Ëndrrat që kanë ndryshuar botën

Speciale

Ëndrrat që kanë ndryshuar botën

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 07:15

Nga Frankensteini tek Google, nga këngët e The Beatles dhe Rolling Stones, e deri tek zbulimi i neurotransmetimit; nga librat e Stephen Kingut tek Tabela e Elementëve... Këto janë shpikjet që kanë lindur nga një ëndërr.

• Larry Page, bashkëthemelues i Google, ka rrëfyer se ideja e një motori kërkimi me karakteristikat e Google i erdhi gjatë një “ëndrre” shumë të gjallë. Me mikun e tij, Sergey Brin, së bashku i dhanë jetë Backrubit, paraardhësit të Google.

• “Një mëngjes të majit 1965, u zgjova me një muzikë të mrekullueshme në kokë”, tregonte Paul McCartney për biografin Barry Miles. “Mendova: çfarë mrekullie, kush e di se si është”. Paul u ngrit dhe e luajti melodinë në piano. Më vonë, kjo do të ishte “Yesterday”. Duke qenë se nuk i kish ende fjalët, McCartney i improvizoi: “Vezë të rrahura, o vogëlushja ime, më pëlqejnë këmbët e tua”. I pëlqente tingulli, por kishte ndonjë rezervë, sepse nuk arrinte të besonte që e kishte shkruar ai. “Kur kënga më erdhi në mendje, pyeta miqtë e mi: E njeh? Është një motiv i bukur. Por, nuk e kam shkruar, e kam ëndërruar”, kujton Sir Paul. Sot “Yesterday” është në Guinness si kënga me më së shumti përpunime.

• Edhe “rivalët” e kuartetit të Liverpulit, Rolling Stones, i detyrohen një ëndrre për një prej hiteve të tyre. Keith Richards thotë se “I can’t get no, satisfaction” e kanë realizuar falë një ëndrre. Richards e imagjinoi motivin e famshëm tashmë, me tre nota, teksa gërhiste. U zgjua për ta fiksuar në regjistrues dhe pëshpëriti fjalët: “I can’t get no, satisfaction”, përpara se të kthehej të flinte. Një version i dytë i episodit është më pak poetik. Richards, i droguar dhe i dehur ndezi regjistruesin, sepse ndihej tejet i frymëzuar. Nisi të hedh disa akorde me kitarë, përpara se të binte në gjumë. Rezultati? Një shirit me tre akorde që hynë në histori.

• Në fillim të shekullit 20, shkencëtarët mendonin që transmetimi i sinjaleve në tru ndodhte elektrikisht. Pas një ëndrre, doktor Otto Loevi u zgjua gjatë natës dhe hodhi disa reflektime në një copë letër. Kur u zgjua, kuptoi se kishte shkruar bazat e teorisë që do të ndryshonte historinë e mjekësisë: domethënë që informacionet transmetohen kimikisht, përmes ndërmjetësve kimikë aktivë, gjë që më pas arriti ta demonstrojë, duke fituar Nobelin për fiziologjinë në vitin 1936.

• Çfarë do të ishte letërsia horror pa Frankensteinin? Aktorja Mary Vollstonecraft Shelley e ëndërroi “monstrën” pasi poeti Lord Byron e kishte sfiduar atë dhe shkrimtarë të tjerë që të merreshin me histori fantazmash. Gjatë një makthi të natës pa momentin në të cilin shkencëtari i marrë krijonte Frankensteinin. Mëngjesin tjetër iu fut punës për të shkruar vazhdimin.

• “Misery nuk duhet të vdesë”, është një prej librave më popullorë të Stephen Kingut, prej të cilit është bazuar dhe një film: si e ka shpjeguar vetë autori, ideja e një fansi që mban të burgosur shkrimtarin e preferuar që të shkruajë finalen e një historie, i erdhi gjatë një ëndrre në aeroplan. Në ëndrrën fillestare, në realitet shkrimtari vdiste. Por, Kingut kjo pjesë nuk i pëlqeu dhe preferoi ta ndryshojë.

• Ëndrra më e famshme në sipërmarrje ka qenë ndoshta ajo e Elias Houe, që ndërsa punonte me projektin e makinës qepëse në 1845, pati një ëndërr të keqe ku disa kanibalë e shqyenin me heshtat e tyre. Vuri re që këto shigjeta të kanibalëve kishin një vrimë në majë dhe e aplikoi tek gjilpërat e makinës qepëse.

• Matematicieni gjenial indian, Srinivasa Ramanujan, nuk pushoi së shkruari formula edhe në shtratin e vdekjes. Atyre që e pyesnin se si ai, një autodidakt, njihte të fshehtat e numrave, u përgjigjej se ia kish dhënë në ëndërr perëndesha hindu Namagiri.

• Disa historianë, mbi të gjitha rusë, thonë se kimisti Dmitrij Mendelejev e shpiku tabelën e elementëve falë një ëndrre. Në të vërtetë ka debat: një artikull i Psycnet, faqja zyrtare e shoqatës së psikiatërve amerikanë, shpjegon që ëndrra e Mendelejevit për tabelën periodike të elementëve në formën e saj të plotë është e çuditshme, pavarësisht citimeve të përsëritur. Jo vetëm që ka një marrëdhënie me ëndrrën, por prova bazohet në konsideratën e dorës së dytë të një kolegu. Materialet në arkiva në fakt tregojnë se Mendelejevi kish punuar me tabelën përpara se të shihte ëndrrën.

• Historia është e pasur me probleme të zgjidhur në agim: kimisti Friedrich Kekule ëndërroi një gjarpër që kafshonte bishtin dhe kur u zgjua kuptoi se molekula e benzenit ishte hekzagonale; Henri Poincare zgjidhi formula matematike; Robert L. Stevenson krijoi “Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde”. Pse? Sipas Robert Stickold, neuroshkencëtar në Harvard Medical School në Boston, ëndrra ndihmon për të pikasur lidhje të të kaluarës por që kanë kaluar pa u vënë re në gjendjen zgjuar.

• Mattheu Ualker, neuroshkencëtar në Harvard Medical School, thotë madje se gjendje të ndryshme të gjumit shërbejnë për konsolidimin e tri llojeve të kujtesave: 1) Ajo hapësinore (domethënë ato që formohen duke lëvizur në një labirint apo një qytet virtual) dhe (2) ato deklarative (që fiksojnë dijet e shprehshme me fjalë) konsolidohen gjatë gjumit me valë të ngadalta. Ndërkohë, kujtimet me një përbërës të fortë emotiv (3) fiksohen gjatë fazës REM, ajo në të cilën ëndërrohet më shumë. /bota.al/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat