KB Kastrioti – femrat merr mbështetje nga OESK-u

Zgjedhjet 2013

KB Kastrioti – femrat merr mbështetje nga OESK-u

Më: 29 maj 2015 Në ora: 10:59

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) edhe këtë vit e ka vazhduar bashkëpunimin me Organizatën e Pavarur për Edukim Sportiv në Kosovë (OESK) me qëllim të rritjes së interesimit të vajzave dhe djemve të rinj për të praktikuar sportin, në këtë rast basketbollin.

Ndihma që i është ofruar kësaj radhe FBK-së nga OESK-u është mbështetja për klubin e basketbollit Kastrioti nga Ferizaj në konkurrencën e femrave në kuadër të Projektit për masovizim dhe zhvillim të sportit ndër të rinj në Kosovë.

Bordi i OESK-ut e ka përzgjedhur KB Kastriotin – Femrat për ta përkrahur këtë vit duke marr parasysh punën e madhe që ky klub e bënë me vajza të reja dhe me minoritete. Krahas KB Kastrioti – Femrat, OESK-u në kuadër të këtij projekti i ka ndihmuar edhe 4 klube të tjera të sporteve të ndryshme.

Ky projekt do të zgjas 6 muaj dhe do të ketë karakter monitorues, ndërsa KB Kastrioti-Femrat nga OESK-u është përkrahur me shumën prej 1500,00 euro, e cila do t’i ndahet kësaj skuadre në dy pjesë.

Me këto të holla KB Kastrioti – Femrat do të ketë për obligim që të investojë në zhvillimin e klubit, nëpërmjet blerjes së pajisjeve sportive (vendosjen e logos së OESK-ut), organizimit të ndonjë turneu, apo gare tjetër, por edhe në kuadër të këtyre shpenzimeve do të ketë për detyrë të organizojë 1 seminar me temën ‘Fair Play’, i cili do të jetë i hapur edhe për klube të tjera, ndërsa do të ligjerojnë edukatorët e OESK-ut që janë të specializuar në këtë lëmi.
Me këtë rast është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet OESK-ut dhe KB Kastrioti – Femrat, ku janë precizuar në detaje obligimet e të gjitha palëve të përfshira në proces.

Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar nga kryetarja e Bordit të OESK-ut, Elvira Dushku dhe përfaqësuesja e KB Kastrioti – Femrat, Kimete Haliti.

Duhet theksuar se Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është anëtare e Organizatës së Pavarur për Edukim Sportiv në Kosovë (OESK) që nga themelimi i kësaj të fundit (viti 2011) dhe që nga ajo kohë bashkëpunimi i këtyre institucioneve është thelluar çdo herë e më shumë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat