Përse duhet të ndërmarrim udhëtime të paktën një herë në vit?

Speciale

Përse duhet të ndërmarrim udhëtime të paktën një herë në vit?

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 14:01

Pushimet

Shkëputja nga rutina dhe eksplorimi i vendeve të pashkelura më parë, do t’jua heqin lodhjen trupore dhe mendore. Kurioziteti i shteteve të panjohura është pikërisht ajo që shkenca rekomandon për mirëqenie

Ndërmarrja e udhëtimeve është mjaft argëtuese. Neve na pëlqen të eksplorojmë, të shohim vende të reja dhe të largohemi nga rutina e përditshme. Por është e mundur që udhëtimet, përveç dëshirës aventuriere, të kenë një efekt tjetër edhe më të dobishëm për shëndetin?

Pushimet me të tjerët ju bëjnë të ndieni mirëqenie

Nga studimet e kryera mbi popullsinë amerikane, 49 për qind e tyre bënin udhëtime ose pushime të rregullta dhe ata që shkonin me familjen ose miqtë kishin një nivel mirëqenieje më të lartë sesa ata që shkonin vetëm.

Po ashtu, sipas studimeve, 56 për qind e amerikanëve të martuar bëjnë pushime me miqtë dhe familjen, pasuar nga personat e ve me 47 për qind dhe beqarët me 43 për qind. Të divorcuarit ose amerikanët e ndarë bëjnë përkatësisht pushime të tilla rregullisht në 37 për qind dhe 30 për qind.

Eksplorimi i vendeve të reja pakëson stresin

Udhëtimi e ndryshon mënyrën sesi njeriu e mendon jetën, ndonëse për pak kohë. Në aspektin fizik, dikush përfiton nga vizitat në vendet e tjera, sepse eksploron terrene të reja, viziton vende të panjohura, muze, parqe etj. Të gjitha këto aktivitete të ndryshme dhe entuziazmuese stimulojnë shëndetin mendor në shumë nivele.

Po ashtu, udhëtimi krijon më shumë hapësirë dhe na fton në një fazë më pak të lodhshme të jetës, në të cilën stresi reduktohet. Në fakt, një studim tregoi se njerëzit që nuk merrnin pushime vjetore kishin 30 për qind më tepër shanse të vdisnin nga sëmundja e zemrës.

Në aspektin mendor, udhëtimi e mban trurin tonë aktiv dhe të stimuluar në mënyra të reja teksa ne marrim informacion të ndryshëm nga ai i zakonshmi dhe vazhdojmë procesin e mësimit.

Këto lloje të aktiviteteve kanë treguar se reduktojnë deri në 47 për qind mundësinë e prekjes nga Alzheimeri.

Fotot e pushimeve ju bëjnë mirë për shëndetin

Përgjigjja e mendjes suaj gjatë kohës që shihni fotot e pushimeve është e njëjtë me përvojat që keni përjetuar kur ishit atje. Në një studim të publikuar në Revistën e Kërkimit mbi Cilësinë e Jetës, Jeroen Nauijn, zbuloi se pushimet nuk kanë efekt afatgjatë mbi lumturinë.

Kështu, duke qenë se pasojat pozitive të pushimeve janë të shkurtra, ne mund ta zgjasim lumturinë që përfitojmë prej tyre duke parë fotot, duke u treguar miqve rreth udhëtimit ose duke përdorur mënyra të tjera për të mbajtur gjallë kujtimet.

Një pushim nga rutina ju kthjellon trupin dhe mendjen

Udhëtimi është në fakt një pushim i shëndetshëm nga rutina e përditshme. Duke mos bërë asgjë për të cilën paguheni, pushimet ju japin kohë të merrni frymë, të mendoni dhe të relaksoheni.

Është bukur të eksploroni vazhdimisht vende të reja dhe të mos jeni të ulur në tryezën tuaj të punës. Gjithashtu mund të shijoni shumë ushqime të reja, gjë që mund të jetë e shëndetshme. Duke qenë se do të jenë ushqime tradicionale, patjetër që do të përfitoni nga freskia e tyre.

Gjërat e reja e mbajnë trurin të shëndetshëm

Truri i njeriut është një organ që ndonjëherë mund të preket shumë nga ambienti që na rrethon. Për këtë arsye duhet ta mbushni atë me eksperienca të reja, duke udhëtuar nga një vend që e vë trurin tuaj në gjumë prej rutinës, në një vend tjetër ku truri përjeton gjëra të reja.

Vërini të gjithë sensorët e trupit tuaj në punë, duke qenë se kurioziteti arrin majat kur jeni jashtë panoramës së zakonshme të jetës suaj.

Njerëzit që bëjnë kamping janë më të lumtur

Sipas studimeve, fëmijët që bëjnë kamping në natyrë të paktën një herë në vit ia dalin më mirë në shkollë, janë më të shëndetshëm dhe më të lumtur.

Njerëzit modernë po largohen përherë e më shumë nga natyra, por kampingu, kthimi i njeriut te mëma natyrë ka pasoja shumë të mira për shëndetin, humorin dhe lumturinë. Ndërmerrni aventura!

Udhëtimi jashtë shtetit nxit krijimtarinë

Ekziston një hipotezë, sipas së cilës kush udhëton jashtë shtetit vë më tepër në punë krijimtarinë e tij. Disa studime kanë analizuar lidhjen midis eksperiencave jashtë shtetit dhe krijimtarisë në dizajn. Rezultatet ishin befasuese. Ndaj diçka që dimë me siguri është se udhëtimi ju bën shumë mirë për të dalë jashtë mendimeve tuaja të përditshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat