Joshka Fisher: Cipras, i vendosur ta çojë vendin drejt greminës!

Speciale

Joshka Fisher: Cipras, i vendosur ta çojë vendin drejt greminës!

Më: 2 maj 2015 Në ora: 16:35

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, duket se nuk është fare dakord me Kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Së fundmi, njeriu që dikur bëri emër me ardhjen në pushtet të koalicionit mes të majtëve e të gjelbërve në Gjermani, ka shkruar një artikull në mediat gjermane me titull “Tragjedia e dyfishtë e Greqisë”.

Dhe kaq i mprehtë sa vetë titulli i artikullit duket se është edhe përmbajtja e tekstit: qysh në fillim, Fisher shkruan se grekët duhet të kenë zgjedhur një qeveri që “është tejet e vendosur ta hedhë vendin tërësisht në greminë”.

E në këtë rast, sipas Fisherit, katastrofa nuk është bërë e qartë qysh në fillimet e saj. Në fillim të mandatit të saj, qeveria e re e Syriza-s ka shpërdoruar “një shans shumë të madh të shkaktuar nën efektin e dehjes zgjedhore, në një kohë mjaft të shkurtër”.

Pasi edhe në vetë radhët e konservatorëve në Berlin hasej në atë kohë një atmosferë në drejtim të një testimi dhe joshjeje ndaj politikave të shtrëngimit të aplikuara nga Trojka: “Një kompromis i ri, orientuar më shumë ndaj rritjes dhe më pak ndaj shtrëngimit ekonomik, ka qenë plotësisht i mundur. Pasi edhe vetë përfaqësuesit e linjës së ashpër të politikave të shtrëngimit ekonomik në radhët e konservatorëve gjermanë dhe qartazi edhe Kancelarja gjermane, ishin në mëdyshje përballë politikave të tyre të shtrëngimit ekonomik”, thotë Fisher.

“Dukej sikur po shënohej një lloj kthese”, beson Fisher. E gjithë Europa ishte në tension për të ditur se çfarë do të sillte qeveria e re. Dhe në këtë situatë, qeveria e re mund të kthehej në fakt në një partner për reforma.

Mirëpo Cipras dhe enturazhi i tij e humbën këtë shans. Arsyeja për Fisherin është shumë e thjeshtë: “Sepse ata, në dallimin mes betejës zgjedhore dhe veprimit e aksionit qeveritar, nuk janë kuptuar aspak me njëri-tjetrin”.

Kjo tregohet qysh nga nisja e mandatit të qeverisë “Cipras” në javën e parë. Që në fillim, Panajotis Llafazani, ministri i Energjetikës, tha se qeveria e Kancelares Angela Merkel (CDU) na qenkësh njëra ndër më makabret dhe më të tërbuarat në lidhje me sjelljen ndaj vendit të tij.

Me një “përzierje të egos individuale, ideologjisë dhe mungesës së përvojës” qeveria “Cipras”, sipas Fisherit, e ka shkatërruar besueshmërinë e vet. Të tilla citate e vërtetojnë më së miri këtë akuzë.

Fisher shkruan më tej se: “Skepticizmi im, sidoqoftë, u përforcua nëpërmjet dy gabimeve të tjera në politikën e jashtme, të cilat Cipras i kishte bërë qysh në fillim të mandatit të vet: flirti i tij me Putinin dhe përpjekja për ta izoluar Gjermaninë brenda eurogrupit, çka nuk do të funksiononte kurrë”.

Në mënyrë që “korniza për tragjedinë greke të funksiononte”, shkruan Fisher. “Ora po skadon, pasi afatet e tjera të pagesave të kredive janë të caktuara e nuk janë shtyrë”.

“Të flasësh në mënyrë kaotike duke akuzuar të tjerët, nuk do të mjaftojë të shmangë dot daljen e vendit nga euro – përballë rrezikut të madh. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur të dyja palët të konsiderojnë pa ekuivokë idenë se Greqia do të mbetet në eurogrup dhe se nuk duhet të shkojë puna te nxjerra e fituesve apo e humbësve nga këto negociata”.

Pasi një dalje e Greqisë nga eurozona do të kishte pasoja katastrofike për vendin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat