Kur “armiqtë” hiqeshin nga filmat

Speciale

Kur “armiqtë” hiqeshin nga filmat

Më: 31 mars 2015 Në ora: 17:28

Në ish-vendet komuniste, aty ku historia ka qenë nën petkun e ideologjisë së kohës, kujtimet e protagonistëve të asaj periudhe janë gjithnjë një dritë më shumë për të qartësuar të vërtetën. Ne nuk e kemi ende një histori të arteve në Shqipëri përgjatë 50 viteve të sistemit të kaluar. Rasti i kinemasë shqiptare gjatë regjimit komunist, është krejt i ndryshëm nga ai i ish-vendeve të tjera që e kanë jetuar këtë regjim. Kineastëve tanë u është dashur të punojnë shpesh pa modele ballafaqimi të prodhimeve kinematografike të kohës, duke krijuar një stil të tyrin.

Abaz Hoxha, studiues i kinemasë dhe ish-drejtues i lartë në ish-Kinostudio, i bindur në vlerën e çdo dokumentacioni, për historinë që do të shkruhet nesër, i është rikthyer kujtesës për të nxjerrë që andej copëza historish të cilat sot na ndërtojnë një imazh të mënyrës sesi ka funksionuar filmi në Shqipëri. “Na ishte njëherë Kinostudio” e quan ai përmbledhjen me kujtime dhe mbresa nga puna në këtë “parajsë” të botës shqiptare. Ai i quan vitet më të vështira të jetës, kohët kur nga kryeinxhinier u emërua kryetar i degës së kinemave.

“Ky sektor ishte si të shpinin drejt gijotinës. Çdo ditë ecje mbi mina dhe asnjëherë nuk të dihej fati”, shkruan ai. Por pavarësisht dyshimeve që kishte brenda vetes, Hoxha dhe çdo njeri tjetër në atë periudhë nuk mund të vinte në diskutim urdhrin për ngritjen në detyrë, pavarësisht presionit psikologjik që i është dashur të jetonte. Në vitin 1966, Hoxha ngarkohet të drejtojë sektorin e kinemave, i cili merrej me furnizimin me filma të rreth 450 qendrave kinematografike që vepronin në të gjithë Republikën, një punë që mbarte rreziqe për shkak të mungesës së lëndës së parë.

“Mbingarkesa dhe mungesa e përvojës në këtë sektor të ri për mua u rëndua nga shumë faktorë të tjerë politikë, ideologjikë, ekonomikë e shoqërorë. U vështirësua shumë procesi i furnizimit me filma të kinemave, mbasi çdo gjë duhej të kontrollohej me imtësi se ndryshe të merrte lumi”, shkruan ai.

Në ato vite, Kinostudio kishte ulur dhe numrin e filmave që blinte nga jashtë. Prerja e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, e më pas me vendet e tjera aleate sipas Hoxhës bënte që numri i filmave premierë të ishte i kufizuar. Ato pak filma që ishin në qarkullim ishin të vjetruar teknikisht, e kjo bënte që në kinema të shfaqeshin të njëjtët filma për disa vite me radhë.

“Mbyllja e vazhdueshme e Shqipërisë karshi botës, masat drastike të izolimit nën pretekstet e ndikimit të propagandës dhe presionit borgjezo-revizionist, prishja e disa aleancave politike e shtetërore dhe afrimet e përkohshme me shtetet e tjera etj., etj., bënë që fondi i filmave në qarkullim të ngushtohej përherë e më tepër”, shkruan Hoxha.

Sipas tij, në vitin 1966 ishin hequr nga qarkullimi mbi 480 filma perëndimorë e lindorë dhe numri i premierave kish rënë në 15-20 në vit. “Në qarkullim ishin shumica e filmave kinezë, vietnamezë, koreanë, kryesisht filma kronikalë e dokumentarë politikë ose që dënonin imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik”, shkruan Hoxha.

Sipas tij, të vetmit filma që mund të merreshin nga Perëndimi ishin ata francezë, italianë dhe ndonjë nga vendet amerikano-latine, ndërsa filmat amerikanë as që mund të mendoheshin, edhe nëse merrej një i tillë i ndryshohej titulli. Në këto vite, sipas Hoxhës, problemi i furnizimit me filma ishte një çështje kritike për kinemanë. Fushata e spastrimeve politike, që u shoqërua me arrestime të njerëzve të afërt të ish-diktatorit Hoxha, do të shoqërohej dhe me një censurë më të ashpër në qarkullimin e filmave në kinematë e rretheve.

“Më i vështirë u bë xhirimi dhe sidomos qarkullimi i kronikave dhe filmave dokumentarë të cilat duhej të kontrolloheshin pa ndërprerje që të ‘spastroheshin’ nga personat që ishin dënuar, shkarkuar nga detyra ose arrestuar”, kujton Hoxha. Çdo njeri që ishte në këta dokumentarë duhet të ishte i pastër politikisht. Spastrimi i dokumentarëve nga njerëz që pas xhirimit ishin vendosur në pranga më pas, ishte një nga punët që kërkonte më shumë kujdes. “Shfaqja e këtyre kronikave me këta persona ‘armiq të Partisë dhe të Popullit’ ishte tepër me zarar.

Menjëherë njoftoheshin Komitetet e Partisë dhe ata, nga ana e tyre, njoftonin për ‘skandalin’ urgjentisht Komitetin Qendror duke iu ankuar se Kinostudio shfaq filma me persona armiq, dhe atëherë të gjeje vend ku të futeshe”, kujton Hoxha. Ai sjell në kujtesë rastin e Fadil Paçramit. Ish-ministri i Kulturës dhe ish- deputet Paçrami do të shpallej ‘armik i popullit’ për shkak të ideve të tij liberale.

Pak kohë para se të dënohej, ai kishte shoqëruar një delegacion nga Kamboxhia. Hoxha kujton sesi shënoi me laps të kuq kronikën ku jepej Paçrami që të mos qarkullonte nëpër rrethe. Por shpërndarësi i filmave, Meti, nuk e kishte vënë re këtë shënim, dhe filmi do të qarkullonte në rrethe. Kaq do të mjaftonte që kjo kronikë të sillte një mori problemesh që nuk do të mjaftonin vetëm me paralajmërime apo “tërheqje vëmendje” nga vija e partisë si për Hoxhën ashtu edhe për Metin. Hoxha nxjerr nga kujtesa dhe një rast tjetër. Një kronikë që shfaq punimet e Kongresit të Partisë.

“Orientimi duhet të xhirohej në mëngjes, duhej të shfaqej pasdite në kinematë e Tiranës dhe brenda natës të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë për t’u bërë jehonë punimeve të Kongresit. Dhe kështu ndodhi. U përgatit, u shfaq dhe u shpërnda në gjithë kinematë e rretheve kronika e ditës së parë. Ditën e dytë të Kongresit vjen urdhër urgjent nga lart që kronikat e djeshme të hiqeshin nga qarkullimi, se njëri nga delegatët e Kongresit ishte ‘armik i partisë'”, kujton Hoxha.

Tre grupe pune do të niseshin nga Kinostudioja për në gjithë Shqipërinë për të ndaluar shfaqjen e dhjetëra telegrame do të niseshin me mesazhin “urgjent”. Brenda 24 orëve, Hoxha do të shkonte në Kukës, Tropojë, Pukë, Burrel e Rrëshen për të grumbulluar kopjet e filmave. Edhe sot nuk e di ende se për cilin armik bëhej fjalë… Përtej kujtimeve që tregojnë forcën e censurës mbi artin kinematografik, dhe mënyrën sesi funksiononte gjithë ideologjia e kohës, kujtimet e Hoxhës sjellin në vëmendje dhe mënyrën sesi lindi dhe u zhvillua ish-Kinostudio. Hoxha është autor i disa librave mbi artin e shtatë e mund të quhet një historian i kinemasë shqiptare, pasi është një ndër autorët që ka kontribuar më shumë në dokumentimin e mënyrës se si magjia e filmit ka depërtuar në vendin tonë. Kujtimet më të fundit që ka nxjerrë në shtyp, sjellin një atmosferë të trishtë të mënyrës sesi çdo përpjekje kinematografike në fokus kishte ideologjinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat