Dhjetë njerëzit më të pasur të të gjitha kohërave

Speciale

Dhjetë njerëzit më të pasur të të gjitha kohërave

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 07:13

Kush kishte më shumë para, John Rockefeller apo Genghis Khan? Është një pyetje e thjeshtë, por me përgjigje të vështirë. Kjo radhitje e njerëzve më të pasur të të gjitha kohërave, është bazuar në disa orë intervista me ekonomistë e historianë akademikë. Ishte e vështirë të bëje një listë të tillë, duke krahasuar pasuritë e njerëzve të ndryshëm në kohë e sisteme të ndryshme ekonomike.

10. Genghis Khan (1162-1227)
Vendi: Perandoria Mongole
Pasuria: Shumë tokë, jo shumë gjëra të tjera

Lshtë padyshim një nga udhëheqësit ushtarakë më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Si lider i Perandorisë Mongole, që në kulmin e saj shtrihej nga Kina në Evropë, ai kontrollonte perandorinë më të madhe të historisë. Megjithatë, pavarësisht pushtetit të tij të madh, dijetarët thotë se Genghis Khan kurrë nuk e kursente pasurinë. Përkundrazi, bujaria i tij ishte çelësi i ndikimit e suksesit. “Një nga bazat e suksesit të tij ishte ndarja e plaçkave me ushtarët dhe komandantët e tij”, thotë Morris Rosasabi, profesor i shquar i historisë në Kolegjin Queens College. Autori i librit “Genghis Khan dhe bota moderne”, Jack Weatherford, shpjegon se të gjitha sendet e marra nga një zonë e pushtuar, u ndaheshin ushtarëve dhe familjeve të tyre. “Ai nuk ndërtoi pallat për veten apo familjen e tij, asnjë tempull, asnjë varr, madje as një shtëpi”, thotë Weatherford. “Ai pati një vdekje si njeri normal, e më pas u dogj”.

9. Bill Gates (1955-…)
Vendi: SHBA
Pasuria: 78.9 miliardë dollarë

Si personi më i pasur në botë që akoma jeton, pasuria e Bill Gatesit është e lehtë për t’u përcaktuar. Këtë vit, revista Forbes e vlerëson vlerën neto të pasurisë së themeluesit të Microsoftit në 78,9 miliard dollarë. Janë tetë miliardë më shumë se bashkëthemeluesi i ZARA-s, Amancio Ortega, personi i dytë më i pasur në botë.

8. Alan Rufus (Alan i Kuq) (1040–1093)

Vendi: Angli
Pasuria: 194 miliardë dollarë

Nipi i William Pushtuesit, Rufus, iu bashkua xhaxhait të tij në pushtimin norman. Ai vdiq me 11 mijë funte – sipas Philip Beresfordit dhe Bill Rubinsteinit, autorë të librit “Më të pasurit e të pasurve”. Ata zotëronin 7 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të Anglisë në atë kohë. Sot kjo pasuri do të ishte 194 miliardë dollarë.

7. John D. Rockefeller 1839–1937
Vendi: SHBA
Pasuria: 341 miliardë dollarë

Rockefeller filloi të investonte në industrinë e naftës në vitin 1863 dhe në vitin 1880, kompania e tij Standard Oil, kontrollonte 90 për qind të prodhimit të naftës në Amerikë. Sipas New York Timesit, Rockefeller kishte një pasuri që ishte ekuivalente me pothuajse 2 për qind të prodhimit ekonomik amerikan. Kjo pasuri sot do të shkonte në 341 miliardë dollarë.

6. Andrew Carnegie (1835–1919)
Vendi: SHBA
Pasuria: 372 miliardë dollarë

Rockefller ka qenë kryefjala e shtypit, por Andrew Carnegie mund të jetë amerikani më i pasur i të gjitha kohërave. Emigranti skocez shiti kompaninë e tij US Steell tek J.P. Morgan për 480 milionë dollarë në vitin 1901. Kjo shumë mendohet të ishte sa 2.1 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë një pasuri ekonomike Carnegiesë, që sot do të ishte ekuivalente me 372 miliardë dollarë.

5. Joseph Stalin (1878–1953)
Vendi: Bashkimi Sovjetik
Pasuria: Kontrolli i të gjithë vendit me 9.6 për qind GDP globale

Stalini është një figurë e pazakontë në historinë moderne ekonomike: një diktator me pushtet absolut që kontrollonte një nga ekonomitë më të mëdha në botë. Ndërsa, është virtualisht e pamundur të ndash pasurinë e Stalinit nga pasuria e Bashkimit Sovjetik, kombinimi i tij unik i ekonomisë dhe kontrollit total të Bashkimit Sovjetik, shtynë shumë ekonomistë ta nominonin atë si një prej njerëzve më të pasur të të gjitha kohërave. Është e lehtë të besosh logjikën e tyre. Të dhënat nga OECD tregojnë se në vitin 1950, tre vjet pas vdekjes së Stalinit, Bashkimi Sovjetik përfshinte afro 9.5 për qind të prodhimit global ekonomik. Në kohën tonë ky nivel prodhimi do të ishte i barabartë me 7.5 trilionë dollarë. Ndërsam këto para nuk i përkisnin Stalinit drejtpërdrejt, ai kishte aftësinë të menaxhonte fuqinë ekonomike sovjetike si të donte. “Ai kishte pushtet absolut, dhe me pushtetin e tij mund të kishte çfarë të donte”. Kontrollonte 1/6 e sipërfaqes së Tokës. Megjithatë nuk është e sigurt nëse duhet ta konsiderojmë atë si një nga njerëzit më të pasur të të gjitha kohërave sepse në të vërtetë nuk ishte pasuria e tij, por e vendit të tij. Por, prapëseprapë vështirë se mund ta lësh atë jashtë listës.

4. Akbar I (1542–1605)
Vendi: Indi
Pasuria: Udhëhiqte perandorinë me 25 për qind të GDP-së globale

Perandori më i madh i dinastisë indiane, Akbari, kontrollonte një perandori që përfshinte ¼ të prodhimit ekonomik global. GDP-ja e Indisë ishte e krahasueshme me pasurinë e Anglisë elizabetiane, por me një jetesë ekstravagante që e tejkalonte atë të shoqërisë evropiane. Pohimi se klasa elitare e Indisë ishte më e pasur se homologet e saj në Perëndim, është mbështetur edhe nga të dhënat e ekonomistit Branko Milanoviq, kërkimet e të cilit tregojnë se Dinastia Mogule ishte një nga perandoritë më efektive të të gjitha kohërave që nxirrte pasuri nga popullsia.

3. Perandori Shenzong (1048–1085)
Vendi: Kina
Pasuria: Udhëhiqte perandorinë me 25-30 për qind të GDP-së globale

Dinastia kineze Song (960-1279), ishte një nga perandoritë më të fuqishme ekonomikisht të të gjitha kohërave. Sipas profesorit Ronald Edwards, një historian ekonomie, vendi përfshinte mes 25-30 për qind të prodhimit ekonomik botëror gjatë kulmit të saj. Pasuria e perandorisë erdhi nga inovacionet teknologjike dhe aftësia ekstreme në mbledhjen e taksave, gjë për të cilën Edwards thotë se ishte qindra vjet përpara qeverive evropiane. Profesori gjithashtu theksoi se qeveria e Perandorisë Song ishte e centralizuar, që do të thoshte se perandori kishte kontrollin më të madh në perandori.

2. Cezar Augusti (63 para erës sonë – 14 pas erës sonë)
Vendi: Roma
Pasuria: 4.6 trilionë dollarë

Nuk ishte vetëm Cezar Augusti në krye të perandorisë që përfshinte 25-30 për qind të prodhimit ekonomik botëror, por sipas profesorit të historisë në Stanfod, Ian Morris, Augusti në një moment kishte pasuri personale të barabartë me 1/5 e ekonomisë së perandorisë së tij. Sot ajo pasuri do të ishte ekuivalente me 4.6 trilionë dollarë. “Për ca kohë”, tha Morris, “Augusti zotëronte të gjithë Egjiptin”.

1. Mansa Musa (1280–1337)
Vendi: Mali
Pasuria: Aq i pasur sa vështirë ta përshkruash

Mansa Musa, mbreti i Timbuktusë, shpesh përmendet si personi më i pasur i historisë. Sipas profesorit të historisë, Richard Smith, mbretëria afrikano-perëndimore e Musës ishte me shumë gjasa prodhuesja më e madhe e arit në botë, në një kohë kur kërkesa për arin ishte shumë e madhe. Nuk mund t’i caktoje një shifër pasurisë së tij. Regjistrimet janë të pakta, në mos inekzistente, dhe burimet bashkëkohore e përshkruajnë pasurinë e mbretit si diçka e papërshkrueshme dhe e pamundur. Disa tregime të pelegrinazhit të tij të famshëm në Mekë, gjatë të cilit shpenzimet e tij ishin aq të mëdha sa e futën në krizë monedhën egjiptiane të asaj kohe, thonë se ai përdorte dhjetëra deve që mbanin qindra kilogramë ar. Të tjerë thonë se ushtria e tij përbëhej nga 200 mijë burra, përfshirë 40 mijë harkëtarë, shifra të cilat edhe superfuqitë moderne do të kishin vështirësi t’i nxirrnin në betejë. Një profesor historie nga Universiteti i Miçiganit, Rudolph Ware, thotë se pasuria e Musës ishte aq e madhe sa njerëzit ‘luftonin’ për ta vlerësuar atë. “Nuk ka fjalë që e përshkruajnë pasurinë e tij. Ekzistojnë piktura të tij, të ulur në një fron të artë, duke mbajtur një filxhan ari, me një kurorë të artë mbi kokë. Kur askush nuk mund t’i vërë emër pasurisë tuaj, atëherë po që jeni të pasur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat