Vrasjet misterioze të Kievit, që kanë futur në ankth mbarë Ukrainën

Speciale

Vrasjet misterioze të Kievit, që kanë futur në ankth mbarë Ukrainën

Më: 18 prill 2015 Në ora: 22:50

Është 16 prill, pasdite vonë. Në redaksinë e gazetës “Ukrajinska Pravda” (E vërteta ukrainase) mbizotëron tensioni. Vetëm para pak orëve, gazetarët kanë mësuar se ish-deputeti i Partisë së Rajoneve, Oleg Kallashnikov, është qëlluar për vdekje të mërkurën mbrëma. Kur papritur mbërrin edhe lajmi tjetër në seksionin e lajmeve.


Autori i skandaleve, gazetari Oles Busina, u vra gjithashtu ditën për diell në afërsi të shtëpisë së tij në Kiev. Këtë e bëri të ditur këshilltari e ministrit të Brendshëm dhe deputeti i Parlamentit në Kiev, Anton Gerashçenko. Sipas të dhënave të ofruara prej tij, dy të dyshuar me maska kishin qëlluar katër herë nga një makinë e markës “Ford Focus” e pastaj ishin zhdukur.


Busina shihej prej vitesh si provokator dhe para së gjithash ishte shumë i njohur atje për qëndrimet e tij pro-ruse. “Ideali im është ringritja e Perandorisë Ruse, e në vend të kësaj, unë duhet t’u përshtatem kushteve të vështira që më shtyjnë drejt ndërtimit të një Ukraine të pavarur”, thuhet në një prej lajtmotiveve të tij.


Para së gjithash, në librin e tij “Vampiri i Taras Shevçenkos” (botuar në vitin 2000), në të cilin ai përpiqet të diskreditojë Shevçenkon, një ndër shkrimtarët më të famshëm ukrainas. Kjo në Ukrainë shkaktoi reagime të ashpra. Në vitin 2012, Busina kandidoi për partinë “Blloku Rus” në zgjedhjet parlamentare.


Në Kiev ka disa zëra që thonë se mes dy vrasjeve ka një lidhje. Deputeti Gerashçenko shprehu dyshimin se pas vrasjeve fshihet një Anti-Maidan, pra një kundërprotestë apo organizim për Maidanin proeuropian. Ky emër iu dha lëvizjes në kryeqytetin ukrainas që nisi si protestë ndaj ndryshimit të kursit të ish-presidentit të atëhershëm, Janukoviç. Ky i fundit donte të çonte vendin drejt Bashkimit Europian, por në momentin e fundit, nga frika e reagimit të ashpër rus, vendosi për momentin të kundërtën.


Ka ndarje brenda shoqërisë ukrainase mes proeuropianëve dhe atyre që më mirë do të donin të ishin pjesë e Rusisë ose të paktën që Moskën të mos e sfidonin me një konflikt të rëndë e direkt, në të cilin shumë ukrainas humbën dhe jetën. Për momentin, në Kiev sfondi dhe arsyet e këtyre ngjarjeve po hetohen ende. Si të shtënat ndaj Kallashnikovit, ashtu dhe ato mbi Businën, mund të kishin një lidhje me njëra-tjetrën.


Në emisionin “Lidhje direkte me Vladimir Putinin”, i cili u transmetua pak minuta pas vrasjes së Oles Businës në kanalin e televizionit shtetëror rus, Presidenti rus, që tashmë e kishte marrë vesh lajmin, tha se nuk ishte hera e parë që në Ukrainë kryheshin vrasje politike. Ndërkohë, “janë regjistruar një seri syresh, dhe në këto raste nuk është hetuar”, shtoi ai. Më pas Putin hoqi një paralele me rastin e hetimeve për çështjen e Boris Nemcov dhe vuri re se në Rusi të paktën ata që kanë kryer vrasjen, të paktën janë arrestuar. Në Ukrainë, as që bëhet fjalë, dhe Europa e SHBA i mbyllin sytë e veshët para këtyre vrasjeve.


“Rastet janë një paradë e vrasjeve politike”


Redaktori i revistës “Ukrajunskyj Tyzhden”, Denis Kasanskij, e përshkroi vrasjen e Businës në Facebook si një “kopje politike të vrasjes së Boris Nemcovit”. Motivet për të janë të qarta, shkruante më tej redaktori. “Rusisë po i jepet edhe një shkak tjetër që të diskreditojë Ukrainën. A s’vriten tek ne opozitarët në mes të ditës mu në qendër të kryeqytetit? Edhe tek ju e njëjta gjë? A nuk ka te ne represion? Ka edhe tek ju!” – shkruante ai.


Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, beson se pas këtyre vrasjeve fshihet një përpjekje për të destabilizuar Ukrainën. Si pasojë, ai ka kërkuar një hetim të shpejtë dhe efektiv. Ndërsa parlamentarja ukrainase, Viktoria Sjumar (Narodnij Front) i përshkroi dy rastet e vrasjeve si një “paradë vrasjesh politike”, që duan të ndezin situatën në prag të 9 majit.


Muajt e fundit ka pasur vrasje misterioze


Vrasjet e dy zëdhënësve më në zë të Kremlinit në Kiev, paraqesin një seri të tërë vrasjesh misterioze që lidhen me ish-presidentin e rrëzuar, Viktor Janukoviç, të cilit i përkiste edhe Kallashnikov. Sipas policisë, në raste të tjera bëhej fjalë më shumë për vetëvrasje. Çdo gjë filloi me hedhjen nga dritarja e katit të 17-të, më 28 shkurt 2015 të deputetit, anëtarit të Partisë së Rajoneve, Michail Çeçetov. Më 10 mars, ish-deputeti Stanislav Melnik, që shpesh ishte parë nën shoqërinë e oligarkut Rinat Ahmetov, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Kiev.


Melnik duhet të ketë qëlluar veten, siç kishte bërë më parë edhe ish-guvernatori i Zaporozhjes, Oleksandr Peklushenko, i cili më 12 mars u gjet i vdekur në jug të Ukrainës. Peklushenko dyshohet se kishte rrahur studentët në protestat e sheshit “Majdan”. Ai thuhet se kishte vrarë veten, sipas një versioni, pasi kishte pasur frikë nga një proces gjyqësor që mund të niste ndaj tij.


Njerëzit flasin për “vrasjet e Kievit”


Në këtë zinxhir vrasjesh misterioze, bën pjesë edhe vdekja e djalit të vogël të Janukoviçit, i cili në fund të marsit u përplas me një minibus në akujt e liqenit të Bajkalit në Siberi dhe hetimet treguan se ai kishte qenë i dehur. Të besuarit e ish-presidentit ukrainas, folën për një aksident.


Së fundmi, edhe vrasja e gazetarit Sergej Suhobok, në natën e 13 prillit, në Kiev, iu shtua këtij zinxhiri. Sipas policisë, kjo vrasje ka një karakter plotësisht tjetër. Suhobok nuk kishte asnjë lidhje me Partinë e Rajoneve, e as me Rusinë. Ai ishte një ndër themeluesit e portalit të lajmeve “Obkom”, dhe kishte punuar edhe te media të tjera që kishin qenë kritike ndaj qeverisë së Leonid Kuçmas dhe më vonë dhe ndaj Viktor Janukoviçit.


Megjithëse janë arrestuar dy vetë dhe flitet se Suhobok kishte vdekur si pasojë e rrahjeve, motivet e vrasjes kanë mbetur të pasqaruara. Por edhe ky rast u përket padyshim atyre që thuhet se janë “vrasjet e Kievit”, të cilat nuk po shqetësojnë vetëm analistë e politikanë, por padyshim se kanë futur në ankth e frikë mbarë Ukrainën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat