Një sfidë direkte për zonën europiane mes Kukësit dhe Teutës

Zgjedhjet 2013

Një sfidë direkte për zonën europiane mes Kukësit dhe Teutës

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 12:29

Pesë ndeshje në të njëjtën ditë, 4 në orën 13:00 dhe e fundit në 16:00. E shtuna ndizet me ndeshjet e javës së 21-të të kategorisë superiore.

Në pritje të përfundimit të punimeve në Loro Borici, Vllaznia do të vijojë t’i zhvillojë ndeshjet brenda në “Reshit Rusi”. Këtë fundjave kuqeblutë do të presin Partizanin, skuadër që u ka marrë pikë të plotë në dy fazat e para. Humbja e një jave më parë me Teutën në “Niko Dovana” e ka rritur presion në kampin shkodran, por nuk janë më të qetë as te Partizani, që dështoi të merrte fitoren me Flamurtarin edhe pse luajti për shumë minuta me superioritet numerik. Trajneri Agostinelli duhet të bëjë llogaritë me dëmtimet e shumta, pasi vetëm në momentet e fundit mund të vendosë për aktivizimin e Mazrekajt, Vilës, Fazliut dhe Kalarit.

Kampionët e Skënderbeut, po në orën 13:00 do të kenë një transfertë relativisht të lehtë me Tërbunin në Pukë. Në “Ismail Xhemali” vështirë se vendasit do të mund ta përballojnë presionin e formacionit të Josës, që i rikthehet Lilaj dhe Shkëmbi. Me dyshen sulmuese Salihi-James, Skënderbeu po kthehet i frikshëm në kampionat, pas një periudhë luhajtjeje për shkak të largimit të Berishës dhe Olaynkas.

Pas dy fitoreve në transnsfertë më Tërbunin dhe Laçin, Tirana rikthehet në shtëpi, ku do të presë Bylisin e ndryshuar gjatë merkatos së janarit dhe me ambicie për të siguruar mbijetesën. Trajneri Daja nuk do të ketë në dispozicion 5 lojtarë, Kërçikun, Vucajn dhe Bulkun, të dëmtuar dhe Karan e Bakaj te pezulluar, mbetet për t’u parë edhe gjendja e Gentian Muçës, mungesa e mundshme e të cilit mund ta detyrojë trajnerin të aktivizojë Gërcaliun në qendërtë mbrojtjes. Ballshiotët do të tentojnë t’i befasojnë bardheblutë së në ndeshjen e fazës së parë, ku arritën t’u merrnin një pikë në “Qemal Stafa”

Në “Zeqir Ymeri” luhet një sfidë direkte për zonën europiane mes Kukësit dhe Teutës. Në të njëjtin impiant mesjavën e ardhshme do të zhvillohet ndeshja e kthimit e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Të dyja skuadra ndahen me vetëm 2 pikë në renditje, çka e bën edhe më të nxehtë këtë duel.

Java e 21-të e Superiores do të ulë siparin me ndeshjen e orës 16:00 Flamurtari – Laçi, me ekipin vlonjat që pritet të konfirmojë formën mjaft të mirë që ka shfaqur në ndeshjet e para të 2016-ës, pavarësisht humbjes në Kupë me Tiranën. Laçi, ndjeshëm i dobësuar nga largimi i James, e ka të qartë se zonën europiane do të mund ta arrijë më lehtë nëpërmjet Kupës, ndaj nuk pritet të sakrifikojë shumë në këtë transfertë të vështirë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat