Koha shtesë ia siguroi fitoren Shqipërisë

Zgjedhjet 2013

Koha shtesë ia siguroi fitoren Shqipërisë

Nga: Kemajl Goca, BOTA SOT Më: 17 shkurt 2010 Në ora: 17:22

Në stadiumin e qytetit në Prishtinë, në praninë e 10 mijë shikuesve, për nder të dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u zhvillua ndeshja miqësore midis futbollistëve të përzgjedhjes së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Ndeshja u mbyll me rezultat 3:2 në dobi të Shqipërisë. Shqipëria në ndeshjen e të mërkurës luajti më një formacion të përtërirë kryesisht futbollistë të gjeneratës U-19, ndërsa në radhët e Kosovës luajtën përveç futbollistëve të Kosovës, edhe disa tjerë që luajnë në skuadrat evropiane. Të dy ekipet me mund të madh zhvilluan aksione për shkak të fushës së vështirë e cila ishte. Megjithatë, të parët në epërsi kaluan futbollistët e Shqipërisë, pas harkimit të Elis Bakajt në zonën e rreptësisë më së miri u gjend Ditmar Bicaj, i cili me kokë godet topin dhe e dërgon në anën e djathtë të portës së portierit Kushtrim Mushica. Pas golit të epërsisë, iniciativa e lehtë kalojë në anën e Kosovës, të cilët më vështirësi mjaft të madhe zbatonin aksionet sepse vërehej mungesa e përgatitjes fizike. Megjithatë në minutën e 19-të, pas një tollovie pranë portës së portierit Ilion Lika, në pronësi të topit erdhi Shpëtim Hasani, i cili u gjend më së miri dhe shënoi dhe barazoi rezultatin 1:1. Futbollistët mysafirë ishin në lojë kolektive më të përgatitur se Kosova, vërehej se një kohë të gjatë ky formacion luan së bashku dhe pikërisht në saje të një loje të këtillë në minutën e 30-të pas një kombinimit të bukur në zonë të rrezikshme në zotërim të topit Gjegj Muzaka, i cili u pengua në mënyrë të palejueshme nga mbrojtësi Gjeraj, dhe gjyqtari Përparim Hasani më të drejtë akordoi penallti në dobi të Shqipërisë. I saktë në gjuajtje nga 11-metërshi ishte pikërisht Muzaka, i cili ngrit rezultatin në 2:1. Më këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e ndeshjes. Në pjesën e dytë Kosova përkundër dëshirës që të bëjnë diç më tepër vërehej mungesa e përgatitjes fizike. Mirëpo, reparti i sulmit ishte më i angazhuar se në pjesën e parë. Në saje të këtij angazhimit në minutën e 74-të u shënua goli më i bukur në këtë ndeshje. Dukagjin Gashi nga një distancë rreth 30 metra me gjuajtje të saktë dhe të furishme shënon dhe barazon me 2:2. Deri në fund të takimit patë edhe disa raste për shënim, si nga ana e Shqipërisë ashtu edhe nga ana e Kosovës. Dhe kur pritej që kjo ndeshje të mbyllet pa fitues, në minutën e dytë të lojës së shtesë, pasi që kishin kaluar 90 minutat e parapara, Bala ia doli të shënoi golin e fitores. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Josip Kuzhe, deklaroi: “Përkundër terrenit shumë të vështirë për lojë mendoj se ka qenë një lojë e kënaqshme nga ana e të dy palëve dhe mendoj se të dy ekipet u munduan që këtë festë ta shënojmë me një lojë tipike miqësore. Rezultati në takime të këtilla nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë”. Albert Bunjaki, përzgjedhës i Kosovës, tha: “Më rëndësi është që Kosova pikërisht ditën e Pavarësisë që zhvilloi lojë. Rezultati nuk ka qenë në plan të parë, fusha siç e keni parë ishte e vështirë, por jam i kënaqur me lojën që bënë futbollistët, mirëpo vërehej se mungon njohuria e futbollistëve brenda për brenda gjatë zhvillimit të ndeshjes. Në të ardhmen premtoj më tepër”.

B O X 1

Kosova-Shqipëria 2:3 (1:2)

Stadiumi i qytetit, Prishtinë.

Shikues: 10.000.

Gjyqtarë: P. Hasani, S. Berisha, Z. Miranaj.

Shënues: Hasani (19’), Gashi (74’) për Ksoovën dhe Bicaj (4’), Muzaka (74’-nga penalltia), Bala (90+l2’) për Shqipërinë.

K.V: Lila (Shqipëria).

Kosova: Mushica, Gjeraj, Hoxha, Maliqi, Papuqi, Kukaj, Nallbani, Raskaj, Gashi, Hasani dhe Zabërxha. Në pjesën e dytë luajtën: Bytyçi, Leci, Gashi, Duraku, Krasniqi, Zejnullahu, Sejdiu, Misini dhe Hyseni.

Shqipëria: Lika, Lila, Pisha, Bicaj, Veliu, Muça, Veliaj, Muzaka, Bakaj, Vila dhe Bala. Në pjesën e dytë luajtën: Moçka, Hoxha, Sefa, Cikaleshi, Roshi dhe Ferraj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat