A mundet Putin ta “shesë” Rusinë, si një faktor stabilizues në Ukrainë dhe Siri?

Speciale

A mundet Putin ta “shesë” Rusinë, si një faktor stabilizues në Ukrainë dhe Siri?

Nga: Richard Gowan* Më: 23 maj 2015 Në ora: 20:27

Vladimir Putin ka patur një axhendë të ngjeshur pak ditë më parë. Shefi i Kremlinit, dukej pak i izoluar në 9 Maj, kur udhëheqësit kryesorë të botës e bojkotuan paradën e madhe ushtarake, që ai organizoi në Moskë, për të përkujtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Por presidenti kinez Xi Jinping, ishte ndër të paktët që mori pjesë, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi në Moskë pëk ditë më vonë për bisedime

Një ditë pas festimeve, Putin pati pak kohë për t’u shplodhur nga festa e tij e madhe. Më pas, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri e vizitoi në Soçi, për të folur mbi Ukrainën dhe Sirinë. Uashingtoni dërgoi pastaj në Moskë Viktoria Nuland, ndihmëssekretaren e shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, për të vazhduar më tej diskutimet e nivelit të lartë mbi krizën në Lindje të Ukrainës.

Putin nuk mund të jetë botërisht popullor, por ai nuk i përket një shtrese të ulët. Përgjatë gjithë krizës ukrainase, skifterët perëndimorë kanë bërë thirrje që Putin të izolohet, por ai nuk ka qenë kurrë tërësisht jashtë loje. Anëtarët perëndimore të G-8-ës, e përjashtuan presidenti rus vitin e kaluar, dhe mbajtën në qershor një samit të veçantë të G-7-ës në Bruksel.

Megjithatë, presidenti rus u ftua të marrë pjesë në festimet, që përkujtonin përvjetorin e zbarkimit të aleatëve “D-Day” në Normandi, duke shfrytëzuar rastin për të folur me Angela Merkelin dhe udhëheqës të tjerë mbi Ukrainën. Po vitin e shkuar, Australia propozoi ndalimin e pjesëmarrjes së Putin në samitin e G-20-ës në Brisbejn, por anëtarët jo-perëndimorë të klubit e hodhën poshtë këtë ide.

Brazil e mirëpriti Putin në samitin vjetor të BRICS verën e kaluar, ku shefi i Kremlinit zhvilloi takime të përzemërta dypalëshe me presidentin kinez Xi dhe kryeministrin indian Narendra Modi, duke kompensuar kësisoj marrëdhëniet e tij të ftohta me Perëndimin. Shumë analistë, nuk besojnë se këto janë shenja të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BRICS. Modi ka flirtuar me SHBA-së, ashtu si me Rusinë.

Cinikët perëndimorë, sugjerojnë gjithashtu se edhe pse Putin dhe Xi, duket të kenë lidhur një miqësi të fortë, ka disa gabime themelore në marrëdhëniet sino-ruse. “Rusia mbetet dyshuese, në lidhje me qëllimet kineze ndaj popullatës së saj tejet të shpërndarë në Siberi”- vinte në dukje Financial Times, në një editorial pak para paradës së Moskës, duke përfunduar se “Kina dhe Rusia mbeten konkurrentë strategjikë, po aq sa janë partnerë të tillë”.

Oratorët në konferencat e Brukselit dhe Uashingtonit, parashikojnë rregullisht se Pekini dhe Moska do të përçahen. Kjo tingëllon si shumë optimiste. Sikurse paralajmëroi në shkurt, Aleksandër Gabuev, Rusia mund të pranojë rrezikun e një “aleancë të butë” -një shkrirje politike me Pekinin, pa ndonjë traktat formal mbi sigurinë -nëse marrëveshjet ekonomike me Kinën mund të “sigurojnë nivelin minimal të mirëqënies, për të mbështetur përballjen me Perëndimin dhe mbajtur Putinin në Kremlin”.

Siç e kam theksuar në një raport mbi diskutimet në Pekin vitin e kaluar, analistët kinezë insistojnë se presidenti Xi i merr shumë seriozisht marrëdhëniet e tij me Putin. Zyrtarët perëndimorë, do të jenë mendjelehtë, nëse e përjashtojnë mundësinë që bashkëpunimi sino-rus, të thellohet në vitet që do të vijnë.

Fuqitë perëndimore, janë në fund të fundit, edhe në kërkim të mënyrave për të rindërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me Putinin, sikurse e treguan edhe vizitat e fundit të Merkel dhe Kerrit në Moskë. Merkel dhe presidenti francez Fransua Holond, vunë në rrezik kredibilitetin e tyre ndërkombëtar, duke dalë personalisht garantë të një marrëveshje me Putinin, për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktin ukrainas.

Zyrtarët evropianë, bien dakord se ndërkohë që ky hap i pare, mund të jetë parë si i dëshpëruar në atë kohë, dhe ndonëse ka patur shkelje të shumta të armëpushimit prej atëherë, marrëveshja ofroi bazat për një zgjidhje afatgjatë. Vizita e Kerrit në Soçi, sinjalizoi se SHBA-të, nuk duan të përjashtojnë një pajtim të mundshëm me Rusinë.

Duket se ka një dritëz shprese në Uashington dhe kryeqytetet evropiane, se edhe presidenti rus dëshiron gjithashtu marrëdhënie më konstruktive. Pavarësisht raportimeve se muajt e fundit ka kryer furnizime të rëndësishme ushtarake shtesë në Ukrainën Lindore, Moska është përmbajtur nga inicimi i rinovimit në shkallë të plotë të armiqësive.

Rusia gjithashtu, ka ndihmuar në përgatitjen e terrenit për raundin e fundit të bisedimeve të paqes mbi Sirinë, si dhe nuk ka ngritur ende ndonjë kundërshtim fatal për marrëveshjen bërthamore me Iranin, pavarësisht vërejtjeve mbi detajet. Në fakt, ngjarjet si në Ukrainë, ashtu edhe në Lindjen e Mesme, po e shtyjnë Perëndimin të rivlerësojë përfitimet e bashëpunimit me Putinin.

Ndërkaq ka shqetësime në rritje, mbi stabilitetin e qeverisë ukrainase: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, kanë çdo arsye për të shmangur një krizë të mëtejshme në lindje të vendit, që mund të shkaktojë trazira në Kiev. Në Siri, ku qeveria e presidentit Bashar Al-Asad, ka pësuar një seri humbjesh të rënda, mund të vijë shpejt koha për një lloj zgjidhjeje politike, e cila do të kërkonte sërish një garanci ruse.

Për këtë arsye, pëlqehet ose jo, Putin mund të jetë në gjendje të shndërrojë veten e tij në një forcë stabilizuese, në vend të imazhit të një ngatërrestari si në Ukrainë ashtu edhe në Siri, në një të ardhme relativisht të afërt. Fuqitë evropiane, duan gjithashtu mbështetjen ruse në trajtimin e krizës libiane, ndërsa Moska do të ketë një rol të rëndësishëm për të luajtur në menaxhimin e ndonjë marrëveshje përfundimtare, mbi programin bërthamor të Iranit.

Asnjë nga këto, s’do të thotë se Putin dëshiron të zbusë pa kushte, raportet me Perëndimin. Presidenti rus, u dha një arsye më tepër iranianëve për të festuar arritjen e marrëveshjes fillestare në mars, duke zhbllokuar marrjen e raketave antiajrore S-300, të blera nga Teherani që në vitin 2007. Ironikisht, Putin kishte joshur më herët kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, në një lëvizje të projektuar qartazi për të mërzitur Uashingtonin.

Rusia, la gjithashtu të kuptohej se mund të vendosë veton, ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që e autorizon Bashkimin Evropian, të ndërmarrë veprime ushtarake kundër trafikantëve të emigrantëve në Libi, edhe pse Brukseli po vazhdon të shkojë përpara me planet e tij.

Shpesh është në interes të Putinit, dhe ndoshta në natyrën e tij, për ta detyruar Perëndimin të hamendësojë në lidhje me synimet e tij. Ai fiton më shumë kapital, duke mbjellë pasiguri përreth, sesa duke u pajtuar me marrëveshjet e vështira dhe të shpejta.

Pavarësisht gjithë kufizimeve të Rusisë, Putin tani është në pozitën për të luajtur me SHBA-në Evropën dhe Kinën, duke i kundërvënë ato ndaj njëri-tjetrit, në një lojë gjithnjë e më komplekse politike. Zyrtarët perëndimorë, mund të tallin dobësitë e Rusisë, por ata s’mund të ndihmojnë, veçse admirojnë taktikat e liderit të saj.

Shënim: Richard Gowan është drejtor i kërkimeve në Qendrën Universitetin e Nju Jorkut për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe një anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

*Worldpolitics Review-bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat