Shala: Ngasësit të respektojnë shenjat, tejkalimi i shpejtësisë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar

Peja

Shala: Ngasësit të respektojnë shenjat, tejkalimi i shpejtësisë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar

Më: 6 korrik 2016 Në ora: 09:21
Shaban Shala

Rastet e fundit, si ai në Rixhevë të Klinës, me një të vdekur dhe 11 të lënduar dhe raste të tjera, kanë bërë që të reagoi edhe drejtori i Policisë rajonale të Pejës, Shaban Shala.

Në një deklarim për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’, Shaban Shala – Drejtor i policisë rajonale të Pejës, ka lëshuar apelin zyrtar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, për respektim të shenjave të trafikut përderisa ka ftuar nivelet ministrore përkatëse dhe ato komunale për sinjalistikë të rrugëve ku po zhvillohen punime.

“Kemi shënuar rritje të aksidenteve me pasoja fatale, sidomos në rajonin e Pejës. Apelojmë tek ngasësit për kujdes të shtuar sidomos në këtë kohë kur kemi shtim të numrit të pjesëmarrësve në trafik, periudhë në të cilën kemi këtu edhe diasporën e nderuar. Policia rajonale e Pejës është këtu për të garantuar siguri në rrugët tona, por ftojmë drejtuesit në trafik të respektojnë shenjat, rregullat dhe udhëzimet e zyrtarëve të tonë. Po ashtu nivelet ministrore përkatëse dhe këto komunale, i ftojmë që të kryejnë sinjalistikën e nevojshme në rrugën në të cilat po zhvillohen punime”, tha Shala për Radio Dukagjinin.

Numri një i Policisë rajonale të Pejës, Shaban Shala, ka kujtuar ngasësit se policia pos apelit do të zbatojë edhe politikat ndëshkimore për të gjitha ata që thejnë rregullat e komunikacionit e për pasojë numri i aksidenteve po rritet.

“Ligji mbi komunikacionin është i qartë. Policia do të veprojë 24 orë në 7 ditë, për ata që thyejnë rregullat. Komanda e rajonit tonë, në këtë drejtim ka futur në zbatim edhe planin e koduar ‘Siguria e shtuar gjatë sezonit veror’, andaj ngasësit të kenë kujdes. Sidomos tejkalimi i shpejtësisë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi Shala.

Aksidentet në rritje gjatë këtyre ditëve janë shënuar në tërë vendin, me theks të veçantë në rrugët e rrafshit të dukagjinit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat