Reagon Shoqëria Civile “Perspektiva”: Këshilli Nacional, jo profesional!

Lajme

Reagon Shoqëria Civile “Perspektiva”: Këshilli Nacional, jo profesional!

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 09:25
Foto ilustrim

Nuk është aspak e drejtë e ndershme, madje edhe korrekte të nënshkruash Marrëveshjen me Ministrinë e Arsimit të Serbisë, në emër të Këshillit Nacional, për sigurimin e teksteve mësimore, për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, a nga ana tjetër të kërkosh përkthyes e lektorë nga Shqipëria e Kosova.

Duhet të jemi të qartë dhe pa keqkuptime. Të gjitha subjektet politike dhe shoqëria civile, kanë marrë pjesë aktive në zgjedhjet e fundit për Këshillin Nacional, të administruar nga Serbia dhe të gjithë e dinë se me çfarë kompetencash vepron ai.

Politizimi ekstrem i organit më të lartë reprezentativ i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka bërë që drejtuesit e tij, t’i ngatërrojnë rolet dhe kompetencat. Këto fizkultura politike, në prag të vitit të ri shkollor, po i lënë nxënësit shqiptarë pa tekste mësimore.

Është qesharake, madje edhe cinike të kërkosh përkthyes e lektorë gjuhësor jashtë Luginës, kur nga ky rajon shquhen emra të dalluar në këto fusha edhe në Kosovë. Sa për ilustrim, po ua përkujtojmë se kryetar i përkthyesve nga gjuha serbe dhe anasjelltas në ish jugosllavi, ka qenë dr. Nebih Islami, nga Presheva.

Këshilli Nacional, mjerisht, nuk ka respekt ndaj intelektualëve të Luginës dhe zgjedhësve të tij. Ky mos-respekt, mos-përfillje, krejt në emër të një politizimi provincial, ka bërë që Këshilli Nacional, të veproj “paushall”, ashtu siç veprojnë komisionet e emëruara me militantë partiakë.

Po u ndalët pak të shikoni përbërjet e komisioneve të “ekspertëve” të Këshillit Nacional, në fushën e arsimit, kulturës, informimit, dygjuhësisë, simboleve kombëtare, e Komisionit për rini dhe shoqëri civile, të zë trishtimi dhe të jep të kuptosh se në ç’hall e në ç’nivel ka rënë ky institucion i lartë kombëtar në Luginë.

Ky Këshill Nacional me këtë përbërje, që ka aktualisht, nuk është i denjë të zhvilloj, përparoj dhe promovoj vlera kombëtare në fushat e parapara të këtij institucioni, por ka vetëm një aftësi se si t’i shpenzoj paratë e taksapaguesve, në emër të një patriotizmi me “bateria”, nga të cilat po u dhemb gjoksi, duke e rrahur në emër të një atdhedashurie false, thuhet në reagimin e Shoqërisë Civile “Perspektiva” në Bujanoc, të nënshkruar nga kryetari i saj Sevdail Hyseni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat