Filozofia e Sartrit për martesën. Një model-ekzistencializmi emancipues?!

Speciale

Filozofia e Sartrit për martesën. Një model-ekzistencializmi emancipues?!

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:31

Zhan Pol Sartri dhe Simonë dë Bovuar, çifti i shkrimtarëve ka një rrezatim të jashtëzakonshëm në gjithë Europën: një burrë dhe një grua, që të dy autorë të suksesshëm, autoritete në çështjet e ndershmërisë intelektuale dhe të angazhimit politik, që të dy farkëtues të mendimeve të pranuara gjerësisht dhe, veç kësaj, të lidhur nëpërmjet një dashurie që nuk njollos tensionet e konkurrencës, xhelozisë dhe të luftës për sundim.

Përkundrazi, ata shfaqen të dashur dhe të qetë, solidarë në provë, nganjëherë me mendim të ndryshëm, por gjithmonë në ndjekje të të njëjtit qëllim.

Sigurisht, ata kanë kaluar kriza, kanë jetuar kohë të vështira gjatë futjes së një personi të tretë në çiftin e tyre, kanë njohur vuajtjet e ndarjes, dëshirat për të marrë arratinë dhe zemërimin, por të gjitha këto ngjarje dolën se qenë kalimtare dhe nuk ndikuan për ndonjë kohë të gjatë në lidhjen e tyre.

Kur Simona dhe Zhan Poli u njohën në vitin 1929 në universitet, ajo është njëzetenjë vjeçe dhe ai njëzetekatër. Ranë dakord që të qëndronin bashkë dy vjet, më pas do të shkëputeshin. Dëshirojnë me vetëdije të jetojnë të ndarë, jo për ta vënë në provë dashurinë e tyre, por për të shtuar mundësitë për të takuar dikë tjetër, për të bërë njohje të reja.

Por, para fundit të kësaj “kohe prove”, e dinë se i përkasin njëri-tjetrit. “Ti je për mua lidhja për të cilën kam nevojë”, - i thotë Zhan Poli shoqes së tij. Meqë nuk mendonte të hiqte dorë nga lidhjet e tij “rastësore”, i njeh Simonës të njëjtën liri si vetes dhe ajo e pranon. Ka shumë gjasa që qëndrueshmëria mes tyre qëndron në veçantinë e dy partnerëve që të mos imponohen nga një i tretë: kur ata nënshkruajnë marrëveshjen e tyre, betohen për ndershmëri dhe e kanë respektuar këtë betim.

Por ç’është ndershmëria? Kushdo që e kërkon me ngulm thotë se mban mbi vete të vërtetën. Po a është e mundur kjo pa gjendjen shpirtërore? Duke qenë që të dy filozofë, shkëmbimet që kanë bërë gjatë jetës së tyre, i pajisën më mirë për të menduar zgjidhje dhe vendosën të jetojnë në mënyrë rrënjësore ndershmërinë dhe eksperimentimin shoqëror.

Në fakt, ata arritën ta përfshijnë përvojën e jetës në filozofinë e tyre, ekzistencializmin - që vë para së gjithash lirinë e individit dhe lulëzimin e saj nga vetë ai. Kjo u lejoi të vendosnin lidhjen midis mendimit dhe jetës së përditshme, të cilat shkrihen, përsëri dhe sidomos, gjatë krizave.

Gjatë studimeve të tyre, ata kërkojnë së bashku të zbulojnë se ku qëndron liria e individit. Kujdesen për këtë liri, duke mos pranuar të martohen dhe të betohen bashkërisht për besnikëri seksuale, por edhe duke mos pranuar të jetojnë nën një çati dhe të kenë fëmijë. Ata nuk duan të dëgjojnë të flitet për çift, as edhe për jetë të përbashkët dhe iu drejtuan tërë jetën njëri-tjetrit me ju. Ata banojnë pranë njëri-tjetrit, në Paris. Diskutojnë së bashku për çdo gjë që është e rëndësishme për jetën e tyre sentimentale, për universin e mendimit dhe për punën e tyre. Po kështu, ata mbështesin njëri-tjetrin, të palëkundur, me këshilla dhe akte ndihme.

Të dy fillojnë karrierën e mësimdhënies, por ata duan të imponohen si shkrimtarë. Pas sukseseve të tyre të para në teatër dhe në librari - ai me dramën “Mizat”, ajo me romanin “E ftuara”, ata, më në fund, japin dorëheqjen nga mësimdhënia dhe i përkushtohen tërësisht të shkruarit.

Rezultat i përsiatjeve të saj do të jetë “Seksi i dytë”, që u pa si bibla e lëvizjes feministe dhe si një monument i historisë kulturore, e që e bëri Simonë dë Bovuarin të hynte në letërsinë botërore. Me “Qenia dhe Hiçi”, Zhan Pol Sartri formulon kredon e tij filozofike, ndërsa me “Idioti i familjes”, ai shpalos teorinë e tij letrare.

Vatra e këtij çifti shkrimtarësh dhe filozofësh është puna letrare, ndërsa fëmijët janë veprat e tyre.
Sartri dhe Simonë dë Bovuari janë që të dy ithtarë të një socializimi të pavarur. Në 1964, Sartri shkakton një skandal duke mos pranuar çmimin “Nobel” për letërsinë. Ai vdiq më 15 prill 1980. Simonë dë Bovuari ripërshkruan udhën e saj drejt emancipimit në një varg tekstesh autobiografike, ndër të cilët “Kujtimet e një vajze të re të rregullt”. Ajo vdiq më 4 prill 1986, në Paris.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat