Kapitullimi japonez dhe zemërgjerësia e një gjenerali kokëfortë

Speciale

Kapitullimi japonez dhe zemërgjerësia e një gjenerali kokëfortë

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 09:43

Gjashtë firma, një kërcënim, një lutje dhe as një gjysmë ore madje nuk është dashur që gjenerali amerikan, Douglas MacArthur, në mëngjesin e dielës më 2 shtator 1945, në orën 9:10, t’i jepte fund zyrtarisht Luftës së Dytë Botërore – për herë të dytë këtë radhë – pas kapitullimit të Gjermanisë më 8 maj 1945. Ndërkohë, jo larg tyre, disa luftanije të tjera demonstronin hapur “superfuqinë amerikane”.

“Debati për idetë dhe ideologjitë kundërshtare, u vendos nëpër betejat e botës”, tha kryekomandanti i forcave ushtarake aleate në bordin e luftanijes “USS Missouri”, e ankoruar në gjirin e Tokios, “e tashmë, ato nuk duhen debatuar më mes nesh”.

Ajo që e preku delegacionin japonez, kryesuar nga ministri i Jashtëm, Shigemitsu, civili i vetëm ndër mijëra ushtarë që shihej tërësisht i dekurajuar, veshur shik me një kapelë cilindrike paksa demode, nuk është publikuar. Ka gjasa që ata zërin e lartë të fjalimit ta kenë kuptuar thjesht më vonë me përkthim. Ishte një inskenim i shkëlqyer, siç e dëshmojnë pamjet filmike të ditarëve kinematografikë amerikanë.

“Missouri” gri, anija lider e Flotës së Tretë amerikane, po i mbante në bord marinarët e vet si objekte të ngrira në një fushë akulli. Oficerët të veshur në uniforma ngjyrë kaki po nxitonin drejt bashit të lartë si në një lojë bejsbolli e po shtrinin këmbët me forcë kur dëgjuan se po afrohej MacArthur.

Gjeneralit McArthur (1880–1964) nuk i mungonte toni i lartë dhe as forma e shkëlqyer. Drejtësia dhe toleranca do ta orientonin ekuipazhin, premtoi ai, i cili që nga ai çast do të bëhej guvernatori i Japonisë deri në prill 1951, dhe që në një ton të fortë e pse jo kërcënues 9 ( me plot stil), do të shtonte si parakusht që “kushtet e kapitullimit të përmbushen tërësisht, menjëherë dhe në mirëbesim të plotë”.

Gjenerali përfundoi fjalimin me lutjen, që Zoti ta ruante paqen “përgjithnjë”. Ai shmangu çdo përcaktim apo fjalë armiqësore. Kjo i lejoi një komentatori të ditarit javor që gjendej diku atje, të vinte re mirë marshet triumfaliste brenda toneve të tij: “Kështu përfundon përgjithnjë cikli japonez i terrorit dhe agresionit”.

Askush në bordin e “Missouri”-t nuk mund të kuptonte dot se sa i suksesshëm do të vijonte në vitet në vijim “pushtimi” dhe paqtimi i Japonisë. Nga ish-armiku “i urryer”, të cilin Presidenti Harry Truman në “Ditarin e tij të Potsdamit”, vetëm deri pak muaj më parë akoma vijonte ta cilësonte si “bisha e egër – e pashpirt, e pamëshirshme dhe fanatike”, brenda një kohe shumë të shkurtër u shndërrua në aleatin më shembullor amerikan në luftën kundër komunizmit në Azi.

Në shtator 1945 “Leatherneck”, revista mujore e këmbësorisë amerikane, vijonte akoma të publikonte një artikull të ilustruar që e paraqiste armikun e mundur si një majmun – vetëm se këtë radhë ai ishte zbutur, mbante veshur rroba dhe qëndronte në krah të një marinsi amerikan.

Në të njëjtin muaj që nisi me nënshkrimin e kapitullimit mes Japonisë e aleatëve, Perandori Hirohito në një takim me Douglas McArthur ofroi të merrte përsipër përgjegjësitë për krimet e luftës. McArthur e refuzoi ofertën e tij. Nuk ka asnjë dëshmi që ai të jetë konsultuar për këtë me aleatët.

Pamjet nga ceremonia në bordin e “Missouri”-t tregojnë kinezë, britanikë, kanadezë, australianë, holandezë, neozelandezë dhe sovjetikë gjatë nënshkrimit; e ata nuk u desh të flisnin fare në ceremoni. Në fakt jo me qejf edhe pse pa rezistencë, këto kombe pranuan me marrëveshje “margjinalizimin” që u bëri aleati i madh, Uashingtoni.

E çuditshme është para së gjithash se sa i gatshëm për paqen ishte diktatori sovjetik Stalin, që u tërhoq fare nga “të drejtat” e tij të argumentuara. A mos vallë invazioni i Ushtrisë së Kuqe mbi Mançurinë më 9 gusht, që ndodhi në intervalin mes hedhjes së dy bombave bërthamore, e vuri ushtrinë perandorake në panik për vdekje? Stalini po kërkonte një komandë të përbashkët me amerikanët në Tokio dhe në ishullin verior Hokkaido, gjithashtu t’i njihej e drejta ta përdorte si zonë të vetën të pushtimit, sikurse në Gjermaninë Lindore.

Kur Truman e refuzoi me forcë këtë ide, Stalini iu përgjigj thjesht me një ngritje të supeve. Thuhet se lideri sovjetik kishte shpresuar që amerikanët do ta shpërblenin si kundërpeshë ndaj heshtjes së tij në Azi, me koncesione të pafundme në Europën Lindore. Në fakt, Uashingtoni nuk po e mendonte fare kështu këtë punë.

Më 30 gusht 1945, gjenerali Douglas McArthur mbërriti në aerodromin “Atsugi” në afërsi të Jokohamas. Sfida të shumta logjistike e prisnin “Perandorin amerikan” të japonezëve: Mijëra ushtarë e japonezë u dorëzuan si robër lufte; dhjetëra qytete që tashmë nuk ekzistonin më, e që ishin shuar tërësisht nga bombat me fosfor, qysh nga marsi i atij viti, bombat bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki; një krizë urie që shpërtheu në vitin 1946, ishin ato që pasuan.

Çfarë i bëri amerikanët që të mos hakmerreshin kundër Perandorit: ta linin atë të vijonte i paprekur në fron dhe të mos gjykohej fare për krime lufte (pavarësisht se disa krerë japonezë u gjykuan si të tillë duke të çuar në mendimin se drejtësia kurrsesi nuk mund të qenkësh dot e barabartë për të gjithë ) – e pra regjenca e McArthur kishte më shumë bekime sesa ç’kishin parashikuar japonezët, duke i tejkaluar tërësisht të gjitha frikërat nga një paqe me “armikun e urryer jenki”.

Gjenerali ndërmori menjëherë një reformë agrare, forcoi të drejtat e grave, sindikatave dhe futi në lojë sërish partitë politike, dikur të ndaluara. Për një republikan konservator, siç ishte gjenerali i famshëm, sot vlerësohet se u la shumë terren liberalëve edhe nga krahu i majtë me bëmat që la pas.

Me paranojën në rritje dhe frikën nga aktivitetet “antiamerikane” – gjuetia e shtrigave e Senatorit McCarthy në Uashington mori hov – dhe përfundoi kështu edhe në Japoni periudha e lulëzimit të shkurtër të vetëkritikës, tolerancës dhe demokracisë, për t’u rikthyer e riformatuar plot sukses vite më pas. Me nisjen e Luftës së Koresë (1950–’53) Lufta e Ftohtë ngriu edhe atë pak Japoni të riformatuar të Pasluftës.

Zyrtarisht, Lufta në Paqësor zgjati – sipas përllogaritjeve amerikane – që nga goditja japoneze në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941, deri në ceremoninë që u zhvillua për nënshkrimin e kapitullimit në bordin e aeroplanmbajtëses “USS Missouri”, plot tre vjet, tetë muaj, tri javë e pesë ditë. Vetëm marrëveshja e Paqes e San Francisco-s i dha fund në shtator 1951 Luftës në Paqësor; pushtimi i Japonisë efektivisht zgjati deri në prill 1952.

Gjenerali Douglas MacArthur e la me të gjitha nderimet Japoninë (ishin me mijëra ata që e shoqëruan atë në aeroport me ovacione dhe me lot në sy) dhe shërbeu më pas në Kore. Ai e kritikoi politikën e Trumanit në Azi, pati kundërshti të hapura me Presidentin dhe u shkarkua në prill 1951 për mosbindje, por korri plot kritika edhe për “dështimet” e tij teknike në fushatën e Koresë.

Në të njëjtin vit, gjenerali kokëfortë u dëshmoi japonezëve para një komisioni të Kongresit, shkallën e pjekurisë së një djaloshi dymbëdhjetëvjeçar. E menduar si kompliment; pasi ndryshe nga nazistët, të cilët krimet e tyre i kishin kryer në ndërgjegje të plotë si të rritur, japonezët ranë pre e vetëshkatërrimit të vet, u tha asokohe, duke u dhënë udhë shumë debateve deri në ditët e sotme. Me papjekuri, me ndërgjegje vrastare fanatike në luftë, ata dëshmuan çuditërisht se ishin shumë të aftë për t’u riedukuar e demilitarizuar, duke mësuar nga gabimet e së shkuarës.

Deri më sot, Japonia është ravijëzuar nga vetëtërheqja dhe përpjekjet për ruajtjen e balancave në Azinë Lindore, një rajon që përfitoi nga diskriminimi pozitiv i një gjenerali amerikan.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat