me karton të verdhë. Trajneri Ilir Daja ka një propozim edhe për një situatë të tillë për t’u aplikuar sezonin e ardhshëm.

“Do të bëjmë një kërkesë për ndryshimin e rregullores, në mënyrë që kush plotëson numrin 3 të kartonave të verdhë të ketë mundësi zgjedhjeje për ta shlyer në një ndeshje të caktuar brenda të njëjtës fazë. Ndërkohë futbollistët i kam këshilluar të mos meren me arbitrat”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat