Nico Rosberg konfirmohet piloti më në formë i momentit në Formula 1. Gjermani i Mercedes regjistroi kohën më të shpejtë në testet e dyta të lira të Abu Dhabit me kohën 1 minutë, 41 sekonda e 983 të mijtat duke lënë pas shokun e skuadrës, Lewis Hamilton me rreth 2 të dhjetat më shumë. Kohën e tretë më të mirë e regjistroi Sergio Perez me Force India, i ndjekur nga Daniel Ricciardo, Sebastian Vettel, Danil Kvyat dhe Kimi Raikkonen. Koha e testeve të dyta e regjistruar nga Rosberg i përgjigjet xhiros më të shpejtë të Hamilton në sesionin e parë. Provat e lira të garës së fundit sezonale treguan edhe një herë se Mercedes mbetet skuadra më në formë e kampionatit dhe të dielën në pistë do të kërkojë fitoren e radhës me njërin prej pilotëve, ndërsa Ferrari ka hequr dorë përfundimisht nga llogaritë e këtij sezoni, duke nisur të mendojë për vitin 2016.
Që prej garës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sebastian Vettel ka vendosur të testojë motorin e ri me të cilin Ferrari do të konkurrojë sezonin e ardhshëm. Në krahun tjetër, Red Bull jep shenja pozitive duke konfirmuar se në skuadrën austriake nuk e kanë humbur besimin te njëvendëshja e tyre, pavarësisht sezonit jo shumë pozitiv, kjo për shkak edhe të problemeve të shumta me motorin Renault që nuk arrin të shfaqet në nivelet e viteve të shkuara.