“Kriza greke është diçka më shumë se financiare”

Speciale

“Kriza greke është diçka më shumë se financiare”

Nga: Nga Robert D. Kaplan/ Wall Street Journal Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:23

Gjeopolitika mund të jetë më e rëndësishme se teoritë ekonomike. Shikoni Greqinë. Në logjikë thjesht ekonomike, Greqia nuk duhet të ishte pranuar kurrë në BE më 1981 dhe mund të ishte përjashtuar nga Eurozona shumë muaj më parë. Por ajo që shumë politikëbërës europianë dinë – edhe pse pak e artikulojnë – është se Europa do të jetë më shumë e brishtë përballë agresionit rus nëse lidhjet e saj me Greqinë dobësohen. Greqia është e vetmja pjesë e Ballkanit me disa dalje në Mesdhe, e kështu është një portë e rëndësishme për të dalë e hyrë në Perëndim.

Duke njohur agresivitetin e presidentit rus, Vladimir Putin, është me dobi të mendohet çfarë mund të kishte ndodhur sikur Stalini mos t’ia kishte lëshuar Greqinë Perëndimit në shkëmbim të gjithë pjesës tjetër të Ballkanit në fillim të Luftës së Ftohtë. Me Greqinë brenda bllokut komunist, Italia do të kishte qenë në rrezik të përhershëm, pa përmendur gjithë Mesdheun dhe Levantin [pjesa juglindore e Mesdheut]. Vërtet, bazat amerikane në Greqi ishin të rëndësishme për politikën e mbrojtjes.

Por Greqia, në drejtim të politikës dhe kulturës, nuk është plotësisht e ankoruar në perëndim. Greqia është më e përshtatshme të shihet si fëmijë e despotizmit bizantin dhe otoman sesa e Athinës së Perikliut. Revolucionet e gjysmës së dytë të shekullit 19 në Europë ishin me origjinë borgjeze dhe kishin qëllim liritë politike. Ndërsa lëvizja greke për pavarësi ishte një lëvizje etnike me bazë fetare. Greqia ka një lidhje shpirtërore dhe emocionale me Rusinë. Kjo ndihmon për të shpjeguar pse shumica e grekëve mbajtën anën e Rusisë në favor të serbëve dhe kundër Europës gjatë konfliktit të Kosovës më 1999, edhe pse qëndrimi i qeverisë greke ishte më i dyzuar.

Greqia nuk ka pasur kurrë parti politike moderne në nivelin e Europës Perëndimore dhe Qendrore. Partitë greke kanë qenë përgjithësisht paternaliste, miq kafeneje të organizuar rreth një individi karizmatik, të frymëzuara nga lëvizjet e djathta të stilit reaksionar dhe lëvizjet radikale të majta. Andreas Papandreu, kryeministri grek për pjesën më të madhe të viteve 80-90, nuk ishte një socialist modern, siç besonin shumë në perëndim në vitet 80. Ai, që unë njoh, pasi jetova në Athinë gjatë asaj dekade, mund të kuptohet më mirë si një populist i stilit latino-amerikan në traditën e Juan Peron-it.

Papandreu është pararendës në fatkeqësinë e sotme të Greqisë, një politikan cinik, i cili, në vend që ta përdorte ndihmën nga Brukseli për të krijuar një administratë eficente, pasi Greqia u fut në BE, e shtoi burokracinë dhe krijoi një shtet social të vështirë për t’u mbajtur. Greqia sot është një vend me institucione të këqija, ku shumë pak paguajnë taksa nga ata që duhet të paguajnë, dhe meritokracia është e mangët. Kultura politike greke nuk është plotësisht perëndimore, e pse duhet të jetë ekonomia?

Gazeta me tirazhin dhe ndikimin më të madh në Greqi gjatë kohës së Papandreut ishte e majta Ethnos (Kombi), e cila kishte lidhje të dyshimta me shërbimet sekrete sovjetike. Sovjetikët e kishin më të lehtë të vepronin në Greqi sesa në çdo vend tjetër të NATO-s. Gjatë luftës së ftohtë Greqia nuk u ndje kurrë rehat brenda NATO-s dhe ëndërronte një neutralitet të mjegullt. NATO dhe BE e mbrojtën dhe pasuruan Greqinë, ndryshe nga shtetet e tjera të Ballkanit, por grekët, që nuk e provuan kurrë jetën brenda Paktit të Varshavës, nuk qenë kurrë mirënjohës që u mbajtën jashtë tij.

Gjithë kjo është prologu i ngritjes së kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe partisë së tij të së majtës së ashpër Syriza. Për shkak se konservatorizmi dhe socializmi modern mbërritën në Greqi në fund të shekullit të 20, ato u mënjanuan menjëherë për të majtën ekstreme dhe fashistët (Agimi i Artë), pasi ekonomia u shemb vitet e fundit. Duke njohur marrëdhënien e gjatë të Kremlinit me Greqinë, është bindëse që rusët tani kanë lidhje më të mira – dhe inteligjencë – me Syrizën dhe fraksionet e saj të ndryshme, sesa europianët.

Rusët mund të jenë nxitës të ndarjeve brenda Syrizës me shpresën që partia në pushtet e Greqisë të mos bëjë lëshimet e nevojshme për të qëndruar në eurozonë. Nëse Greqia del nga eurozona, goditjet në ekonominë e brendshme do ta zbresin nivelin e një shteti gjysmë të dështuar që, së bashku me shpërbërjen dhe dobësimin e Ukrainës, do të dobësojë pozicionin gjeopolitik të Europës karshi Rusisë.

Nëse ndodh kjo, jo vetëm shtetet iberike – Spanja dhe Portugalia – do të jenë të dyshuar si të infektuar nga borxhet, por shtetet ballkanike me institucione të dobëta dhe ekonomi të brishta si Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania do të jenë në një pozicion më të ekspozuar. Ndërsa këto shtete nuk kanë qenë kurrë pjesë e Eurozonës, spektakli i një vendi ballkanik kryesor që dobëson lidhjet me perëndimin, edhe pse Rusia tani për tani shfaqet veç në horizont, do të jetë tejet serioz.

Pastaj është panorama e gjerë. Dekadat e para pas luftës së ftohtë shfaqën një sferë detare euroaziatike të sigurt, që nga Mesdheu në Oqeanin Indian e deri në Pacifikun Perëndimor. Kështu që, dobësimi i lidhjeve të Greqisë me perëndimin në lindje të Mesdheut duhet parë së bashku me ngritjen e Iranit në Gjirin Persik dhe ngritjen e Kinës në detet në jug dhe lindje të Kinës, si një proces i vetëm në dobësimin e pushtetit amerikan.

BE, sado bezdisëse të jenë politikat e saj, përfaqëson triumfin përfundimtar të fuqisë amerikane që del nga gjakderdhja në Luftën e Dytë Botërore. Nëse Greqia del nga eurozona, cilatdo qofshin mëkatet e saj, është dukshëm në interes të Europës dhe Amerikës të kujdeset për shërimin e saj për të mbajtur, për shembull, anijet luftarake ruse larg porteve greke. Greqia, me euro apo me dhrahmi, ka nevojë për ndërtimin e shtetit. Europa, tek e fundit, për të qenë bindëse me vlerat e saj, duhet t’i japë shpresë dhe ndihmë periferisë së saj.

Marrë nga postbllok.com. Robert Kaplan është bashkëpunëtor i Center for a New American Security. Ai është autor i disa librave për Ballkanin, disa të përkthyer dhe në shqip.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat