Kështu dukej Kalaja e Prizrenit në vitin 1928 (Foto)

Speciale

Kështu dukej Kalaja e Prizrenit në vitin 1928 (Foto)

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 07:11

Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit.
Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.

Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër në formë konike. Muret fortifikuese ndjekin izohipsat e terrenit në trajtë përafërsisht vezake me zgjatje në drejtimin veri-jug.

Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Shënimi më i vjetër që dihet është ai i kronistit bizantin Prokopi i Cezares në veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Në këtë vepër, në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo kala me emrin Petrizen, emër që i përket emrit të sotëm të Prizrenit.

Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane.

Një studim më voluminoz është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë. Gërmimet arkeologjike të bëra me 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezantohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depot, si dhe një varg objektesh në brendinë e saj.

Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend. Po ashtu për herë të parë këto gërmime dhanë gjurmë të arkitekturës dhe dëshmi të materialit të datueshëm në periudhën romake dhe antikën e vonë.

Gjatë periudhës Osmane, kalaja zgjerohet duke ndërtuar dhe përforcuar muret fortifikuese si dhe pasurohet me objekte të reja si hamami, xhamia, dhe objekte tjera për nevojat ushtarake.

Renovimi i saj i fundit i është bërë në dekadën e tretë të shek. XIX të, nga familja e borgjezëve vendas, Rotllajve. Kalaja e Prizrenit funksionin primar kreu deri më vitin 1912. Prej asaj kohe objekti lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të tij.

Në vitet 2008-2010 fillojnë disa punë restauruese-konservuese si masë emergjente në parandalimin e këtij procesi degradues. Kalaja e Prizrenit me pozitën e saj dominuese në qytet paraqet njërin prej monumenteve më të rëndësishme që tërheq vizitorët e Prizrenit.

Krahas vlerave të larta historike, arkitektonike, shkencore, ky lokalitet ka edhe vlerë të madhe ekonomike për zhvillim të turizmit kulturor.

Më poshtë mund ta shihni një pamje e Prizrenit, të realizuar në vitin 1928, ku shihet edhe kjo kala.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat