Kafshët e egra në cirk, së shpejti kujtim i së shkuarës

Speciale

Kafshët e egra në cirk, së shpejti kujtim i së shkuarës

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 08:32

Kush nuk mund të pohojë se në fëmijërinë e tij nuk ka qenë një herë në cirk, se nuk ka mbetur i mrekulluar nga shfaqja e kafshëve nën çadër, e sidomos nëse ka pasur rastin të shohë kafshë ekzotike, bisha “të zbutura” apo kafshë gjigante si elefanti, të cilave në mënyra të tjera as që mund t’u afrohesh.

E tendenca ka vijuar, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se Shqipëria vetë mund të mbetet tërësisht jashtë këtij diskutimi. Rëndom nëpër shfaqje trupash profesioniste në kontinent e përtej tij, mund të shohësh tigra, që kërcejnë mbi susta pranë elefantëve, që bëjnë si njerëz e vrapojnë në rreth, duke “përmbushur detyrën” që u ka dhënë tutori.

Për disa ata janë një burim i papërsëritshëm zbavitjeje, ndërsa për të tjerët ajo që u ndodh atyre s’është veçse një vuajtje e detyruar e shkaktuar nga humanët: e kështu kemi mbërritur në një pikë, kur tema “cirku“, duket se e ka ndarë më dysh opinionin publik në shumë qytete e rajone të Europës e më gjerë.

Shpresë për mbrojtësit e kafshëve

Mirëpo ka një tendencë, e cila sidomos i bën të shpresojnë të dashuruarit pas kafshëve. A është normale që kafshët e egra të vishen në mes të verës e të mbajnë edhe xhevahire, ndërsa në dimër në temperatura të ulëta, të rrinë në kafaze që i stresojnë dukshëm?

Dyseldorfi i është përgjigjur me një “Jo” kësaj pyetjeje. Nga sot e tutje, bashkia e këtij qyteti të famshëm gjerman, vendlindja e Hajnes, nuk do të verë në dispozicion të trupave të cirkut që vijnë për të dhënë shfaqje atje, e që në organikë kanë dhe kafshë të egra, asnjë sipërfaqe të administruar nga bashkia.

Një tendencë drejt ndalimit

E në këtë përqasje të kthyer në vendimmarrje publike, ata duket se nuk janë të vetëm: sipas seksionit gjerman të “Huffington Post” e disa mediave gjermane, janë tashmë më shumë se 30 bashki dhe komuna, e ndër to edhe Erdingen, Erlangen, Këlni dhe Hajdelbergu, të cilët nuk do lejojnë asnjë trupë të tillë cirku në zonat që ata administrojnë.

Mirëpo, kjo tendencë për shumicën e shoqatave të mbrojtjes së kafshëve, nuk është e mjaftueshme, sikurse ndodh edhe me shoqatën gjermane. Ata kanë kërkuar një ndalim në mbarë territorin e Republikës Federale, sikurse po ndodh prej kohësh, edhe pse pa zhurmë, në shumë shtete e qytete të tjera europiane, si në Austri, Holandë dhe madje edhe në fqinjin tonë, Greqi.

Zbutësit “tregojnë dhëmbët”

Por sigurisht se me këtë masë, nuk janë dakord të gjithë. Para së gjithash, profesionistët e fushës e madje edhe prindër të fëmijëve që në një dimension tjetër, sigurisht se i duan shumë kafshët: sindikata profesionale e trajnuesve të kafshëve të cirkut, ndërkaq ka ndërmarrë një iniciativë ligjore, duke e çuar vendimin në gjykatë, pasi sipas tyre, një vendim i tillë shkon në shkelje të lirisë apo të së drejtës për të ushtruar profesione.

Veç kësaj, ata e argumentojnë vendimin e tyre me sigurimin e standardeve të larta në kontrollin e kafshëve, të përdorura për qëllime të veçanta.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve, PETA, dokumenton megjithatë se pikërisht këto shkelje hasen në punën e tyre. Shumë të rënda, sipas tyre, janë sidomos mbajtja në kafaze dhe transporti i tyre, që shkelin direkt nevojat natyrore të kafshëve dhe në shumë lloje e specie çojnë madje në vdekshmëri të lartë e dëmtime të rënda të shëndetit të tyre.

Sikurse del edhe nga diskutimet apo rezultatet e sondazheve që kanë kryer për këtë problem ato shoqata dhe mediat, situata është problematike, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kanë aktivistët e këtyre shoqatave, ka pasur edhe doza ekzagjerimi.

Sidoqoftë, vendimi dhe argumentimi i drejtësisë do të jetë ai që do vendosë mbi të ardhmen e këtij vendimi. Fakt është se dy të tretat e gjermanëve për shembull, janë tashmë kundër mbajtjes së kafshëve të egra në ambientet e cirkut e shfrytëzimit të tyre për shfaqje, sikurse dilte nga një anketë e revistës së kanalit të dytë publik gjerman, ZDF, “Frontal 21“.

Por edhe këtu duhet bërë një dallim i qartë mes trajtimit e kushteve të strehimit e mbajtjes së kafshëve dhe asaj që shumë prindër të fëmijëve e cilësojnë si “e drejta për të zbavitur fëmijët e tyre” me një nga llojet e artit më të dashur për to, cirkun, pasi mungesa e kafshëve në cirk, do të ishte një handikap i madh për një trupë cirku, e cila nuk mund të mbështetet vetëm në numrat e akrobatëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat