Ahmad: Arratia nga Siria më kushtoi 71 ditë, 3000 euro dhe shtatë palë këpucë

Speciale

Ahmad: Arratia nga Siria më kushtoi 71 ditë, 3000 euro dhe shtatë palë këpucë

Nga: Raniah Salloum * Më: 5 maj 2015 Në ora: 09:32

Rrëfimi

26-vjeçari Ahmad U. nga Siria rrëfen se si kontaktohet me një trafikant dhe sa kushton rrugëtimi drejt Europës. Arratia e tij është dokumentuar me anë të regjistrimeve që ai ka bërë herë pas here me smartin e tij, ku një pjesë e itinerarit klandestin e ka sjellë edhe në Shqipëri. Ndryshe nga shumë të tjerë, ai thotë se trafikantët e kontrabandistët nuk janë të gjithë njëlloj dhe se në çdo rast ia ka vlejtur të largohesh nga ferri me emrin Siri

Ahmad U. nuk mbahej dot. 26-vjeçari i imët në trup donte të largohej nga Siria qysh në vjeshtën e vitit 2012, kur një raketë ra në oborrin e shtëpisë së fqinjit të tij. Ai u largua fillimisht në një lagje më të sigurt por të shtrenjtë të Damaskut. Atje, bashkë me të afërm të tjerë, ata ndanin së bashku strehimin: nëntë persona në një dhomë.

“Nuk ka më të ardhme për mua në Siri”, mendoi në ato kushte më pas ai.

Versioni i shkurtër i odisesë së tij të deritanishme, pak a shumë është ky: në shkurt 2013, Ahmad U. shkoi në Malajzi, vendi i vetëm për të cilin ai ka marrë deri më tani një vizë turistike. Qëndroi atje, megjithëse nuk duhej. Si emigrant ilegal, ai u desh të shkonte në burg, ku si racion çdo ditë merrte vetëm një dorë oriz.

Ndonjëherë, ai është dashur të durojë edhe rrahjet – dhe në shtator 2014 më në fund u deportua sërish drejt Sirisë. Një javë më vonë ai u nis për në Europë.

Në këto kohë, diskutohet shumë për trafikantë qeniesh njerëzore dhe refugjatë e emigrantë klandestinë. Por njerëzit që janë protagonistë, pikërisht pra ata që arratisen, rrallë shfaqen në media. Ahmad U. dëshiron të tregojë rrugëtimin e tij.

Për të, trafikantët janë heronj: “Sigurisht, disa prej tyre janë sociopatë, atyre u interesojnë vetëm paratë. Por shumë të tjerë interesohen edhe për mirëqenien e pasagjerëve”, thotë Ahmad.

Pa kontrabandistë apo trafikantë, edhe Ahmad U. thotë se nuk do t’ia kishte dalë dot. Një largim legal nga vendlindja për të, nuk ka mundur të ketë. Asnjë vend në botë nuk do ta lejonte atë të udhëtonte në vitin 2014, ose në vitin e katërt të dhunës në Siri – madje as Egjipti apo ndonjë fqinj i afërt me Sirinë. Sa më shumë rritet dhuna në Siri, aq më strikte e më të forta bëhen kufizimet për udhëtimet për sirianët, para së gjithash për ata me origjinë palestineze si ai.

“Udhëtim i sigurt dhe i rehatshëm çdo dy javë”

Mbi një gjysmë milion njerëz në Siri janë në të njëjtën situatë. Ai ka lindur e është rritur atje gjithsesi, si edhe prindërit e vet, ka edhe një diplomë në ekonomi nga Universiteti i Damaskut. Mirëpo gjyshërit e tij u arratisën gjatë luftës së 1948-s nga ish-Palestina e atëhershme dhe shkuan në Siri. Më pas, nuk u kthyen më kurrë në territoret e pushtuara nga Izraeli. Siria nuk ia dha kurrë nënshtetësinë refugjatëve palestinezë dhe pasardhësve të tyre. Ata janë pa një shtet.

Në Europë, Ahmad U. do të merrte menjëherë azil. Mirëpo për të shkuar deri atje, për të nuk kishte asnjë rrugë legale.

Refugjatët nga Siria, para së gjithash, shfrytëzojnë si rrugë kryesore Detin Mesdhe, duke u nisur nga Afrika e Veriut, si dhe Turqinë Lindore.

Trafikantët e dinë këtë – dhe ofrojnë tri alternativa:

15.000 – 20.000 euro: Kaq kushton një vizë turistike e falsifikuar për në zonën “Schengen” dhe një biletë nga Bejruti drejt Europës. Një variant i sigurt, pa rrezik për jetën, por këtë mund ta arrijnë vetëm të pasurit. “Të marrësh një vizë false, për mua ishte po aq e pamundur, sa të marrësh edhe një të vërtetë”, thotë Ahmad U.

920 – 2300 euro: 2300 euro kushton aktualisht kalimi nga Libia drejt Italisë. Para gjashtë muajsh, kur Ahmad U. u nis, çmimi ishte ende 920 euro. Ofertat aktuale bëhen publike e organizohen në një faqe në Facebook. Çmimi është i panegociueshëm dhe ka pak ofrues. Për çdo anije udhëtojnë me qindra vetë.

Sirianët, përveç kësaj, duhet të llogarisin edhe 1400 euro të tjerë plus – për kalimin deri në Libi nga Algjeria apo Sudani. Në këto vende ata mund të udhëtojnë pa viza. Ahmad U., si një person pa nënshtetësi, duhet të paguante edhe 2000 euro plus, për të marrë një pasaportë false siriane. Por udhëtimi nga Afrika Veriore iu duk shumë i rrezikshëm.

1200 – 2200 euro: Kaq kushton kalimi nga brigjet turke për në ishujt greke disa kilometra larg. Kjo rrugë është disi më e sigurt, pasi edhe distanca e bërë në Detin Mesdhe është më e shkurtër.

Ka shumë ofrues. Në qytetet kufitare dhe në shumë faqe në Facebook, trafikantët konkurrojnë për klientë (“udhëtim i sigurt dhe i rehatshëm çdo 15 ditë nga Izmiri drejt brigjeve greke”).

Ahmad U. vendosi për këtë opsion. Si njeri pa nënshtetësi, ai duhej të paguante 270 euro shtesë, për t’u kontrabanduar drejt Turqisë. Nga Greqia, duke nisur nga 800 euro, ai mund të kontrabandohej më tej drejt Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Hungarisë deri në Austri, e më pas në Gjermani, Suedi apo Angli – sa më larg, sigurisht, aq më shumë shpenzime do të dalin.

Lufta civile në Siri, ka lulëzuar trafikimin

Dhuna në Siri ka lulëzuar trafikimin e qenieve njerëzore drejt Europës. Jo vetëm që kërkesa po rritet, por njëkohësisht me të edhe çmimet që paguhen nën dorë: Siria që në fillim të konfliktit nuk ishte një vend i varfër, por i përkiste kategorisë së vendeve me të ardhura të mesme.

Kjo ka pasur pasoja të mëdha, shkruan “The Global Iniative against transnational organized crime” (GITOC), një rrjet i ekspertëve të emigracionit: trafikimi i ka shndërruar ata nga qendra të vogla kriminale, në organizata e operacione të organizuara e në rritje të ethshme profesionale.

Gjithsej, Ahmad U. për të mbërritur nga Damasku në Vjenë, i janë dashur 71 ditë e thuajse 3000 euro, të cilat prindërit e tij ia kishin kaluar me këste, sipas etapave që përshkonte, dhe po ashtu, shtatë palë këpucë.

Dy distancat rrugore më të këqija për të rezultojnë të kenë qenë kalimi nga Siria dhe kalimi i Mesdheut.

“Në një pikë kalimi kufitar të qeverisë siriane, ne u rrahëm paq një herë, derisa njëri nga grupi ynë tregoi se cili prej nesh ishte trafikanti. Atij i kërkuan 50.000 paund sirianë (rreth 250 euro) e ne na lanë të shkonim. Në pika të tjera na u morën në çdo rast nga pak para”, tregon Ahmad U.

Rrugës nga Turqia drejt Greqisë, grupit të vogël iu rrit frika për vdekje.

“Ne po rrinim mbi një gomone – me 36 vetë! Pak pasi u nisëm, trafikanti tha se duhej të udhëtonim gjithnjë në atë drejtim. Ai u hodh në ujë dhe u largua me not”. Grupi në motobarkë u përpoq më kot të gjente rrugën, dhe po besonte se tashmë e kishte humbur orientimin. “Era dhe valët thuajse na përmbysën”, kujton Ahmad.

Pas pesë orësh ata arritën në një ishull grek. Prej atje, autoritetet i sollën në pjesën kontinentale të shtetit helen.

Nga Greqia, Ahmad U. u kontrabandua më tej drejt Ballkanit. Me celularin e tij smartfon, ai ka bërë edhe disa video. Tregon pjesën e brendshme të një kamioni mallrash, i cili i transportoi ata nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë drejt kufirit me Malin e Zi.

Destinacion i preferuar, Anglia

Qysh prej gjashtë muajsh, Ahmad U. jeton tashmë në Austri. Deri në këtë destinacion, ai thotë se ia doli, por më pas paratë iu mbaruan. Në fakt, ai vetë do donte të shkonte drejt Anglisë ngaqë e flet edhe gjuhën. Ose drejt Suedisë, ku jetojnë edhe disa shokë të tij.

“Jam mirë në Austri”, thotë Ahmad U. “Nuk duhet të zhvendosem e të përshtatem, pasi nuk jam religjioz”. Vetëm përballë autoriteteve të emigracionit, ai ndihet disi në siklet, pasi nuk kupton dhe shumë gjermanisht: “Disa nga nëpunësit refuzojnë tërësisht të flasin me ne në anglisht”, thotë ai.

Udhëtimin e rrezikshëm, 26-vjeçari do t’ia rekomandonte gjithkujt. “Kështu është, s’ke ç’i bën: do vdesin më shumë njerëz që kanë vendosur të rrinë në Siri, se sa njerëz që përpiqen të kalojnë në mënyrë klandestine e me shumë rreziqe drejt Europës”, thotë ai.

Qysh prej nisjes së konfliktit në Siri në vitin 2011, tashmë numërohen më shumë se 210.000 njerëz të vrarë apo të vdekur. Gjysma e tyre janë civilë. Siç është edhe Ahmad U.

*Marrë nga “Der Spiegel”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat