Kush do e merr arin e trenit nazist?

Speciale

Kush do e merr arin e trenit nazist?

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 12:46

Është një nga sekretet më të mëdha të kohës së nazizmit: në janar të vitit 1945, ndërkohë që Ushtria e Kuqe vazhdonte marshimin drejt Perëndimit, një tren i blinduar dhe misterioz u largua nga qyteti Breslau. Në bord kishte rreth 50 arka metalike.
Plot me ar nazist?

Se ku po shkonte treni dhe nëse mbërriti ndonjëherë, kjo mbetet një mister.

Kjo për shkak se treni u zhduk pa gjurmë dhe nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve të shumta nga gjuetarët e thesareve.

Deri më tani!

Të premten, zëvendësministri i Kulturës në Poloni, Piotr Zuchowski, 51 vjeç, tha se është 99 për qind i bindur se një tren i blinduar është zbuluar në një vend të fshehtë nëntokësor.

Kjo është bërë e mundur falë fotove me gjeo-radar. Kjo teknikë përdoret për të zbuluar objekte të varrosura.

Por çfarë po transportonte saktësisht ky tren i blinduar?

Sipas zëvendësministrit të Kulturës bëhet fjalë për një thesar, për vepra arti, ndoshta edhe për një arkiv.

Fakt është se në kohën e regjimit nazist, kryepolici gjerman në Breslau, Herbert Klose, ishte përgjegjës për arin e vjedhur nga bankat, argjendaritë dhe personat privatë.

Sipas Frankfurter Rundschau, Klose kishte deklaruar në vitet ’70 në televizionin polak se ky ar ishte hequr pak përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me një tren.

Gjithmonë e më shumë spekulohet se me këtë tren janë larguar edhe pjesë të dhomës legjendare Amber, e veshur me ar.

Por si u zbulua treni nazist?

Historia ngjan e pabesueshme: pak ditë më parë, një gjerman dhe një polak njoftuan autoritetet polake se ata e dinë strehën, pasi një i moshuar ua kishte rrëfyer në prag të vdekjes.

Të dy mbeten anonimë.

Sa i përket të moshuarit, gazeta polake Fakt thotë se bëhet fjalë për një ushtar të Vermahtit gjerman, që ka ndihmuar për të fshehur trenin.

Ku gjendet me saktësi treni?

Autoritetet preferojnë të heshtin. Bëhet fjalë për një rajon përreth qytetit Valdenburg. Atje nazistët kishin ngritur një sistem të gjerë tunelesh si mbrojtje për udhëheqësit.

Zuchowski ka paralajmëruar të gjithë gjuetarët e thesareve që gërmojnë aty: treni mund të jetë i rrethuar me mina.

Kush do e marrë arin?

Pyetja është e ndërlikuar pasi mund të bëhet fjalë edhe për pasurinë që iu grabit hebrenjve të deportuar.

Dy zbuluesit e panjohur duhet të marrin 10 për qind. /mapo.al/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat