Po fillon një luftë e madhe në Lindjen e Mesme, dhe nuk është as në Siri, as në Irak!

Speciale

Po fillon një luftë e madhe në Lindjen e Mesme, dhe nuk është as në Siri, as në Irak!

Më: 27 mars 2015 Në ora: 08:37

Një koalicion i madh sunit i udhëhequr nga Arabia Saudite ka kërcënuar të enjten në mbrëmje për një pushtim nga toka të Jemenit me dhjetëra mijëra trupa, me qëllim dëbimin e militantëve shiitë të lidhur me Iranin, gjë e cila do ta zhyste Lindjen e Mesme në një luftë rajonale haptaz sektare.

Grupi rebel Houthi që ka marrë kontrollin në pjesën më të madhe të Jemenit dhe ka dëbuar presidentin sunit të mbështetur nga perëndimi, Abd Rabbu Mansour Hadi, bëri të ditur se 18 civilë janë vrarë prej sulmeve të koalicionit gjatë natës.

Egjipti, Maroku, Sudani dhe Jordania mbështesnin fqinjët e Gjirit të Jemenit në këtë operacion, dhe u tha se mjetet egjiptianë mbartëse të trupave po prisnin në brigjet e Jemenit.

Agjencitë e lajmeve pranë Riadit bënë të ditur se 100 avionë u përgatitën për t’iu bashkuar sulmeve ajrorë ndaj rebelëve, ndërkohë që Maroku, Sudani, Kuvaiti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Bahreini kishin dërguar të gjithë bashkë 85 avionë.

Koalicioni mbështetet nga Britania dhe SHBA. Foreign Office përmendi “injorimin që Houthitët i bëjnë procesit politik”, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Britanisë bëri të ditur se nuk ka përfshirje ushtarake.

Megjithatë, thuhet se një gjë e tillë po mendohet, ndërkohë që ka biseda për mbështetje në të ardhmen. SHBA bëri të ditur se po “koordinonte mbështetjen ushtarake dhe të inteligjencës” me operacione. Bombardimet gjatë natës vunë në shënjestër një bazë ushtarake pranë aeroportit ndërkombëtar të Sana’as, si dhe një shtëpie që i përkiste familjes së udhëheqësit Houthit në qytetin verior të Saadas, bastioni i tyre.

Ata goditën gjithashtu një bazë në qytetin jugor të Adenit, e përdorur deri javën që kaloi për avionët e telekomanduar të SHBA për sulmet kundër al Kaedës në Gadishullin arab. Britania dhe Amerika u detyruan që të tërheqin forcat speciale teksa rebelët Houthitë vazhduan përparimin.

Zyrtarët egjiptianë, por edhe të tjerë, bënë të ditur se koalicioni po planifikonte një pushtim nga toka pasi sulmi ajror ishte përfunduar.

Pakistanit, një tjetër shtet sunit, iu kërkua gjithashtu të ofrojë trupa. “Mund të konfirmoj se jemi kontaktuar nga Arabia Saudite në këtë drejtim”, tha një zëdhënëse e ministrisë së jashtme. “Cështja po ekzaminohet”. Disa prej shteteve i janë bashkuar koalicionit dhe po shpresojnë për ndihmën e sauditëve, të cilët nga ana e tyre janë thellësisht armiqësorë ndaj përfshirjes së Iranit në Gji.

Egjipti ka kujtime jo të mirë nga përfshirja e tij e më parshme në Jemen në vitet 1960, kur, për ironi të fatit, mbështeti opozitën republikane kundër familjes së atëhershme mbretërore që mbështetej prej izraelitëve. Humbjet e Egjiptit ishin kaq të rënda, sa që presidenti i atëhershëm Nasser e quajti “Vietnami ynë”.

ZEMERIMI I IRANIT

Sulmi i sauditëve u prit me zemërim në Teheran, ku ishte mirëpritur përparimi i Houthitëve ndërkohë që Irani ka mohuar lajmet se i ka ofruar mbështetje me armë grupit. Ministria e jashtme e dënoi këtë sulm të koalicionit si “akt agresioni”. “Sulmet ajrorë të udhëhequr nga sauditët duhet të ndalet menjëherë sepse është kundër sovranitetit të Jemenit”, tha ministri i jashtëm Javad Zarif. “Ne do të bëjmë gjithë përpjekjet për të kontrolluar krizën në Jemen”.

Nëse iranianët do të dërgojnë ndihmë ushtarake, kjo mund të sjellë forcat iraniane dhe saudite në një përplasje ushtarake direkte. Sauditët kanë mobilizuar 15 mijë trupa. Në një konferencë shtypi në Uashingtoni, ambasadori saudit tha se presidenti Obama ishte konsultuar ngushtësisht për operacionin, por Amerika nuk është përfshirë direkt.

KUSH JANE HOUTHITET

Houthitët janë nga sekti shiit Zaydi dhe kanë qenë në luftë prej dekadash. Megjithatë, vitin që kaloi ata bashkuan forcat me ish presidentin Ali Abdullah Saleh, i cili u dëbua pas protestave gjatë Pranverës Arabe. Ai kishte vendosur pjesëtarë të familjes dhe besnikë të tij në të gjithë strukturat e ushtrisë dhe sigurisë, shumë prej të cilët kishin bashkuar njësitë që drejtonin me kauzën e Houthitëve. Së bashku ata morën kryeqytetin Sana’a në shtator, përpara se të niseshin në drejtim të jugut këtë vit. Të dielën ata morën qytetin e tretë, Taiz, dhe të mërkurën morën jo vetëm bazën Al-Anad, por edhe aeroportin e Adenit. /Telegraph/Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat