Faktori X

Speciale

Faktori X

Nga: Brian James Më: 3 gusht 2015 Në ora: 07:56

Rimarrja e ishujve Falkland nga një forcë pushtuese argjentinase ishte kundër çdo lloj logjike ushtarake: doktrina ushtarake shpall se forca sulmuese duhet të jetë më e madhe në numër, se sa forca e pushtuar në një raport 3 me 1, ndërkohë që forca britanike prej 6000 vetësh ishte sa gjysma e kundërshtarëve që po pushtonin; gjithashtu, vendndodhja ishte 8000 milje larg nga rifurnizimet dhe përforcimet, ndërkohë që Ishulli Ascension, 3200 milje larg në mes të Atlantikut, ishte toka miqësore më e afërt. Për 26 vite, historianët kanë kërkuar një shpjegim për këtë fitore “të pamundur”. Shumica kanë gjetur një përgjigje një-fjalëshe: “morali”. Rëndësia e moralit në kushte lufte është pranuar prej kohësh, dhe po kaq e rëndësishme është konsideruar mungesa e saj për humbjen në luftëra. Megjithatë, shumë pak përpjekje janë bërë për të identifikuar komponentët e saj – sikur të ishte ndonjë agjenci e paprekshme, përtej çdo lloj analize.
Në kohën e sasaj lufte, por edhe më vonë, kam pyetur udhëheqës ushtarakë e ushtarë nga të dy palët, se çfarë besonin ata që krijonte një gjendje morale të mirë mes trupave ndërluftues. Rrjeti kompleks i faktorëve që ata identifikuan formon një listë të gjatë: besimi në drejtësinë e kauzës; besimi në armët dhe pajisjet e tua, si dhe në ato të forcave mbështetëse; besimi në aftësitë taktike të liderëve; besimi në kompetencën strategjike të komandës së lartë, si dhe në qëllimet e luftës të parashtruara nga politikanët; besim në aftësitë luftuese dhe stërvitjen, sidomos krahasuar me ato të armikut.

Le të bëjmë një ekzaminim se cilët prej këtyre faktorëve ishin evidentë, tek secila palë, në vitin 1982.

Në kundërshtim me pushtuesit argjentinas, të cilët ishin të mbushur me një ndjesi patriotike për t’i dhënë fund një poshtërimi kombëtar, trupat britanike thjeshtë ndienin se kishin një heasp për të lartë, për marrjen e detashmentit të marinës në Falkland. Siç thoshte komandanti i Task Forces, Admirali Woodward, “Për ne, kjo fushatë ushtarake ishte një punë e kërkuar në emër të qeverisë. Për ata ishte diçka e përafërt me luftën e shenjtë”.

Britanikët e dinin që në fillim se nuk do të kishin superioritet teknik. Në ajër, “Langoi i Deteve” nuk do të mund t’ia hidhte më të shpejtëve argjentinas, “Mirazh”, “Kama” dhe “Fajkoi i qiejve”, por forca ajrore argjentinase ishte gjithësesi më e shumtë se ajo britanike, në një raport një me tre. Kur anijet e Task Forces u ndodhën nën sulme ajrore, raketat mbrojtëse të tyre rezultuan se kishin vlerë të kufizuar, shumë poshtë pritshmërive. Ndonëse Marina Mbretërore kishte superioritet numerik, gjuajtësit argjentinas të pajisur me raketa “Exocet”, përbënin një rrezik kundër të cilit pak mbrojtje kishte.

Gjithashtu, forcat tokësore britanike nuk kishin avantazh as në pajisje. Këmbësoria argjentinase kishte automatikun FN, që mund të lëshonte breshëri të gjata, ndryshe nga SLR britanike. Mbështetja me artileri për britanikët ofrohej prej armëve 105 mm, që kishin rreze më të gjatë se ato argjentinase – por britanikët kishin 24 armë, kundër 42 të armikut. Forcat argjentinase kishin gjithashtu topa më të mëdhenj 155 mm, plus një superioritet të madh në mitrolozë të kalibrit të madh dhe mortaja; dhe këmbësoria argjentinase ishte e pajisur me pajisje për të parë natën, shumë më cilësore se ato të marinsave dhe paratrupave britanikë.

Pastaj vjen çështja e besimit tek armët mbështetëse. Në krahun argjentinas, rivaliteti mes dy krahëve të aviacionit komplikonte vendimet taktikë, sipas të cilëve do të sulmoheshin anijet britanike. Ushtria argjentinase kritikonte marinën argjentinase pas fundosjes së Belgranos në 2 maj, ndërkohë që ushtarët argjentinas ishin gjithashtu të zemëruar ndaj një force ajrore, që “lejonte të bombardoheshin çdo natë nga anijet luftarake të Marinës Mbretërore”. Këta rivalitete të brendshëm u ngjitën në rangjet më të lartë: në ishujt Falkland, as komandantët e forcës detare, e as asaj ajrore nuk u bindeshin urdhërave të Gjeneralit Menendez, pa referuar më parë te komanda e tyre.

Por edhe besimi mes shërbimeve britanikë ishte fragmentar. Shumë ushtarë flisnin për zemërim, ndaj paaftësisë së marinës për të fundosur Transportierin Atlantik si dhe humbjen e helikopterëve Chinook. Pati gjithashtu kritika se theksi i tepërt që marina i vinte sigurisë së anijeve të saj, bëri atë që një sasi e madhe municioni dhe predhash të riktheheshin në det, në vend që të shkarkoheshin në tokë.

Tensioni i brendshëm arriti nivelet më të lartë. Brigadieri Tompson, komandant i forcave tokësore shkruante duke kritikuar dështimin e marinës për të kuptuar rëndësinë e fitimit të superioritetit ajror, përpara se të niste zbarkimi. Rrëfimi i vetë Admiralit Woodward nuk e fsheh bindjen e tij se forcat tokësore do të vërdalliseshin pasi të zbarkonin, dhe ai nisi të shfryjë, kur pa që parashikimi i tij po konfirmohej. Thompsoni e bën të qartë se këmbëngulja e komandës për më shumë shpejtësi nuk e ndihmonte aspak moralin e ushtrisë.
Të dy komandantët nuk kishin besim tek ata mbi krye. Përpara nisjes së zbarkimit, Admirali Woodward kish shprehur irritimin ndaj hezitimit të Kabinetit për të konfirmuar qëllimin e tij, për të rimarrë ishujt: urdhërat për të ishin të “qëndronte në dispozicion, e të priste për t’i rimarrë”. As ushtria dhe as marina britanike nuk kish ndier se rimarrja e ishujve ishte një propozim i realizueshëm – ata ishin bindur se duhej të qëndronin pranë bregut, në një lloj demonstrimi bllokade, ndërkohë që argjentinasit do të “dëboheshin” nga trysnia politike që do të ushtronin Britania dhe SHBA. Sulmi i kushtueshëm tek Pata e Gjelbër ishte një demonstrim, se sa larg nga vendimet në majë ishin forcat tokësore. Sulmi u urdhërua për arsye se politikanët dhe shtabi i gjeneralëve besonin që publiku britanik ishte i paduruar për rezultate, dhe dëshironin të fitonin terren maksimal në rast se OKB do të urdhëronte një armëpushim.

Teksa udhëtonte drejt jugut, Task Force kish marrë sinjale nga patrullat skautiste në ishujt, se trupat argjentinase ishin “ushtarakisht të ngathëta, të painteresuara për luftime dhe të përgjumura, një ushtri e mefshët dhe apatike, që vuante nga kushtet e motit dhe indiferente ndaj oficerëve të vet”. Në Argjentinë nisën të dëgjohen ankesa se ushtarëve u mungonin ushqimet dhe strehimi. Shtypi britanik shkruajti gjerësisht për këta zëra, të cilat më pas u përcilleshin atyre në anijet që shkonin drejt ishujve. Më pas, u bë detyrë e oficerëve që të mos lejonin trupat britanike të binin në vetëkënaqësi.

Në të kundërt, trupave argjentinase u tregoheshin histori të frikshme për kundërshtarin. Të burgosurit e parë argjentinas që pa një rojë, “dukeshin si fëmijë të trembur. Për të ardhur keq. Frika nga Gurkhat ishte e përhapur mes këmbësorisë argjentinase, prandaj britanikët vendosën t’i vendosin ata në pararojë”.

Ndërkohë që çdo rrëfim i ushtarëve britanikë për luftimet në Falkland përmban edhe ankesa ndaj oficerëve, grindje të tilla janë rituale në jetën në shërbim ushtarak, dhe shumica e kompanive dhe togave u udhëhoqën me kurajë ekzemplare: shumica e oficerëve dhe ushtarëve morën më shumë se dy medalje për trimëri në vijën e frontit. Marrëdhëniet mes ushtarëve argjentinas dhe oficerëve ishin tmerruese. Angazhimi në shtypjen e trazirave civile kishte dëmtuar reputacionin e oficerëve: kjo gjë iu bashkua metodave brutale për të vendosur disiplinë. Dalja lakuriq në mes të shiut dhe dëborës ishte dënimi, kur ushtarët qëndronin në prapavijë duke rrëmuar për ushqime. Ushtarët më kanë rrëfyer se oficerët argjentinas i neglizhonin njerëzit e tyre gjatë përgatitjeve për betejë dhe më pas mungonin: “Kur ata ia mbathnin, përse ne duhej të qëndronim e të luftonim?”

Gjendja e të dy ushtrive në prag të luftimeve finale ishte e varfër. Mungesa e gjumit për shkak të të ftohtit dhe barra e rëndë mbi shpinë – u duhej të mbanin edhe predha mortaje – kishte lodhur pushtuesit. Shumica e britankëve i kishin lagur këmbët tek zbrisnin në breg në San Carlos dhe nuk kishin patur asnjë shans për t’i tharë gjatë njëzetë e pesë ditëve të luftës në tokë. Plagët dhe morthi ishin diçka e zakonshme.

Megjithatë, kur ushtritë më në fund u takuan, rezultati rrallë ishte në dyshim. Tek Pata e Gjelbër, beteja e parë e madhe, 450 paratrupa, të cilëve u mungonte shumica e artilerisë, me mangësi në ushqime dhe pajisje gatimi dolën nga pozicionet dhe vranë apo koapën robër më shumë se 1300 ushtarë argjentinas, ndërkohë që humbën jetën 20 prej tyre. Robërit argjentinas përfshinin një grup rezervash elitë, të cilët ishin sjellë pasi ishte zbuluar plani britanik për të sulmuar. Pastrimi i zonës malore në Port Stanley solli një fitore që ishte po ashtu e qartë – 1800 ushtarë të pararojës dhe 45 komando larguan nga pozicionet 1000 argjentinas të mirëarmatosur. Ata vranë pesëdhjetë, kapën 450 robër dhe shpartalluan pjesën tjetër me një egërsi të tillë, saqë 5000 trupa të tjerë luftuese argjentinase nuk mundën të hyjnë asnjëherë në betejë, dhe ishin mes 11300 ushtarëve që u dorëzuan.

Kështu që, nëse “gjendja morale” përcaktoi rezultatin e luftës në ishujt Falkland, atëherë ajo frymë pushtuese nuk përfshinte as besim në kauzën për të cilën u luftua kjo luftë, as edhe besim në politikanët që e provokuan atë, as edhe besim në cilësinë apo kohezionin e komandës së lartë, as edhe besim absolut në armatimin në dispozicion dhe me siguri, aspak një perceptim për superioritet në numër dhe pajisje. Kështu që, ekspeditës britanike në ishujt Falkland i mungonin të gjithë kategoritë që besohet se janë thelbësore për një moral që sjell fitore në luftë.

Ajo çfarë mbetet është vetëbesimi i individëve në luftim. Një armë e tillë e fuqishme ngrihet, nga poshtë lartë, dorë më dorë deri tek lidershipi, si dhe një ndjesi e statusit të njësisë dhe sistemit regjimental të krijuar në shekuj. Siç thoshte Majori David Cooper, pjesëtar në ato beteja, “Po, është një lloj mrekullie ajo që bënë këta ushtarë. Ata nuk luftuan në këtë mënyrë për Britaninë, as për Thatcherin. Ata e bënë për “familjen” e tyre të ushtrisë – domethënë për njësinë e tyre, shokët e tyre, pjesën e trye të regjimentit”.

Thënë thjeshtë, armët dominuese në fitoren në Atlantikun Jugor ishin helmetat – një forcë mjaftueshëm e fuqishme për të kapërcuar të gjithë llojet e mangësive në pajisje dhe organizim. Por kjo qe një epikë që ndodh vetëm një herë…/ Përkthimi: Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat