Brenda mendjes së atyre që e kthejnë vetëvrasjen në vrasje masive

Speciale

Brenda mendjes së atyre që e kthejnë vetëvrasjen në vrasje masive

Më: 29 mars 2015 Në ora: 17:41

Detajet rreth Andreas Lubitz janë ende në zbulim e sipër… Ky është piloti gjerman 28-vjeçar i avionit të Germanwings që mendohet se e përplasi qëllimisht avionin në Alpet Franceze duke vrarë kështu 150 personat në bord. Në një kuptim, kjo është një çështje që ndodh rrallë, pasi vetëm një nga nëntë aksidente avionësh janë zbuluar se shkaktohen nga një pilot vetëvrasës që nga vitet 1970.

Por sërish motivet e kësaj historie janë ato që kemi dëgjuar më parë: një i ri që vendos të vrasë jo vetëm veten, por gjithashtu një numër të tjerë personash në një mënyrë spektakolare. “Është një gjë të duash të vrasësh veten”, tha Michelle Cornette, drejtore ekzekutive e Lidhjes Amerikane të Vetëvrasjes, “por çfarë do të të nxiste të doje të merrje edhe 150 njerëz të tjerë me vete?”

Një gjë që duhet sqaruar në fillim është se kjo nuk është sjellje normale e një personi me depresion apo mendime vetëvrasëse. Cornette tha se organizata e saj vlerëson se vetëm 2 deri në 5 për qind të vetëvrasjeve janë vetëvrasje të karakterit vrasës (së të tjerëve). “Në vrasjet e vërteta vetëvrasëse, qëllimi apo motivi primar është vetëvrasja dhe vrasja vjen e dyta”, tha ajo.

Kjo është karakteristika më e fortë e përbashkët, por një tjetër motiv i përbashkët shfaqet gjithashtu, thotë Adam Lankford, që ka studiuar rastet e vetëvrasjeve me pasoja vrasjesh masive dhe ka shkruar rreth zbulimeve të tij një libër për këtë çështje.

“Në kuptimin e sëmundjes mendore, ne nuk mund të citojmë vetëm diagnozën – ka shumë variacione”, tha Lankford. “Disa janë të depresuar, disa janë diagnostikuar me skizofreni dhe Eric Harris, një nga vrasësit në një shkollë të mesme në Kolorado në vitin 1999, u kategorizua nga FBI-ja si psikopat”, tha ai. “Por çfarë do të thosha unë është se ka disa tipare të përbashkëta, por edhe disa dallime të mëdha, mes njerëzve që thjesht kryejnë vetëvrasje dhe atyre që bëjnë vetëvrasje së bashku me vrasje në masë”.

Zakonisht, këto veprime të dhunës masive ndodhin për shkak se vrasësi ndihet i viktimizuar, i shtypur ose i vënë në lojë në një farë mënyre dhe kështu ai (dhe është pothuajse gjithmonë ai) ndien se sulmi është i justifikuar.

Ndonjëherë kjo do të thotë se vrasësi do të shënjestrojë njerëz që ai i njeh personalisht. “Një përqindje e lartë e atyre njerëzve të vrarë kanë një lidhje personale, për shembull dikush që vret partnerin dhe më pas veten”, shpjegoi Lankford. “Por në raste të tjera – në të shtënat në shkolla, qendra tregtare, gjëra të tilla, shumë prej njerëzve që vrasin, janë të panjohur”.

Në rastin e fundit, të huajt veprojnë si një përfaqësim për çfarëdolloj grupi që vrasësi ndien se e ka refuzuar atë. “Kështu, në këtë rast të veçantë, mendoj se pyetja e natyrshme do të ishte, për shembull, a ka ndonjë provë se piloti e perceptonte veten si viktimë?” tha Lankford. Ndonjëherë, këto perceptime janë të paktën disi të vlefshme, dhe ndonjëherë, ato shtrembërohen dhe kufizohen nga sëmundja mendore dhe paranoja.

“Nëse ai kishte arsye për t’u ndier se ishte keqtrajtuar nga kompania ajrore, apo nëse kishte pasur ndërveprime negative me pasagjerët në të shkuarën, ky do të ishte një shpjegim sipas librave. “Por shpjegimi mund të mos jetë kaq i thjeshtë, në disa nga këto raste, të huajt e shënjestruar thjesht veprojnë si një lloj përfaqësimi i paqartë për shoqërinë e gjerë.

Përtej çështjes së të ndjerit si një viktimë, disa vrasës masivë që më pas vrasin edhe veten, nxiten nga dëshira për famë – diçka aspak tipike për konceptin e vetëvrasjes. “Vrasësit e gjimnazit në Kolorado, folën nëse Steven Spielberg apo Quentin Tarantino do të bënte një film për jetët e tyre më pas”, tha Lankford. “Vrasësi i shkollës teknologjike në Virxhinia, filmoi videon e tij dhe e çoi atë në kanalin e lajmeve NCB. Aksidentalisht, thotë Cornette, media luan këtu një rol. “Kur ky është një motiv, ata zakonisht marrin çfarë duan”, tha ajo.

Një tjetër tipar i përbashkët i vrasësve në masë që vrasin veten, është se ndonjëherë ata duan të minimizojnë ose fshehin faktin se kanë dashur të marrin edhe jetën e tyre. “Është shumë e zakonshme për botën që të të bëjë të ndihesh në turp nga kryerja e vetëvrasjes”, tha Lankford. “Prandaj ndonjëherë, me rastin e vrasjes në masë, ne shohim që personi që do të kryejë vetëvrasje gjithashtu do ta bëjë të duket diçka tjetër, në një farë mënyre viktimat janë pjesë e kamuflazhit… Ne e shohim këtë në shumë vetëvrasje terroriste në veçanti”.

Në fakt, disa nga vrasësit në masë që Lankford ka studiuar janë dukur më të fiksuar në dhënien fund të jetëve të tyre, sesa në vrasjen e të tjerëve. Ai përmend një incident në Universitetin e Teksasit në 2010, kur një student matematike 19-vjeçar shtiu vetëm disa plumba përpara se ta kthente armën nga vetja.

“Ndonjëherë, diçka që duket si një vrasje masive, mund të jetë më tepër një akt vetëvrasjeje sesa vrasje”, tha Lankford. Po kaq jobindëse nga sa duken, vdekjet e të huajve të panjohur dhe rastësorë, në këto raste janë pothuajse ‘aksidentale’ në mendjen e vrasësve.

Shembujt e mëparshëm të dhunës në masë dhe vetëvrasjes na thonë disa gjëra, por është ende herët në këto faza të hetimit që të thuhet me siguri se çfarë e shtyu Lubitz-in dhe cilat ishin qëllimet e tij. “Dhe në fund të ditës, ne mund të mos e dimë kurrë me siguri se çfarë ndodhi”, thotë Cornette.

-Një tjetër tipar i përbashkët i vrasësve në masë që vrasin veten është se ndonjëherë ata duan të minimizojnë ose fshehin faktin se kanë dashur të marrin edhe jetën e tyre

-Nëse ai kishte arsye për t’u ndier se ishte keqtrajtuar nga kompania ajrore, apo nëse kishte pasur ndërveprime negative me pasagjerët në të shkuarën, ky do të ishte një shpjegim sipas librave

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat