Gjermania - vendi i shpresës

Speciale

Gjermania - vendi i shpresës

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 08:52

Gazeza "Bild" thotë se ka gjetur një dokument, sipas të cilit në Gjermani do të vijnë 1,5 milionë refugjatë. Kjo shpie ujë në mullirin e atyre, të cilët kërkojnë vendosjen e kufijve për ndihmën tonë, mendon Noami Conrad.

Ka fjali, në të cilat shprehet e gjithë përmasa e brutalitetit dhe e luftës në Siri. Fjali si këto: "Ose vdes macja, ose fëmija yt". Ai nuk ka dashur kurrë t'i vrasë macet ose qentë, më tregoi pak ditë më parë Ayham Ahmad, një refugjat nga Jarmuku. Por ai thjesht nuk kishte ushqim tjetër për fëmijët e tij: "Kështu që ti vret një mace, në mënyrë që fëmijët e tu të jetojnë". Pianisti është larguar një muaj më parë nga një kamp refugjatësh palestinezë në jug të Damaskut, i cili kontrollohet nga islamistët që prej disa muajsh. Atje mungonin të gjitha: ushqimi, medikamentet dhe para së gjithash shpresa.

Gjermania - vendi i shpresës

Dhe kështu Ahmadi mori rrugën për në Gjermani, në kërkim të një jete më të mirë. Shkurt: në kërkim të shpresës. Si ai, gjithnjë e më shumë sirianë të dëshpëruar, po edhe irakianë dhe afganë vijnë në Gjermani - në bazë të një "dokumenti sekret" me burim autoritetet gjermane, të cilin thotë se e ka gjetur gazeta bulevardeske "Bild", deri në fund të vitit në Gjermani do të vijnë rreth 1,5 milionë refugjatë. Pra shumë më tepër nga shifra zyrtare e qeverisë, e cila i përmbahet ende shifrës së 800.000 vetëve. Gazeta citon dokumentin, që thotë se "kërcënon kolapsi i sistemit të furnizimit" të refugjatëve, kontenjerë për banim dhe pajisje sanitare për strehimet e refugjatëve thuajse është e pamundur të gjesh më.
Qeveria gjermane kundërshtoi me shpejtësi: "Këtë dokument nuk e njeh asnjë njeri", tha të hënën zëvendëszëdhënësi i qeverisë. Prandaj ai nuk do ta vlerësonte kaq shumë. Edhe një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme u shpreh në mënyrë qetësuese: shifrat për shtatorin janë vërtet shumë të larta. Por nga përvoja, në dimër vërshimi i refugjatëve bie. Dhe shifrat ditore dhe javore në përgjithësi nuk mund t'i përllogaritësh paraprakisht.
Nuk është për t'u çuditur që qeveria e ul rëndësinë e shifrave: sepse në Gjermani po bie gjithnjë e më tepër euforia e fillimit për refugjatët që vijnë. Politikanët flasin tani gjithnjë e më shumë për "kufij maksimalë", për një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm, madje ka edhe zëra të veçuar që i vënë në pikëpyetje së drejtës bazë për azil.

Fund i euforisë

Ndoshta euforia e ditëve të kaluara ishte naive. Ndoshta ishte e pashmangshme, që një ditë euforia do t'i linte vendin realizmit: sepse strehimi i një numri shumë të madh refugjatësh, furnizimi i tyre me veshje, ushqim, një çati mbi kokë, integrimi i tyre për t'u dhënë atyre më vonë një punë - shkurt: mundësimi i një jete me dinjitet për ta, gjë që u mohohet atyre në atdhe - natyrisht që është një sforcim fizik. Një sforcim që kushton shumë - burime, energji dhe natyrisht para, që ndoshta mungojnë në këtë rast diku tjetër. Por për këtë na detyron Ligji ynë Themelor, edhe nëse ndërgjegjia nuk e luan më këtë rol tek disa: e drejta e azilit është e paprekshme dhe e tillë edhe duhet të mbetet. Në vend pra që të shpenzojmë kohë të panevojshme dhe energji me pyetjen, të japim apo jo azil, dhe nëse e japim, me cilat kufizime, më mirë të pyesim veten si mund ta bëjmë këtë pa ushqyer antipati dhe racizëm?
Por njëkohësisht duhet të marrë fund lufta e përgjakshme në Siri, së cilës politika i ka kushtuar për një kohë të gjatë vetëm pak vëmendje. Sepse në fund të fundit njerëzit, që kërkojnë azil sot, duan të kthehen në shtëpi. Po kjo do të jetë e mundur vetëm atëherë kur të mos bien më bomba, kur terroristët të mos sjellin shkatërrime dhe kur fëmijët të mos vdesin nga urija. Deri atëherë nuk duhet të ketë kufi maksimal për ndihmën tonë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat