Këto janë dhjetë shtetet më të korruptuara në botë

Speciale

Këto janë dhjetë shtetet më të korruptuara në botë

Më: 30 maj 2015 Në ora: 13:59

Korrupsioni dhe trazirat ekonomike shpesh shkojnë dorë për dore. Në shtetet perëndimore e shohim korrupsionin të ekspozuar nga përpjekjet gazetareske ose prej informatorëve.

Por në shumë zona të tjera të botës, megjithatë, korrupsioni luan një rol madhor në mbajtjen e pushtetit, forcimin e varfërisë dhe rënien e sistemeve ekonomike.

Sigurisht se korrupsioni vjen në forma të ndryshme, por ky është klasifikimi nga shkalla zero në njëqind, ku zero është korrupsioni më i madh.

Eritrea

Pak njerëz kanë dëgjuar për Eritrean. Forma e qeverisjes në këtë shtet afrikan është demokraci presidenciale me një parti të vetme. Me 18 pikë në shkallën e korrupsionit, Eritrea është një shtet i vogël dhe relativisht i varfër. Prodhimi i Brendshëm Bruto është 3.44 miliardë dollarë dhe popullata është 6.3 milionë. Hapja e dyerve për investitorët e huaj ka bërë që disa zyrtarë shtetërorë të mbushin xhepat për përfitime personale.

Libia

Shteti në tranzicion i Libisë ka po ashtu 18 pikë në korrupsion. Pak shtete kanë përjetuar aq shumë trazira sa Libia në vitet e fundit. Protestat popullore, rënia e Muammar Gaddafit, “Pranvera Arabe” dhe më shumë probleme me qeverisjen e kanë renditur këtë vend të 9-in në klasifikim. Shteti nuk ka një qeveri formale dhe luftimet mes rebelëve dhe besnikëve të pushtetit të vjetër, vazhdojnë. Vakumi i pushtetit ka lënë dorë të lirë për trafikantët e armëve dhe komandantët e korruptuar në vend.

Uzbekistani

Një nga shtetet më pak të vizituara në botë, Uzbekistani e gjen veten mes shteteve më të rrëmujshme në botë. Nga pikëpamja ekonomike me një rritje prej 8% të PBB, gjërat duken se po shkojnë mirë. Por qeveria e ardhur në pushtet në një shtet republikan, ka në fakt një president autoritar si Islam Karimov. Meqë pushteti gjendet në duart e një pjese të vogël, korrupsioni është i madh. Karimov është president që prej vitit 1991.

Turkmenistani

Turkmenistani ndodhet në një rajon gjeografik të rrezikshëm, të themi më të paktën. Në kufi me Iranin, Afganistanin, Uzbekistanin dhe Kazakistanin, vendi është në qendër të korrupsionit. Me problemet e vazhdueshme të Lindjes së Mesme, ka qenë shumë e lehtë për këtë shtet të bjerë në grackën e korrupsionit.

Sipas CIA-s, ndonëse shteti e konsideron veten si “demokraci laike” dhe “republikë presidenciale”, në praktikë, qeveria i ngjan një diktature autoritare. Lufta për pushtet pas rënies së Bashkimit Sovjetik e ka lënë vendin të cenuar nga korrupsioni dhe të prekshëm nga çdo paudhësi tjetër.

Iraku

Shumë njerëz mund të befasohen që Iraku nuk është më i larti në listën e korrupsionit, por sigurisht që gjendet në listë. Gjendja aktuale e Irakut është një rrëmujë totale. Pas një invazioni të dytë amerikan në 15 vjet, tërheqja e SHBA-së e ka lënë Irakun në vakum pushteti virtual, me disa sekte që luftojnë për pushtet. Luftimet janë të përqendruara kryesisht mes kurdëve, shpitëve dhe sunitëve, por dalja në skenë e IS-it i ka shtuar edhe më shumë problemet.

Sudani Jugor

Një nga shtetet më të reja në botë, Sudani Jugor, ka deklaruar zyrtarisht pavarësinë në vitin 2011, pas konflikteve të gjata me shtetin mëmë, Sudanin. Si një shtet i ri, Sudani Jugor nuk ka struktura qeveritare të organizuara mirë dhe oportunistët nuk e kanë humbur shansin për të bërë pasuri mbi korrupsionin. Një tjetër problem i vendit është mungesa e ndjesisë së shtetësisë nga 200 grupet etnike që gjenden në vend.

Afganistani

Afganistani nga vetë vendndodhja e tij është gjendur në një mori konfliktesh për qindra vite me radhë. Por ka një arsye përse shteti ka ngecur me nofkën “varri i perandorive”, pasi nuk është vetëm vështirë për t’u fituar, por edhe vështirë për t’u mbajtur nën kontroll.

Vendi është mbajtur bashkë nga një qeveri qendrore, së cilës i mungon pushteti real dhe ka pasur probleme me liderët e fiseve dhe krerëve luftarakë si talebanët dhe Al Kaeda. Ekonomia e vendit ka qenë shumë e shkatërruar, megjithëse ka parë disi ngritje pas rënies së talebanëve. Kriminaliteti, pasiguria, qeverisja e dobët, mungesa e infrastrukturës etj., të gjitha pra e bëjnë Afganistanin një shtet të korruptuar.

Sudani

Një shtet që ka qenë i mbërthyer nga lufta për shumë vite dhe që ka mbetur tanimë tepër i korruptuar, Sudani po has në sfida të mëdha ekonomike dhe shtetërore. Ndarja e Sudanit Jugor ka lënë gjurmë në rezervat e pakësuara të naftës që janë përfshirë tanimë në shtetin e ri. Shteti qeveriset nga Partia “Kongresi Kombëtar” që erdhi në pushtet me një grusht shteti në vitin 1989.

Koreja e Veriut

Shteti i Koresë së Veriut, totalisht jashtë kontrollit të pjesës tjetër të botës, rezulton të jetë një vatër korrupsioni. Diktatorët e ndryshëm që kanë sunduar vendin prej gjysmë shekulli, kanë përdorur sipas dëshirës aparatet shtetërore, duke jetuar në luks, por duke e lënë pjesën tjetër të popullit në varfëri totale. Me pak elektricitet, kampe e burgje, si dhe shumë përndjekje politike, Koreja e Veriut i fsheh statistikat mbi ekonominë, por problemet janë të dukshme.

Somalia

Somalia është shteti më i korruptuar në botë së bashku me Korenë e Veriut. Pa asnjë aparat qeverisës të qëndrueshëm, Somalia është vendi që mund të konsiderohet si më i “pafre” në të gjithë planetin. Piratët dhe mungesa e qeverisjes e bën këtë shtet të ekspozuar ndaj klaneve dhe individëve kriminalë që synojnë të përfitojnë vetëm për vete. Jeta në Somali është konceptuar si shumë e ashpër, njerëzit jetojnë me pak, ose pa asnjë mjet jetese dhe arrijnë të mbijetojnë pjesërisht falë bujqësisë apo peshkimit. /gazetashqip/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat