Shkëlqimi dhe rënia e miliarderes më të re në botë

Speciale

Shkëlqimi dhe rënia e miliarderes më të re në botë

Më: 28 prill 2016 Në ora: 00:26

Historia është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

Një ditë, një studente 19-vjeçare e Stanford-it, trokiti në zyrën e profesorit të saj për t’i thënë se do lërë studimet.

“Le të hapim një kompani,” tha Elizabeth Holmes dhe i paraqiti atij kërkesën për një patentë.

Bëhej fjalë për një teknologji revolucionare të analizave të gjakut, të cilën ajo e ka shpikur vetë.

Profesori, një inxhinieri kimist, Channing Robertson, mbetet i befasuar dhe premton se do jetë këshilltari i saj teknik.

“Për mua ishte e qartë se ajo mund të ishte Bill Gates ose Steve Jobs i ardhshëm,” do të thoshte më vonë ai për studenten e tij.

12 vite më vonë, kompania e Holmes, Theranos, sjell testin e gjakut, të ashtuquajtur Edison.

Me vetëm një pikë gjaku nga maja e gishtit, kompania premton se Edison do të bëjë një shqyrtim më preciz se metodat e mëparshme.

Një revolucion mjekësor, që premton diagnostikim më të shpejtë të sëmundjeve si AIDS apo hepatit.

Investitorët kanë hedhur 750 milionë dollarë në kompaninë Theranos, e cila së fundmi vlerësohet se vlen 9 miliardë dollarë.

Holmes, e cila vazhdon të ketë në zotërim më shumë se gjysmën e kompanisë, është miliarderja më e re e vetë-bërë në botë.

Biondja me sy blu zuri kopertinat e revistave Forbes dhe Fortune, ndërsa revista Time e zgjodhi mes njerëzve me më shumë ndikim në botë.

Por kur një histori është kaq e bukur për të qenë e vërtetë, zakonisht nuk është e tillë.

Sot, autoritetet e bursës dhe autoriteti i kontrollit të bursave në SHBA ka nisur hetimet ndaj kompanisë Theranos dhe themelueses së saj.

Ka dyshime se në kompani ka punuar personel i pakualifikuar, por ajo që është më e keqja, testi premtues i gjakut në fakt është thjesht një flluskë në ajër.

Dyshimet për efektivitetin e testit të gjakut Edison erdhën që tetorin e shkuar, kur ish-punonjësit e kompanisë hodhën akuza të forta në gazetën Wall Street Journal.

Sipas tyre, aparati Edison në fakt thjesht hollonte mostrat dhe i shqyrtonte me analizues konvencionalë të Siemens.

Testi i mrekullisë nuk ekziston.

Në atë kohë, Holmes i mohoi këto akuza, por presioni po rritej dita-ditës.

Walgreen, zinxhiri më i madh farmaceutik në SHBA, kërcënoi se do të ndalojë shitjen e produktit të Theranos.

Autoritetet mjekësore thonë se do të bllokojnë për dy vjet laboratorët në pronësi të Holmes.

Gjendja e këtyre laboratorëve është e tillë, sa paraqet rrezik të menjëhershëm për pacientët, shkruajnë kontrollorët në raport.

Kompania thotë se do të bashkëpunojë me autoritetet nga afër për të gjitha hetimet.

Por hetimet mund të jenë goditja vdekjeprurëse për kompaninë e miliardave.

Dhe fluturimi i Ikarusit për Elizabeth Holmes po shkon drejt fundit.

32-vjeçarja thotë e tronditur se i vjen keq që nuk i kishte pikasur më parë këto probleme.

Shumë mjekë dhe bio-teknologë pyesin veten me naivitet se si ka mundësi që shumë investitorë, mes tyre edhe multi-miliarderi Carlos Slim, kanë investuar në çdo premtim të vajzës së re.

Natyrisht investitorët e Silicon Valley rrezikojnë shumë me këto modele të paaudituara të biznesit.

Pas çdo historie suksesi si Google apo Facebook, nisin të shfaqen dhjetëra startup-e.

Por sërish, nëntë miliardë dollarë janë shumë, edhe për skenën entuziaste amerikane të investimeve në teknologjinë e re.

*Marrë me shkurtime nga Spiegel

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat