A do të përmbushet turi i planifikuar i “ujqërve” rusë të natës?

Speciale

A do të përmbushet turi i planifikuar i “ujqërve” rusë të natës?

Më: 16 prill 2015 Në ora: 23:08

Nëse historia për shefin e Kremlinit, Vladimir Putin dhe kontaktet e tij me klubin e motoristëve “Ujqërit e Natës” nuk do të ishte e vërtetë, atëherë ajo duhej të shpikej. Por këto ditë po bën xhiron e botës lajmi për trajtimin e tij si “truprojë” e Putinit.

Qëllimi i turit: “Nderimi i luftëtarëve antifashistë”

Me një tur motorik marcial, ai thotë se dëshiron që më 25 prill të udhëtojë në mbarë Europën, nga Moska në Berlin, për të festuar fitoren e ish-Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë. Në gjurmët e Ushtrisë së Kuqe, le të themi. Synimi është “nderimi i luftëtarëve antifashistë”, bënë të ditur “Ujqërit e Natës”. Njëri ndër fansat e tyre më të mëdhenj është edhe Vladimir Putin.

Shefi i Kremlinit me imazhin e tij prej maçoje, njihet si një shok i mirë i liderit të këtij klubi, Aleksander Saldostanov, i cili ka festuar aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe bashkë me shokët e tij ka luftuar përkrah rebelëve pro-rusë në Ukrainën Lindore kundër trupave të Kievit.

“Nëse armiqtë e Rusisë mobilizohen, unë bëj thirrje që të mblidhemi të gjithë rreth presidentit”, kishte thënë Saldostanov para ca muajsh për TV “Russia Today”. Pamjet nga televizioni rus shfaqnin Putinin në 2011, kur ai udhëtonte me mikun e tij rocker mbi një motor nëpër qytetin port rus Novorosijsk.

Zyrtarisht “Ujqërit e Natës” pretendojnë se ata nuk ndjekin asnjë qëllim politik. “Ne nuk jemi historianë”, tha njëri nga organizatorët para pak kohëve. Mirëpo në radhët e vëzhguesve e analistëve politikë, shumë prej 5000 anëtarëve të tyre vlerësohen si autorë aktesh me frymëzim radikal të djathtë dhe si nacionalistë ekstremë, të cilët dalin hapur kundër shumë kauzave, me bekimin jozyrtar të Presidentit rus.

Saldostanov ka punuar si truproje në Berlin

Saldostanov, i cili në fund të viteve ’80 ka punuar si truproje në një diskotekë të Berlinit, për shumë rusë është tashmë një “figurë simbolike për atmosferën patriotike, që ka përfshirë Rusinë prej vitesh”, komentonte së fundmi revista gjermane “Der Spiegel”.

Në 70-vjetorin e Betejës së Stalingradit, “Ujqërit e Natës” organizuan vitin e kaluar një “mega event” me 200.000 motoristë. “Stalingradi për njerëzimin është po aq i shenjtë sa edhe Jerusalemi, Meka dhe Betlehemi. Stalingradi është një ikonë e përflakur, e ndezur, e fshehur nën një pseudonim të pathënë. Në portat e Stalingradit u arrit një fitore mitike”, tha Saldostanov asokohe.

Putin e fton rregullisht liderin e “ujqërve” në Kremlin

Shokët rocker të Putinit janë krenarë për sukseset e Ushtrisë së Kuqe në Luftën e Dytë Botërore, e për këtë s’ka asnjë dyshim. Putinit i pëlqen performanca e “Ujqërve të Natës”, del rregullisht me ta dhe e fton Saldostanovin në Kremlin. Para ca viteve, ai e cilësoi liderin e tyre madje dhe si “vëllai im”.

S’është çudi që “Ujqërit e Natës” të shfaqen si një hordhi shkelësish të ligjit. Ata e mallkojnë revolucionin në Majdan dhe mbështesin vazhdimisht rebelët pro-rusë e opozitarët në Ukrainë. “Ata do të largoheshin vetëm me dhunë nga planet e tyre”, thuhet në kredon e “Ujqërve”.

Rezistenca vjen nga Polonia

Prej disa ditësh, megjithatë, është ngritur një rrjet kundërshtarësh ndaj rocker-ëve rusë. Kështu, së fundmi, një profil polak në Facebook, po kërkon një bllokadë ndaj “Ujqërve të Natës”. Arsyeja: në “udhëtimin e tyre të fitores” drejt Berlinit, bashkudhëtarët e Saldostanovit, duan ndër të tjera të kalojnë edhe në territorin e fqinjit të tyre, Polonisë – megjithëse marrëdhëniet mes Rusisë dhe Polonisë që prej fillimit të krizës në Ukrainë, janë përkeqësuar ndjeshëm.

“Me flamuj rusë që valëviten në duar, ata duan të përshkojnë rrugëtimin e Ushtrisë së Kuqe, që sidomos Polonisë nuk i dha kurrë lirinë”, tha Jarek Podworski, një motorist polak dhe bashkëthemelues i grupit të protestës. Edhe shefja e qeverisë polake, Ewa Kopacz, e ka përshkruar udhëtimin e planifikuar të motoristëve rusë si një provokim.

Vendimi nëse udhëtimi i përkrahur nga Kremlini për të përshkuar itinerarin nga Moska në Berlin, duke kaluar në kufirin polak, do të merret nga autoritetet vendore në vendet ku ata do kalojnë, tha ajo të mërkurën në kanalin TV polak, TOK FM.

“Ujku” lider Saldostanov kritikoi refuzimin që Polonia i ka bërë iniciativës së tyre. “Nuk duhet harruar sigurisht se ka pasur polakë, që kanë luftuar me Ushtrinë e Kuqe deri në Berlin. Por ka pasur edhe polakë që kanë qenë policë ose mbikëqyrës në getot e hebrenjve. Ndoshta pasardhësve të tyre nuk u pëlqen ideja e turit tonë”, tha ai gjatë kësaj jave në Moskë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat