Fëmijët ushtarë, në kërkim të një jete të re

Speciale

Fëmijët ushtarë, në kërkim të një jete të re

Më: 28 prill 2016 Në ora: 22:38

Kolumbi – Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë ose FARC, gjithnjë e kanë mohuar se nuk rekrutojnë fëmijë. Në qendrat qeveritare të rehabilitimit nëpër Kolumbi, minorenët treguan histori të njëjta, ku ata rrëmbeheshin prej rebelëve nga shtëpitë e tyre. Ndërsa tani, FARC është pranë armëpushimit me qeverinë, ata kanë përpara një të ardhme për të cilën janë të papërgatitur

Melida ishte vetëm nëntë vjeçe kur rebelët kolumbianë e joshën atë për t’u larguar me ta, sepse do t’i jepnin ushqim, ndërsa po luante afër shtëpisë. Për shtatë vitet e ardhshme, ajo ishte pengu i tyre dhe u detyrua që të kthehej në një fëmijë ushtar.

Familja e saj mendoi se ajo kishte vdekur gjatë një beteje. Por pastaj Melida u kthye në fshatin e lindjes në moshën 16-vjeçare, duke mbajtur me vete një pistoletë dhe një granatë. Vetëm babai i saj e njohu, nga një shenjë e lindur në faqe.

Por një ditë më pas, ushtria rrethoi shtëpinë ku qëndronte, pasi u lajmërua nga një informator që kërkonte shpërblimin për kokën e saj.

“Unë zbulova se ai që më dorëzoi tek ushtria ishte im atë”, kujton ajo.

Autoritetet shtetërore kolumbiane janë duke vendosur armëpushim me rebelët vendas, duke i dhënë fund një konflikti, i cili zgjat prej gjysmë shekulli, një nga më të gjatët në histori.

Më shumë se 220 mijë njerëz janë vrarë si pasojë e përleshjeve, duke e lënë vendin të ndarë mes dy qëndrimeve, nëse rebelët duhet të luajnë ndonjë rol në shoqëri, kur ata të flakin armët apo jo.

E kjo përfshin me mijëra rebelë, të cilët janë rrëmbyer që fëmijë dhe se nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të luftojnë.

“Ka momente kur unë mendoj që të rikthehem te guerilasit, sepse kjo jetë këtu është mjaft e vështirë”, tha Melida, që ashtu si ushtarët e tjerë preferon të mos e tregojë mbiemrin, pasi i trembet hakmarrjes për të kaluarën e saj. Adoleshentja thotë se tani është e kapur në dy botë, e në të dyja ajo nuk e gjen shumë veten.

“Është e vërtetë. Ne kemi qenë fëmijë që prisnim se kur do të na vinte vdekja. Por unë po mendoj seriozisht që të rikthehem me guerilasit”, tha ajo.

Rebelët, të cilët njihen si Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), thonë se nuk rekrutojnë fëmijë. E prapë se prapë, gjatë një vizite të gazetarëve të “New York Times”-it në kampet e tyre, u panë rreth gjashtë minorenë nën 15 vjeç, të cilët ishin rekrutuar një muaj më parë.

Në qendrat e rehabilitimit, përgjatë Kolumbisë, adoleshentët treguan të njëjtat histori se si ata përfunduan te forcat rebele. Përballë tyre, tani është një e ardhme për të cilën ata nuk ndihen fare të përgatitur.

Fabio thotë se ai u rrëmbye nga FARC kur ishte nëntë vjeç. Kur u bë 13 vjeç, komandantët e nisën nëpër misione për të prerë fytet e ushtarëve të qeverisë, ndërsa ata flinin. Ai kujton se familja nuk u interesua fare kur u zhduk. “Ndoshta janë vrarë”, thotë 19-vjeçari.

Sipas aktivistit amerikan për të drejtat e njeriut, Adam Isacson, rreziku është i madh për këta të rinj. “Nëse programet e krijuara për t’i ndihmuar nuk arrijnë që t’i riintegrojnë këta ish-luftëtarë, atëherë grupet e trafikimit dhe ato paramilitare kolumbiane që janë mjaft të forta, mund të kthehen në një alternativë joshëse.”

Në kampin rebel, një prej komandantëve rebelë, Teófilo Panclasta, tha se fëmijët bashkohen me FARC-un për t’iu larguar telasheve në shtëpitë e tyre. “Nëse një vajzë që punon si prostitutë vjen te ne dhe kërkon të mos ta bëjë më këtë punë, çfarë t’i themi?”, arsyeton ai.

Melida kujton se rebelët e gënjyen atë, duke i thënë se kishin supë në varkë. Pasi e tërhoqën afër lumit, ajo u çua në varkë bashkë me fëmijë të tjerë të moshës 10 – 11-vjeçare. Leksioni i parë që mësoi ishte se si të fshiheshin në llogore, kur ushtria bombardonte. I ati i vajzës, Moises, ishte një mjek popullor i etnisë Cubeo, që rri në Amazonë. Ai kishte një muaj që kishte ikur nga fshati dhe u kthye shumë vonë, pasi rrëmbimi ndodhi. Kur mori vesh rrëmbimin, ai shkoi të takonte komandantin e FARC-ut, por ky i fundit i tha se vajza nuk ndodhej aty.

Rebelët ia ndryshuan emrin Melidës dhe e quajtën Marisol. Ajo mësoi si të bënte mina. Kur u kërkoi drejtuesve të kthehej në shtëpi, ata iu përgjigjën se një herë që bëhej pjesë e kampit, ajo nuk mund të largohej.

Ajo kujton një 20-vjeçar dhe të motrën e tij 14-vjeçare që tentuan të arratiseshin. Rebelët i gjetën buzë një lumi të zhytur në baltë dhe i vranë.

“Në fillim vëllai, pastaj e motra”, kujton ajo. “Mbaj mend që po i thosha vetes. Po, ata duhet që të vriten. Isha 12 vjeçe.”

Më pas, një komandant 40-vjeçar tregoi interes për të dhe midis tyre pati një lidhje. “Imagjinoni të çohesh në mëngjes me një njeri aq të vjetër, kur vetë je një fëmijë”, tregon ajo.

Pikërisht ai komandant i dha leje të ikte në fshat për të parë prindërit. Aty i ati e dorëzoi tek ushtria kolumbiane.

Pasi u mor në pyetje, ajo u çua në një qendër rehabilitimi. Aty shfaqi shenja nervozizmi dhe inati. Por aty njohu Javier-in, djalin e kuzhinieres, që ishte nëntë vjet më i madh se ajo. Të dy iknin vjedhurazi natën dhe shkonin në qytetin ngjitur, ku pinin dhe festonin.

I vëllai i tij, ushtar i vendit, u vra nga një snajper guerilas. Kurrë familja nuk i fali rebelët për këtë gjë. E këtë problem e kanë shumë familje në Kolumbi

Por të dy të rinjtë kuptuan se e dashuronin njëri-tjetrin.

“Përse duhej të ishe ajo? Një nga njerëzit që vranë tim vëlla”, thotë i riu.

Lidhja mes tyre u bë më e fortë dhe tani ajo ka një vajzë, Çelesten, e lindur vitin e kaluar.

Detyrat e nënës e konsumuan të renë ditë pas dite, por inati brenda saj ngeli.

“Ajo më ka thënë se është rritur për të luftuar, jo për t’u kujdesur apo për t’u bërë bashkëshorte. Shpeshherë më ka thënë se më do, por e ka të vështirë të jetojë kështu.”

Por ajo e kupton se nuk dëshironte të kthehej më te rebelët e FARC-ut, kur një grup prej tyre ndaloi autobusin ku ajo udhëtonte dhe nisën t’i merrnin të gjithë në pyetje. “Kujtova se më zbuluan e do të më merrnin apo ndëshkonin”, thotë ajo.

Pavarësisht kësaj, Melida e pranon se kjo jetë e tillë e mërzit dhe një zë i thotë të braktisë gjithçka. “Vetëm vajza më mban këtu”, përfundon ajo.



Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat