Zbulohet misteri i mumjes që hap sytë (Video)

Speciale

Zbulohet misteri i mumjes që hap sytë (Video)

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 20:28

Rosalia Lombardo ishte vetëm dy vjeçe kur vdiq nga pneumonia në vitin 1920. Babai i dëshpëruar nga humbja e vajzës i kërkoi një balsamuesi të mumifikonte trupin e saj.

Balsamuesi Alfredo Salafia e kreu porosinë dhe që atëherë trupi i vogëlushes ruhet mes qindra mumjeve të tjera në katakombet e Sicilisë.

Rosalia ka fituar famë si një prej mumjeve të ruajtura më mirë në të gjithë botën. Por kjo nuk është gjithçka mund të thuhet rreth “bukuroshes së fjetur”. Çdo ditë, Rosalia duket sikur lëviz kapakët e syve, për të treguar sytë blu, një fenomen që askush nuk ka mundur ta shpjegojë deri tani.

Por në vitin 2009, një antropologjist dhe kurator i katakombeve “Capuchin”, Dario Piombino-Mascali, rrëzoi mitin e mumjes që hap sytë. “Është një iluzion optik, që vjen si pasojë e dritës që hyn nga dritaret anësore, e cila ndryshon gjatë ditës”, tha ai.

Ai tha se e kishte bërë këtë zbulim pasi mumja ishte lëvizur nga pozicioni i mëparshëm. “Sytë e saj nuk janë tërësisht të mbyllur. Në fakt nuk kanë qenë kurrë”, tha ai.

Enigmë tjetër lidhur me mumjen e vogëlushes është formula e përdorur për të ruajtur trupin e saj. Kur balsamosësi Salafia vdiq në vitin 1993, ai e mori me vete sekretin e balsamosjes dhe për vite me radhë askush nuk ka mundur të zbulojë “formulën magjike” që ai përdori.

Por një dorëshkrim i tij i gjetur në vitin 2009 hodhi dritë mbi arsyet se pse trupi i Rosalias ishte ruajtur aq mirë. Sipas recetës së Salafias, përbërësit për mumifikimin e vogëlushes ishin: glicerina, formalina e ngopur me sulfat zinku dhe klorid si dhe alkooli me acid salicilik.

Si një balsamues profesionist, Salafia i kishte bashkuar këta përbërës në sasi të caktuara dhe përzierjen e kishte injektuar në trupin e vajzës.

Formula ka funksionuar, pasi formalina ka vrarë bakteret, glicerina ka parandaluar tharjen dhe kripërat e zinkut kanë ngurtësuar trupin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat