Historia e një shuplake ndaj Ismail Qemalit

Speciale

Historia e një shuplake ndaj Ismail Qemalit

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 07:32

Revolucioni i Turqve të Rinj i vitit 1908 kishte rindezur shpresën tek popujt e ndryshëm të perandorisë. Premtimet e bëra nga xhonturqit kishin bërë për vete edhe shqiptarët. Por, shpallja e Kushtetutës dhe hapja e parlamentit të dytë osman në vend që të çonte përpara reformat për përmirësimin e situatës ekonomike, u kthye në një arenë luftrash politike.

Kjo skotë njerëzish - siç i quan me të drejtë Syrja bej Vlora xhonturqit - që në Stamboll e Shqipëri kishin marrë në duart e tyre të paafta frerin e qeverisjes, përpiqeshin ta shfajësonin qeverinë, të cilën e konsideronin si pronën e tyre.

Me një urrejtje të pasosur ata konsakruan fuqinë e tyre, për të zhveshur shqiptarët nga ndjenjat e sinqerta dhe nga mjetet e qëndresës që zotëronin.

Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-xhonturke, si rezultat i një sërë kryengritjesh që kishin shpërthyer në krahinat shqiptare në vitet 1909-1911, kishte krijuar një klimë mosbesimi tek të dyja palët.

Në pjesën dërrmuese të Komitetit Drejtues të Partisë “Bashkim dhe Përparim” ekzistonte përshtypja se, pas çdo kërkese dhe propozimi të deputetëve shqiptarë për reforma, fshihej dëshira për pavarësi. Kjo kishte bërë që një pjesë e tyre të dilnin nga partia xhonturke dhe të rreshtoheshin me liberalët, në krye të të cilëve tani qëndronte deputeti shqiptar Ismail bej Vlora.

Turqit e Rinj bënë çdo përpjekje për t`ia zvogëluar influencën që ai kishte në parlament, e sidomos në Shqipëri. Për këtë nuk kursyen as shpifjet.

Një ditë kur Ismail Qemali ishte duke lexuar gazetën “Le Jeune Turc” (“Turku i Ri”) vuri re një artikull, sipas të cilit, Drejtori i Bankës Kombëtare Osmane, Sir Ernest Cassel që në atë moment ndodhej në Egjipt po gjente vështirësi për marrjen e një huaje dhe se i ishte thënë se: “për t`ia arritur qëllimit nuk duhej gjë tjetër veçse t`i ofronte Ismail Qemalit 100.000 stërlina ryshfet dhe se çdo gjë do të zgjidhej”.

Ky inskenim, sipas Ismail Qemalit kishte prapavijë politike, pasi ai nuk kishte nevojë për të, sepse në Këshillin Administrativ të Bankës kishte ministrin e financës dhe plot anëtarë të tjerë nga Partia “Bashkim dhe Përparim”.

Menjëherë ai iu drejtua redaksisë së gazetës për të kërkuar shpjegime, e pastaj shkoi në parlament ku duke iu referuar artikullit deklaroi se nuk mund të kishte një person aq të marrë e të poshtër se sa ai që sajonte përralla të tilla.

Ndërsa po fliste, deputeti xhonturk që kishte qenë autor i kësaj shpifjeje, u çua dhe deklaroi se:

-“Kam qenë unë që e kam dhënë atë artikull”.

-“Atëherë ju jeni i poshtri”,-iu përgjigj Ismail Qemali.

Pasi deputeti xhonturk ia ktheu ofendimin, Ismail Qemali, i nxehur nga zemërimi e kapi dhe e përplasi përtokë.

Ndërhyrja e deputetëve të tjerë bëri që ata të ndaheshin shpejt dhe që deputeti xhonturk të largohej nga salla.

“Unë,- shkruan Ismail Qemali vite më vonë,-e ndjeja veten të turpëruar që nuk e kisha kontrolluar veten, në një moment indinjate e të bëja grusht në moshën time, por pjesa më e madhe e miqve të mi duartrokitën gjestin tim duke thënë se Dr.Ismiti kishte marrë vetëm atë që meritonte”.

Përballja e parë fizike në parlament ishte prologu i një incidenti, i cili shënoi ndarjen përfundimtare të shqiptarëve me xhonturqit.

Kështu, në një seancë parlamentare në të cilën po diskutohej dhënia e ndërtimit me koncension të hekurudhës së Bagdatit, krerët me influencë të xhonturqëve filluan t`i jepnin koncesione shteteve të ndryshme, në përputhje me interesat e tyre politiko-ekonomike.

Kjo u kundërshtua nga Ismail Qemali, i cili në kujtimet e tij shkruan se “Beteja ime kundër përpilimit të ligjit ishte logjike, ekonomike e patriotike, por të gjithë anëtarët e qeverisë, duke filluar nga Veziri i Madh, si dhe të gjithë përfaqësuesit e Komitetit në parlament, u hodhën me furi kundër opozitës”.

Kur Ismail Qemali kundërshtoi argumentet e një kolegu të tij dhe hodhi poshtë disa deklarata shpifëse që kishte botuar gazeta xhonturke “Tanin”, gjoja, sikur ai kishte marrë një përqindje lidhur me këtë qëndrim, situata doli jashtë kontrolli.

Veziri i Madh dhe ministrat iu vërsulën duke e kapur nga krahët e nga rrobat duke i kërkuar me tërbim se çfarë kishte dashur të thoshte.

Ai, iu përgjigj se nëse drejtori i gazetës “Tanin” që ishte prezent me të tjerët në sallë, kishte hedhur kundër tij akuza të tilla edhe ai kishte të drejtë që të mbrohej, duke hedhur kundërakuza.

Në këtë situatë të acaruar, papritur një deputet xhonturk, Dervish beu, iu afrua nga pas Ismail Qemalit dhe e godet në kokë. Ky akt, ngjalli indinjatën e deputetëve shqiptarë.

Hasan Prishtina iu drejtua deputetëve xhonturq me fjalët “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”.

Seanca u ndërpre dhe deputetët shqiptarë u larguan.

Po atë mbrëmje, në formë pendese, deputeti xhonturk shkoi tek Ismail Qemali për t`i kërkuar ndjesë, por ky i fundit nuk e pranoi dhe refuzoi që ta kalonte incidentin në mënyrë kaq të thjeshtë.

Të frikësuar nga precipitimi i situatës, në hotelin ku qëndronte Ismail Qemali u nis një delegacion deputetësh xhonturq të kryesuar nga Talat Pasha. Në emër të asamblesë, ai i kërkoi falje dhe e shoqëroi Ismail Qemalin deri në dhomën e tij.

Megjithëse incidenti u zgjidh, ai krijoi pakënaqësi të madhe tek shqiptarët.

Gazeta “Zgjimi i Shqipërisë” vinte në dukje më 7 mars 1911 se “kur rrihet një deputet është rrahur një komb i tërë dhe ashtu të goditurit e z.Qemal beut nuk la zemër shqiptare që s`helmoi dhe përsëriti plagët e vjetme”.

Më 16 mars u bë një mbledhje e patriotëve shqiptarë në Janinë, në të cilën u vendos që me rastin e ngjarjes së mësipërme, në formë proteste, t`i dërgohej një telegram kryetarit të parlamentit.

Në këtë telegram ndër të tjera shkruhej: “Megjithëse prej sulmit të ulët nuk preken as patriotizmi, as edhe virtytet e shumta që e shquajnë deputetin tonë Ismail Qemal beun, ne ju lutemi që t`i bëni të ditur dhomës së deputetëve se kjo ngjarje na ka dëshpëruar shumë dhe si një shuplakë e dhënë kombit, ajo ka prodhuar një përshtypje të pashlyeshme. Një ndëshkim për një fyerje të tillë nuk është i nevojshëm vetëm si satisfaksion për personin e Ismail Qemal beut, por për të gjithë kombin”.

Ky telegram iu dërgua pothuajse të gjithë shtypit të Stambollit, deputetëve dhe klubeve shqiptare me thirrjen që të protestonin ndaj këtij akti të qeverisë xhonturke, e në favor të Ismail Qemalit.

Ndërsa gazeta e kolonisë shqiptare të Kajros “Shkrepëtima” këtë veprim të deputetit xhonturk e quajti si “dinamit i hedhur në mes të Shqipërisë”. “Shuplaka,-vijonte më tej ajo,-nuk i ra Ismail Qemalit, por të gjith’ shqiptarëve”.

Siç shihet edhe nga shtypi i kohës, incidenti i mësipërm ngjalli një frymë nacionaliste, e cila ndikoj tej mase negativisht për dezintegrimin e shpejtë të Perandorisë Osmane.

Në një situatë kur shtetet ballkanike kishin filluar përgatitjet për krijimin e një aleance, xhonturqit i shihnin shqiptarët, siç shprehet me të drejtë Ismail Qemali, si “koka e Meduzës së nacionalizmit”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat