Raporti: Mbi Tokë rriten tre miliardë pemë!

Speciale

Raporti: Mbi Tokë rriten tre miliardë pemë!

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 16:13

Ato u përkasin organizmave më të rëndësishëm mbi Tokë. Por, megjithatë, studiuesit deri më tani nuk kanë arritur ta kuptojnë shtrirjen globale të pemëve. Këtë e thotë Thomas Crowther nga Universiteti i Yale-it në New Haven (shteti federal amerikan i Connecticut-it).

Në revistën e specializuar “Nature”, ai sapo ka publikuar bashkë me kolegë të tjerë të vetët, një inventar, le të themi, të pyjeve në mbarë botën.

Më shumë se tre miliardë pemë rriten sipas studimit të tij aktualisht mbi Tokën tonë. Këtë përfundim, studiuesit e kërkuesit shkencorë e kanë nxjerrë nga pamjet satelitore, pamjet në distancë e ato nga afër të pyjeve rreth e qark globit, si dhe përllogaritjeve kompjuterike.

Numri, sipas tyre, tashmë llogaritet të jetë tetë herë më i lartë se ç’mendohej. Qysh në rrënjët e civilizimit human, numri i pemëve sidoqoftë, rezulton të jetë përgjysmuar.

E parë në aspektin global, sipas studimit më të fundit, mund të thuhet se çdo njërit prej rreth 7 miliardë njerëzve që jetojnë mbi Tokë, i takojnë të ketë mesatarisht më shumë se 400 pemë.

Raporti flet me shifra të sakta, duke renditur për shembull Gjermaninë, vend në të cilin rezulton që një banor të ketë në posedim mesatarisht 100 pemë, e po ashtu ngjashmërish, i bie të ketë edhe çdo banor në Hungari apo Kinë e Republikën Dominikane, llogari që në fakt pastaj bëhen fare kollaj.

Në Norvegji, numri i pemëve që posedon mesatarisht çdo banor kap shifrën mbresëlënëse prej 3000, në Rusi rreth 4500 dhe në Bolivi madje edhe 5400 syresh për banor.

Të vlerësosh popullimin me pyje e pemë në rang global, është sigurisht një iniciativë e rëndësishme para së gjithash në kuadrin e studimeve për ngrohjen globale dhe qarkullimin e oksigjenit në atmosferë. Pemët mbledhin sasi të mëdha oksigjeni dhe janë esencialisht të domosdoshme për qarkullimin e lëndëve ushqyese dhe kualitetin e ajrit e të ujërave, si dhe në shumë pikëpamje të tjera, jashtëzakonisht të dobishme për njeriun. Por, për numrin e tyre, deri më tani kanë ekzistuar vetëm shifra e llogaritje përmbledhëse, jo të sakta.

Pyjet më të mëdha

Dendësia më e madhe e pyjeve sipas përllogaritjeve të fundit, gjendet në pyjet veriore të rajonit subarktik në Rusi, Skandinavi dhe Amerikën Veriore. Pyjet me një sipërfaqe relativisht madhore, formojnë edhe tropikun, që është edhe shtëpia e 43 për qind e pemëve në botë.

Rezultatet e studimit tregojnë se dendësia e pyjeve apo prezencës së pemëve të çdo lloji, varet shumë nga lloji i pyjeve. “Në shumicën e ekosistemeve, dendësia e pemëve të një pylli përcaktohet nga klima e atjeshme mbizotëruese”, shkruajnë në studimin e tyre shkencëtarët biologë amerikanë.

Efektet pozitive të një mjedisi të lagësht sidoqoftë në shumë rajone shndërrohen nga njerëzit, ngaqë sipërfaqet shpesh përdoren për bujqësinë. Sigurisht se faktori njeri është ai më përcaktuesi në këtë rast. Kështu, sipërfaqja pyjore është rrudhur, sa më shumë që është rritur popullsia.

Çdo vit, sipas studimit, janë prerë apo e kanë ndërprerë rritjen 15 miliardë pemë, e kanë rënë kësisoj viktimë e shndërrimit të sipërfaqes apo abuzimit në ekstrem e shfrytëzimit të egër të sipërfaqeve pyjore.

Organizata për mbrojtjen e ambientit, WWF, pak kohë më parë ka paralajmëruar se deri në vitin 2030, do të kemi humbur një sipërfaqe pyjore aq të madhe sa dhe sipërfaqja e Gjermanisë. “Ne e kemi thuajse përgjysmuar numrin e pemëve në mbarë globin, dhe i kemi parë efektet e klimës mbi shëndetin tonë”, shpjegon Crowther.

“Studimi ynë thekson se sa të mëdha duhet të jenë përpjekjet tona, nëse duam që të rivendosim sërish rendin e pyjeve të shëndetshëm.”

Parku Kombëtar Virunga (Republika Demokratike e Kongos)

Studimi në fjalë u frymëzua nga një iniciativë rinore e quajtur “Plant for the Planet”, e cila shtyhet përpara nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, “Një miliard pemë”. Para dy vjetëve, përfaqësues të kësaj iniciative takuan Crowther dhe e pyetën për shifrën e saktë të pemëve në nivel global, për të planifikuar më mirë kësisoj idetë e tyre.

Në këtë kohë flitej akoma për 400 miliardë pemë, rreth një të tetën e numrit të raportuar. Numri në fjalë bazohej në pamjet satelitore dhe vlerësimet e sipërfaqeve globale pyjore, por nuk përmbante asnjë informacion të marrë direkt në terren. Nëpërmjet kombinacionit të këtyre të dhënave, rezultoi në fund se shifrat ishin më të mëdha, duke sjellë një frymë më optimiste.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat