Molla Sula uron qytetarët mysliman të Maqedonisë me rastin e fillimit të muajit Ramazan

Maqedonia

Molla Sula uron qytetarët mysliman të Maqedonisë me rastin e fillimit të muajit Ramazan

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 18:28
Sulejman Rexhepi

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, ka dërguar një mesazh me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në të cilën i fton besimtarët të falënderojnë Allahun Fuqiplotë që ka bërë të mundur që sërish të presin Ramazanin, këtë muaj të agjërimit, të mëshirës dhe bereqetit.

“Shenja më e përkryer e së mirës është përulësia, reflektimi, devotshmëria! Shenja më dalluese e së keqes është lakmia, epshi, djallëzia. Përmes agjërimit pa dyshim që luftohen të gjitha shenjat dalluese të së keqes”, shkruan Rexhepi sipas të cilit agjërimi e nxit njeriun që të reflektojë mirë e mbarë, të angazhohet për të mirën dhe të bukurën, të veprojë ndershëm dhe besueshëm.

“Të dashur besimtarë! Muaji i Ramazanit është periudhë e shtimit të ibadeteve, të lutjeve, por edhe i reflektimeve mbi spastrimin e shpirtit, mbi gjetjen e rrugëdaljeve nga problemet e përditshme. Vetëm në këtë muaj, në momentin e reflektimeve, çuditërisht ndjehet një nevojë e zjarrtë për dituri, për arsimim, për edukim, për të qenë model i përhershëm i njeriut të mirë. Agjërimi, si veprim, është akt i mrekullueshëm, sepse bëhet për Zotin, sepse të bën të mirë, të butë, të dashur. Është i vështirë, por është një sprovë e këndshme, është i rëndë por është shumë i shpërblyer. Lumë ai që e pret këtë muaj të agjërimit”, shkruan mes tjerash kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, i cili ka ftuar besimtarët që këtë Muaj ta përmbushin vetëm me ibadete dhe me akte solidare.

 “Me lutje drejtuar Zotit të Madhërishëm që këtë Muaj ta kalojmë mirë e mbarë – ju qoftë për hajr të gjithëve ky Muaj i shenjtë. Mëshira, dashuria, bekimi i Zotit të Gjithë mëshirshëm qoftë mbi ne, mbi popullin tonë, mbi myslimanet dhe mbi gjithë njerëzimin. Paqja e këtij Muaji mbisundoftë përjetë”, thuhet në porosinë e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat