Lufta kundër IS-it po përthith edhe kontribute femërore

Speciale

Lufta kundër IS-it po përthith edhe kontribute femërore

Më: 19 maj 2015 Në ora: 14:53

Aktualitet – Në veri të Irakut luftohet. Milicia e terrorit e Shtetit Islamik atje kryen shpesh masakra e sulmon popullsinë civile. Mirëpo jo gjithçka është ashtu siç duket, sikur në krahun tjetër njerëzit janë të gatshëm t’u vënë kokën në tepsi vetë militantëve të IS-it e të priten nga hanxhari. Pasi rezistenca është prezente edhe atje, e vullnetarë vijnë nga “bota e lirë”, ku edhe femra po luan rolin e vet

Në veri të Irakut luftohet. Milicia e terrorit e Shtetit Islamik atje kryen shpesh masakra e sulmon popullsinë civile, e sidomos ato të komunitetit jezid, duke vrarë thuajse të gjithë ata që nuk konvertohen në islam. Mirëpo jo gjithçka është ashtu siç duket, sikur në krahun tjetër njerëzit janë të gatshëm t’u vënë kokën në tepsi vetë militantëve të IS-it e të priten nga hanxhari. Pasi rezistenca është prezente edhe atje, e sidomos te kurdët peshmerga, luftëtarët e lirisë.

Peshmerga, në fakt, e përkthyer fjalë për fjalë, do të thotë “ata që e shohin vdekjen në sy”. Për të ndihmuar refugjatët dhe për të penguar depërtimin e mëtejshëm të IS-it, prej kohësh kompani ushtarake me përbërje grash të armatosura, janë vënë nën urdhra.

Njësitë femërore, në fakt, janë krijuar prej dhjetë vitesh, qëkurse peshmergat luftonin kundër ndjekësve të regjimit të rrëzuar irakian të Sadam Huseinit. Ndërkaq qindra gra luftojnë aktualisht në frontin e ri të terrorit. Sa më shumë që depërtojnë xhihadistët në veri të vendit, aq më shumë gra regjistrohen vullnetarisht për t’u rreshtuar në radhët e peshmergave e formacioneve të ngjashme.

“Ne do të shkojmë atje ku na dërgojnë komandantët tanë”, citohet të thotë një luftëtare peshmerga me emrin Nasri Hamalau për një të përditshme perëndimore: “Po, ne jemi gati. Do të nisemi. Unë jam një Peshmerga. Për këtë mbaj në krah edhe armën time”.

Drejt Irakut për të luftuar IS-in

Edhe europianë dhe amerikanë po udhëtojnë drejt Irakut, për t’iu bashkangjitur kësisoj luftës kundër Shtetit Islamik, plotësisht e kundërta e asaj që jemi mësuar të dëgjojmë për xhihadistë që nisen nga SHBA apo Europa për t’u bashkangjitur me IS-in. Shumica e vullnetarëve janë të rinj, sigurisht, burra të mbetur të ve apo beqarë.

Por ka gjithnjë e më shumë edhe gra që udhëtojnë drejt frontit të kësaj lufte. Për shembull, Samantha Johnston.

Amerikania 25-vjeçare është nëna e tre fëmijëve të vegjël. Ajo sapo ka përfunduar shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane dhe po niset për në Irak: “Unë kam ndjesinë se kjo është detyra ime”, shkruan ajo në faqen e saj në “Facebook”.

Në rrjetin e njohur social, nëna e re poston edhe foto të vetat me kostum kamuflazhi, ndërsa qëndron krah për krah me milicët kurdë.

Gazetës amerikane “Daily Caller”, Johnston i tha se rrugës për në aeroport ajo dhe familja kishin qarë shumë dhe për pak sa nuk e kishin ndryshuar vendimin e marrë. Por diçka të tillë ajo nuk do ia lejonte kurrë vetes, kështu që u nis: “Këta fëmijë këtu në Irak janë pa banesa, pa prindër, nënat e tyre janë përdhunuar, baballarët u janë vrarë. Unë thjesht e dija se duhej të bëja diçka”.

Bundeswehr-i gjerman stërvit peshmergat

Shifrat flasin se aktualisht janë rreth 100 luftëtarë të huaj vullnetarë që mbështesin peshmergat. Në aspektin e trajnimit profesional e teknik për përdorim armësh e taktikash luftarake, peshmergat stërviten nga ekspertët e Bundeswehr-it gjerman, prej muajsh tashmë në bazë të një marrëveshje.

Qysh prej vjeshtës së shkuar, Ministria gjermane e Mbrojtjes i ka furnizuar kurdët në Irak me mjete e armatime që kapin vlerën e 70 milionë eurove: që nga çadrat e tendat e deri te veshjet mbrojtëse e armët.

Nëse futja e Samantha Johnston në luftë do të shënojë fillimin e një “ofensive” të re vullnetarësh, nuk mund të thuhet me siguri. Por shembulli i saj tregon se: Lufta për liri tashmë po kryhet në rritje edhe prej grave.

Sigurisht se ata janë një pjesë e vogël e një koalicioni të madh forcash, që variojnë shumë nga kombësia, religjioni e idealet, por që objektivin e kanë të përbashkët.

IS-i vijon të rekrutojë

Siç dihet, edhe IS ka mundur të rekrutojë e vijon të rekrutojë mijëra të rinj europianë e amerikanë. Se sa të rinj perëndimorë i janë përgjigjur thirrjeve të krerëve të Kalifatit për të ardhur në rajonet ndërluftuese e të luftojnë “për xhihad”, vështirë se mund të thuhet me saktësi. Vetëm se ekspertët janë të një mendje kur thonë se trendi në kohët e fundit është rritur sërish pas një rënie relative që pësoi.

Sipas shifrave që sjell grupimi kërkimor me seli në SHBA që merret me çështjet e sigurisë, “Soufan Group”, qysh nga fillimi i lufëts civile në Siri para tri vjetëve, drejt saj kanë udhëtuar 12.000 vetë, luftëtarë potencialë e mbështetës të IS-it nga 81 vende – më shumë se gjatë dhe pas luftës dhjetëvjeçare në Afganistan.

IS-i, nga ana tjetër, shfaqet shpesh shumë i sofistikuar dhe përthith e shfrytëzon kontribute që nuk lidhen vetëm dhe ekskluzivisht me pjesëmarrje në luftime në front. Ai rekruton të rinj që janë të gatshëm të hyjnë në veprim në vendet ku jetojnë e banojnë. Të rinj që i janë nënshtruar asaj që ekspertët shpesh e cilësojnë si “shpëlarje truri”, e në këtë kategori, futen sigurisht edhe femrat, pavarësisht se më të pakta në numër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat